HISTORI FRYMËZUESE

Lucy Kellaway: Ja përse zgjodha të bëhesha mësuese në moshën 50 vjeçare

Lucy Kellaway është rasti i veçantë i një mësueseje që zgjodhi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në moshën 50 vjeçare, pas një karriere të gjatë në fushën e ekonomisë dhe gazetarisë.

Asnjëherë nuk është vonë për një fillim të ri. 


Me rreth 30 adoleshentë në klasë, në pesë ditë të javës dhe me një grumbull të madh shënimesh, planifikimesh, evidancash, profesioni i mësuesit nuk është një zgjedhje e lehtë. Lucy Kellaway është rasti unik i një mësimdhënëse që zgjodhi të bëhej mësuese në moshën 50 vjeçare. 

Pas një karriere të gjatë si gazetare, me më shumë se 30 vjet në “Financial Times”, ajo themeloi organizatën jofitimprurëse “Learn now”, që i dedikohet tërësisht arsimit. 



Çfarë mund ta shtyjë një njeri të ndryshojë profesionin në një moshë të tillë?


Jeta jonë profesionale është shumë e gjatë dhe të bësh vetëm një punë është ‘e mërzitshme’. Vetja duhet sfiduar. Nuk më pëlqente ideja e të dalurit në pesion në moshën 60 vjeçare. Shumë njerëz të suksesshëm, në moshën e pensionit, ndjejnë një lloj zbrazëtie. Në momentin që grumbulllon përvojën e një jete, njeriu ka dëshirë të eksperimentojë dhe të gjitha njohuritë t’i vendosë në shërbim të një profesioni të ri. 



Çfarë mund të ofrojë një profesionist në moshë, që një i sapodiplomuar nuk mundet? 


Ne jemi në gjendje të ofrojmë dekada përvoje. Ne jemi rregullatorë. Përvoja jonë është shumë e vlefshme për të rinjtë. Menaxhojmë më mirë kohën, pasi e vlerësojmë ndryshe atë. Sigurisht që kur krahasoj veten time në këtë moshë dhe veten time 22 vjeçe shoh një hendek dhe një ndryshim të jashtëzakonshëm. Sigurisht, ka gjëra që të rinjtë i bëjnë më mirë. Një ndër to është teknologjia. Fillimi ishte i ngadaltë për mua, por me punë dhe dëshirë gjithçka arrihet. 



A ju kanë stigmatizuar ndonjëherë për faktin që zgjodhët ta ushtroni këtë profesion relativisht vonë? 


Në të vërtetë më ka ndodhur e kundërta. Ne kemi një status të lartë në sy të të tjerëve. Kjo zgjedhje më ka ofruar respektin e shumë njerëzve. Shumë prindër kërkojnë që fëmijët e tyre të jenë pjesë e klasës sime. Jam e surprizuar!

Çfarë mendimi keni për ato njerëz që zgjedhin të kalojnë jetën duke ushtruar vetëm një profesion? 


Ne kemi frikë nga fillimet. Në momentin që jemi rehat në një punë, nuk marrin kurajon ta ndryshojmë atë. Mendojmë se në një punë të re do jemi pa përvojë dhe do ndihemi keq përballë kolegëve. Në fakt çdo ndryshim të rrit. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të fillojnë nga e para në çdo moment. Nuk e kuptoj përse mosha mund të jetë pengesë për shumë njerëz. Punëdhënësit gjithashtu duhet të jenë më të hapur, pa paragjykime. Potenciali i një njeriu nuk varet nga mosha. 



Çfarë këshille do t'i jepnit dikujt që po mendon të bëhet mësues? 


Nëse mendoni se mësuesia është thjesht një hobi, e keni gabim. Kushdo që e merr këtë vendim, duhet t’i dedikohet këtij profesioni. Dedikimi është çelësi i suksesit në mësimdhënie. Nëse je mësues nuk resht kurrë së mësuari. Mësuesi ndryshon jetë nuk është një klishe. Të gjithë ne i kujtojmë mësuesit e preferuar. Kjo do të thotë që ne kemi një ndikim shumë të madh tek të tjerët. 




Burimi: https://www.peoplemanagement.co.uk/voices/interviews/lucy-kellaway-people-should-start-over-again-any-point?fbclid=IwAR0K8_ZnVrcqtjl9N89pgayXS_q-j0Xn151P977UxcashoaaNyt5_b1-BAY


Përktheu Parajsa Shtini

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,954 Lexime
3 vjet më parë