Matematika, dashuria më e madhe të jetës së saj!

Dhe trofetë pasojnë njëri-tjetrin: fiton çmime në Olimpada të rrethit, në Elbasan e Durrës për të vazhduar pastaj me shumë çmime në Olimpiada Kombëtare e Ndërkombëtare

Kjo është Ana Peçini. Mund ta keni ndeshur në rrugë. Mund të jeni ulur në një kafe pranë saj, por kaq. Ju nuk e njihni Anën. Për Anën nuk flasin gazetat. Nuk është në qendër të thashethemnajave mediatike...sepse...sepse Ana nuk përbën lajm. Por Ana e vogël, në të vërtetë është Ana e madhe.

Imcake dhe paksa e brishtë për 18 vitet e saj, Ana tanimë ka hyrë në rrugën e matematikës, të cilën e quan dashurinë më të madhe të jetës së saj.

E ardhur nga një familje me tradita në fushën e arsimit, Ana spikat në matematikë që në klasë të gjashtë, kur shpallet fituese e vendit të parë në Olimpiadën e Matematikës në shkallë rrethi. Ishte viti 2009.

Nën kujdesin e nënës së saj, Dianës, një nga mësueset më të suksesëshme të matematikës në rrethin e Elbasanit, Ana nis rrugën e mundimshme mes shifrave...por që shumë shpejt do t’i kthehet në një mënyrë argëtimi, për të arritur në ditët e sotme, kur siç shprehet edhe vetë: nuk do të dinte ç’të bënte, nëse nuk do të kishte numrat përqark botës së saj.

Dhe trofetë pasojnë njëri-tjetrin: fiton çmime në Olimpada të rrethit, në Elbasan e Durrës për të vazhduar pastaj me shumë çmime në Olimpiada Kombëtare e Ndërkombëtare. Merr pjesë në Ballkaniadë dhe përfaqëson Shqipërinë në Botërorin e Tailandës, ku vlerësimi bëhet në grup, duke prezantuar shumë denjësisht Shqipërinë. Bashkangjitur janë vetëm disa nga çmimet që ajo ka fituar sepse ato janë shumë. Modestisht po sjellim më të fundit.

Por nuk është vetëm matematika sfida e Anës. E aspasionuar pas shkencave Ana merr pjesë edhe në Olimiadën e kimisë duke fituar edhe aty çmimin e parë. Sigurisht që nuk mund të mos përmendim edhe traditën e familjes së saj në këtë shkencë: besoj shumë e kujtojnë ende sot profesorin e mirënjohur të kimisë në gjimnazin Dhaskal Todri, zotin Kolë Peçini. Ky gjysh i palodhur ka injektuar pasionin e tij për kiminë tek mbesa që me sa duket nesër do të jetë emër i fortë në fushën e shkencës.

Njohëse e mirë e disa gjuhëve të huaja, Ana Peçini, përdor me elokuencë dhe elgancë shqipen. Dhe si për ta përmbyllur plotësinë e saj fiton vend të parë edhe në një kompeticion me ese, në shkallë rrethi.

Tani Ana përgatitet për Maturën Shtetërore. E thjeshtë dhe shumë sociale, vajza me sy të zgjuar, provon të njëjtat emocione si të gjithë bashkëmoshtarët e saj. Punon shumë seriozisht për provimet, i kushton të njejtën vemendje çdo lënde dhe gjen kohë të argëtojë veten mes shokëve e shoqeve.

Po, ajo është Ana që e ndeshim në rrugë çdo ditë, por nuk e dimë që ajo është vajza e matematikës, që ajo është vajza e tri gjuhëve të huaja, vajza e kimisë, vajza e eseve të mençura. Sepse Ana është e thjeshtë, prindërit e saj nuk mburren për vajzën e tyre të mrekullueshme...

Për më tepër...për fat të keq Ana dhe të rinjtë si ajo nuk përbëjnë lajm...Nëse mediat do t’i jepnin ca më tepër hapsirë të rinjve si Ana, me siguri do të kishim gjetur një stimul më shumë për pasionet drejt rrugëve të vështira.

Nesër do të mburremi për këtë vajzë të thjeshtë që mban me aq krenari flamurin tonë kombëtar.

Por, a do ta mbajë flamuri Anën?

Nga Natasha Porocani (Shuteriqi)

3,523 Lexime
8 vjet më parë