RAST SUKSESI

Maturanti shqiptar thyen rekord në Greqi, kalon i pari në universitet

Suksesi i jashtëzakonshëm i të riut shqiptar nuk ka kaluar pa vëmendje nga mediat greke, të cilat theksojnë se rezultati i tij është thuajse i paarritshëm në atë kategori provimi.

Një shqiptar ka dalë i pari në provimet panhelenike dhe kalon i pari me 18. 640 pikë në Politeknikumin e Universitetit Aristotelio të Selanikut, në Fakultetin Inxhinieri Ndërtimi. Bëhet fjalë për maturantin Rahman Lumi me banim në Nea Mudania, Chalkidiki të Greqisë. 


Suksesi i jashtëzakonshëm i të riut shqiptar nuk ka kaluar pa vëmendje nga mediat greke, të cilat theksojnë se rezultati i tij është thuajse i paarritshëm në atë kategori provimi.


Ato provime janë të detyrueshme për të siguruar një vend në auditoret e larta shtetërore, që është shumë i komplikuar dhe kompetitiv: në dy nga 5 provimet është vlerësuar me notën maksimale e tepër të rrallë 20, ndërsa në të tjerat mbi 18.5.


Megjithatë, Rahman është shprehur me modesti në median greke se mezi pret të jetojë ëndrrën e çdo nxënësi, që nuk është tjetër veçse “jeta studentore”. Gjithashtu, ka deklaruar se ishte një vit i vështirë, me shumë sakrifica, por ja vlente mundimi. Rahman Lumi kishte dhe një mesazh surprizë për të cilin është përgëzuar shumë dhe nga media greke.


Ai ka theksuar se ndoshta do të largohet nga Greqia për një master, por ndryshe nga të rinjtë vendas që braktisën atdheun gjatë krizës, do të donte të jetonte e punonte në Greqi, vendin ku emigruan prindërit e tij, ku u rrit dhe tashmë ka shansin të realizojë gjithë ëndrrat.



(Portali Shkollor)

4,555 Lexime
4 vjet më parë