Aktivitet

Mbrëmje galaktike - Promovohet “Infiniti Blu” i Mimoza Hafizit

Në praninë e kolegëve e miqve dhe nën vëzhgimin e disa galaktikave të largëta, si dëshmuese të paanshme të pafundësisë marramendëse që na rrethon, është promovuar romani artistiko-shkencor “Infiniti Blu” i autores astrofizikane Mimoza Hafizi, i sjellë nga shtëpia botuese Albas.

Në praninë e kolegëve e miqve dhe nën vëzhgimin e disa galaktikave të largëta, si dëshmuese të paanshme të pafundësisë marramendëse që na rrethon, është promovuar romani artistiko-shkencor “Infiniti Blu” i autores astrofizikane Mimoza Hafizi. 


I sjellë nga shtëpia botuese Albas, “Infiniti blu” është një roman shkencor i lëvruar shumë pak në letërsinë shqipe, por shumë i nevojshëm për t'ua bërë të dashur lexuesve astronominë dhe fizikën.


Gërshetimi i të dhënave shkencore për infinitin dhe pafundësinë e bën librin shumë tërheqës, teksa lexuesi fiton informacion të pasur shkencor ndërthurur me rrëfimin artistik.


Romani u jep përgjigje pyetjeve rreth pafundësisë dhe përjetësisë, nëpërmjet personazheve inteligjente, të cilët i njohin mjaft mirë të fshehtat e planetit tonë të brishtë.




Aktiviteti i promovimit, i zhvilluar në Akademinë e Shkencave, ka bërë bashkë pjesëmarrës të larmishëm, kolegë universiteti të autores, akademikë, mësues shkollash të mesme, ish-studentë të saj në vite, bashkëstudentë të dikurshëm në universitet, të rinj të pasionuar për shkencën, ndonëse jo studentë të shkencave, miq të afërt etj. 


E ndodhur në këtë panel të veçantë, botuesja dhe poetja Rita Petro shprehu kënaqësinë e saj për këtë promovim. 

“Me botimin e romanit Infiniti Blu çelim një zhanër të ri në letrat shqipe, atë të popshkencës, i lëvruar tashmë në botë. Karakteristikë është që ngjarjet dhe personazhet janë reale, ndërthuren me gjithë pjesën tjetër të shkencës. Por në shumë pjesë të romanit ka gjithashtu edhe poezi dhe imagjinatë dhe siç thoshte Ainshtajni: ‘Shkencëtari nuk është shkencëtar, nëse nuk ka imagjinatën e poetit’”, është shprehur kështu botuesja Petro.


Vetë autorja Mimoza Hafizi, e emocionuar për këtë botim të veçantë, ndër të tjera ka folur mbi trajtesën e romanit. 

“A është e pafundme Bota? Apo veç një strukturë gjigante, krahasuar me përmasat tona të vogla. Dhe diku mbaron. Si mbaron? Apo ka universe të tjera, që kurrë s’do të kemi mundësi t’i eksplorojmë. A ka pasur dikur një fillim? A do të ketë dikur një fund? Apo Bota ka qenë dhe do të jetë e përjetshme. Sa imët mund ta copëtojmë lëndën? Pafundësisht? Apo ka një stad ku copëzimi ndalet. Këto pyetje mbërrijnë prej mijëra vitesh larg. E kush qe ai që erdhi në këtë botë dhe nuk i shkoi të paktën një herë ndër mend pyetjet që unë sapo lexova. Kanë rendur e rendin nëpër polemika filozofë e mendimtarë, shkencëtarë e teologë, astrologë e humanistë, poetë e logjikanë, matematikanë e fizikanë. Përkufizojnë, arsyetojnë, analizojnë e deduktojnë, demonstrojnë, meditojnë, deklarojnë e shpjegojnë, shqyrtojnë e ilustrojnë, kundërshtojnë e miratojnë, debatojnë dhe dëgjojnë. Hedhin hipoteza, ngrenë parime, ndërtojnë aksioma, japin prova, sulmojnë me sofizma e tjerrin silogjizma, krijojnë konfuzione dhe iluzione, nxjerrin mësime, bëjnë propozime, shmangin spekulime. Por, pyetjet prapë aty janë. Askush nuk e ka cekur ende finishin. Këto përgjigje i kërkon dhe Marina e romanit tim, një vajzë e heshtur, e ndrojtur, por e vendosur dhe eksploruese, e ndjeshme por guximtare, dhe aq racionale, sa të mos i vrasë të gjitha mendimet e saja mistike. I kërkon përgjigjet për të sfiduar ato fuqi, të cilat pa mëshirë ia morën të atin, në fundin e një sëmundjeje të rëndë. Pafundësia e tërheq si ylli polar, asaj ia beson orientimin”, ka thënë autorja Hafizi, duke ia lënë pjesën tjetër të trajtesës së romanit “Infiniti blu”, lexuesve që do ta kenë në duart dhe në bibliotekën e tyre këtë libër.

Nga ana tjetër redaktorja e këtij romani popshkencë, Natasha Pepivani, gjatë fjalës së saj në këtë promovim është shprehur kështu: 

“Mendoj që si zhanër i tillë, romani do të jetë shumë interesant për lexuesit. Shpresoj që të kemi bashkëpunime të tjera në këtë lloj drejtimi, që gjëra të shkencës të vijnë bukur dhe ëmbël te lexuesi, në mënyrë që ta dashurojë shkencën.”


(Për më tepër librin e gjeni në këtë link https://www.librarialbas.al/infiniti-blu?search=infiniti


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,221 Lexime
2 vjet më parë