SHKRIM KRITIK

Mbreti pa hundë dhe Matura Shtetërore

Të gjithë ne nuhasim mirë kur një infermier, doganier apo punonjës administrate na sjell vërdall për orë të tëra, mirëpo kjo nuhatje na mungon kur bie fjala për provimet e fëmijëve tanë...

Në një mbretëri jetonte një mbret i cili sundonte prej vitesh, ai shquhej për pushtetin dhe famën e vet... Mirpo papritur sëmuret nga një sëmundje e rëndë, e cila po e mundonte tej mase. Mjekët e vet pasi u mblodhën ku ishin e ku s'ishin më të mirët, siç ndodh në këto raste, vendosën që për të shpëtuar jetën e mbretit duhej që t'i presin hunden...dhe kështu ndodhi, mbretit iu pre hunda... Tani gjendja e tij shëndetësore është e mirë, mirpo doli një problem tjetër, oborrtarët janë me hundë dhe mbreti pa hundë...Që të mos ndihej keq, mbreti nxorri një VKM sipas së cilës iu duhej prerë hunda, jo vetëm atyre që janë gjallë, por edhe çdo foshnje që lind në mbarë mbretërinë. Dhe keshtu ndodhi, tani në mbretëri janë të gjithë pa hundë. Pas shumë vitesh... Në mbretëri vjen një njeri me hundë nga një mbretëri tjeter, njerëzit filluan t'a përbuzin duke thëne “ua ky me hundë....” 


1) Sot të gjithë, ne jemi pa "hundë",  pa atë hundën që ndjen apo nuhat aromën e një brezi të djegur...

 

2) Të gjithë ne nuhasim mirë kur një infermier, doganier apo punonjës administrate na sjell vërdall për orë të tëra duke na marrë rryshfet për shërbimin, madje jemi të bindur se këta e kanë gabim duke përmendur emrin e dikujt që tek tuk është i drejtë...mirpo, kjo nuhatje apo perceptim na mungon kur bie fjala për provimet e fëmijëve tanë, të gjithë prindërit sulmojnë ndonjë mësues me hundë, i cili nuk lejon që nxënësit të kopjojnë (vjedhin) dhe vlerësojnë atë shumicë pa hundë që bëjnë kasphanën e një shoqërie...


3) Dihet fare mirë që një brez fëmijësh të pamotivuar, të painteresuar dhe të papërgjegjshëm po rriten dhe po arsimohen duke vjedhur dijen dhe po kështu kur këta të jenë infermierë, policë, gjykatës apo doganierë nuk do ketë Vetting që t'u vendosë hundë, atë hundë që nuhat aromën e një brezi të djegur.


4) Mos ua prisni hundët asaj pakice që jetojnë mes jush, sepse ndodh që nga një farë e mirë të mbijnë filiza jete për të ardhmen. 


5) Nëse nuk ke hundë të paktën mos e përbuz atë që ka! Mos e duartrokit të kotën! Nëse nuk arrin të gjithën mos e lër të gjithën! Bëhu pjesë e pakicës, mos u bër pjesë e njerëzve pa hundë. 



(Portali Shkollor)

5,720 Lexime
4 vjet më parë