Më 17 qershor hapet Panairi i 26-të i Librit në Prishtinë, Albas prezanton tituj të rinj dhe serinë “Unë Jam”

Më 17–21 qershor zhvillohet Panairi i 26-të i Librit në Prishtinë. Albas do të prezantojë tituj të rinj, aktivitete kulturore dhe serinë më të re “Unë Jam”, me librin e parë “Unë Jam Majlinda Kelmendi”. Një festë e librit që nuk duhet humbur!

Më 17 qershor do të hapë dyert edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Prishtina 2026”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare. Me moton “Libri hap botën”, panairi do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe do të qëndrojë i hapur për vizitorët deri më 21 qershor.


Ceremonia zyrtare e hapjes do të mbahet më 17 qershor, në orën 12:00, ndërsa gjatë pesë ditëve të panairit pritet të marrin pjesë rreth 100 botues shqiptarë, të cilët do të prezantojnë afro 2000 tituj të rinj dhe rreth 6000 tituj të botimeve të viteve të fundit.


Edhe këtë vit, Albas Prishtinë do të jetë pjesë e panairit me një gamë të gjerë botimesh për fëmijë, të rinj dhe të rritur, si dhe me titujt më të rinj të shtëpisë botuese. Vizitorët do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete kulturore, promovime dhe takime kushtuar librit dhe leximit.

Një nga risitë që do të prezantohet gjatë panairit është seria më e re “Unë Jam”, e cila hapet me librin “Unë Jam Majlinda Kelmendi”. Botimi sjell historinë frymëzuese të kampiones olimpike kosovare, duke synuar të motivojë brezat e rinj përmes shembujve të suksesit dhe përkushtimit.


Programi i panairit përfshin mbi 40 aktivitete kulturore, promovime librash, diskutime dhe takime me autorë vendas e ndërkombëtarë. I ftuar nderi i këtij edicioni do të jetë shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini. Organizatorët presin që panairi të vizitohet nga rreth 30 mijë qytetarë, studentë dhe nxënës, ndërsa hyrja do të jetë pa pagesë.


Nga 17 deri më 21 qershor, Pallati i Rinisë në Prishtinë do të shndërrohet në një pikëtakim të autorëve, botuesve dhe dashamirësve të librit, duke e kthyer edhe një herë librin në qendër të jetës kulturore të qytetit. 


Albas fton të gjithë lexuesit të vizitojnë stendën e saj dhe të bëhen pjesë e kësaj feste të madhe të librit.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

95 Lexime
9 orë më parë