GREVA NË ARSIMIN KOSOVAR

Më falni nxënësit e mi të dashur!

Pa Arsim s’ka Kosovë dhe pa Kosovë s’ka Arsim. Arsimi është jeta e të gjithë ditëve tona. Përpiqem të kuptoj sesi do të ua shpjegoj grevën nxënēsve të mi 8 vjeçar: Ilirit, Teutës, Dardanit, në emrat e të cilëve, rrjedh kujtesa historike e Atdheut tim.

 "Përpiqem të kuptoj se si do të ua shpjegoj nxënēsve të mi 8 vjeçar: Ilirit, Teutës, Dardanit....në emrat e të cilëve, krejt shqip, rrjedh lumë kujtesa historike e popullit dhe e Atdheut tim"


18.1.2018 

Ditët e kësaj jave kaluan, jo ashtu si i kisha planifikuar. Kisha bërë planin si do të takohesha me nxënësit e mi, të dëgjoja zërin e zhurmën e tyre, duke folur e buzëqeshur për takimin e sërishëm në shkollë. Ka shumë vite që punoj mësuese. Vitet e pas luftës më mësuan diçka te re në arsimin kosovar që nuk e prisja: “Greva”. 


Grevën e kisha përjetuar edhe më parë, në vitet para luftës: grevat e minatorëve, grevat e punëtorëve, grevat e studentëve, grevat e gazetarëve, e protesta për të shprehur pakënaqësi ndaj diskriminimit të egër që i bëhej popullit tim, por edhe punën madhore dhe sakrificën e mësimdhënësve për ta përmbysur robërinë serbe nga shkollat tona. Dënimet, persekutimet, burgosjet, lufta, masakrat...e të gjitha këto na sollën përjetime të frikshme, trishtuese, dhe të dhimbshme. E fituam lirinë, pavarësinë e Kosovës, atdheut të dashur.


Si shumica e shqiptarëve të dëbuar nga Kosova isha edhe unë, bashkë me familjen time. Liria e Kosovës na gëzoi pa masë edhe pse kishim shumë plagë dhe vuajtje nga lufta. Një fillim i ri në formimin e shtetit. Zhvillimin e tij e mendoja një lulëzim të hovshëm ekonomik, arsimor e shëndetësor. Çdo herë kur nisesha për në punë përjetoja gëzim e dashuri. Grevat po përsëriten në arsim, po shkaku i kësaj gjendjeje të rëndë ku dhe kush është........?


Pasojat janë të mëdha dhe të pazëvendsueshme për fëmijët shkollarë. Greva, ah greva! Kujt i ra ndërmend për këtë fenomen në Kosovën e lirë. Ç’faj kanë fëmijët që shumica e kanë të panjohur këtë term? A s’kemi mënyra tjera në realizimin e kërkesave? Përpiqem të kuptoj se si do të ua shpjegoj nxënēsve të mi 8 vjeçar: Ilirit, Teutës, Dardanit....në emrat e të cilëve, krejt shqip, rrjedh lumë kujtesa historike e popullit dhe e Atdheut tim. 


A thua do ta kuptojnë drejtuesit e Kosovës sime se pa Arsim s’ka Kosovë dhe pa Kosovë s’ka Arsim. Arsimi është jeta e të gjitha ditëve tona. Është shpirti i shtetit tim të ri. A thua do të mund të arsyetoj te nxënëst e mi mungesën time në klasë, se numrat prej 1-12 nuk janë renditur mirë?! Ndoshta kur të rriten do ta kuptojnë. 


Më falni nxënësit e mi të dashur!


(Nexhmije Osmani, Kosovë, Portali Shkollor)

4,367 Lexime
5 vjet më parë