Reflektim

Menaxhimi i klasës, raste praktike

"Si mësues i gjuhës shqipe më duhet të përballem çdo ditë me 70 nxënës. Kam planifikuar strategjinë me të cilin do t’i përballoj, motoja e së cilës është 'E keqja mundet me të mirë', e shoqëruar ndonjëherë me politikën e 'kulaçit e kërbaçit'". Shkrim nga Luan Stafasani.

Në kuadër të kualifikimit të brendshëm si dhe detyrimit për të mbajtur kumtesa përpara kolegëve kam zgjedhur si temë “Menaxhimi i klasës”. Gjithmonë më ka intriguar ideja e menaxhimit të nxënësve në klasë e po ashtu vlerësojmë ndarjen e eksperiencave të mësuesve me njëri-tjetrin në këtë fushë e për këtë temë e gjithmonë kam ndjerë një lloj bezdie ndaj mentorëve të arsimit në qendër e në bazë tek rreken të na kualifikojnë me materiale të përkthyera nga literatura e huaj.“E lehtë të lëshosh receta, e vështirë është të merresh vesh me njerëz” -do thoshte Kafka. Rregulli i shkrimit të një teksti e kërkon përkufizimin e gjësë për të cilën do të flasësh e kështu do duhet të them se në mënyrë të thjeshtëzuar termi menaxhim do të thotë udhëprirje, drejtim, organizim i PME. Mirëpo përveç aftësisë që unë si mësues duhet të kem si menaxhues i klasës, para së gjithash duhet të menaxhoj së pari veten time. E keqja e punës larg qendrës së banimit shoqërohet dhe me të mirën e saj që gjatë kohës që unë përshkruaj udhën me makinën time, bisedoj me alter egon, që gjendet te secili prej njerëzve.


I them vetes se profesionin e ke zgjedhur me mend si pasion,si misionar,jo thjeshtë si rrogëtar. Mund të ishe bërë shumëçka, por zgjodhe rolin e mësuesit, ndaj s’të mbetet veçse ta interpretosh sa më mirë ketë rol. Roli kërkon përqendrim. Profesioni i mësuesit më bën nder, më jep mundësinë të jem në vëmendje të komunitetit. Gjithçka që s’lidhet me profesionin e misionin tim do ta lë jashtë portës së shkollës.


“Janë nxënësit, pa jemi ne” -them shpesh mes kolegëve të mi. Çdo ditë lexoj poezinë “Në mundsh” të Kiplingut dhe letrën e presidentit amerikan Linkoln, drejtuar mësuesit të djalit të tij. Në punën time më prin thënia e Hygoit: “Ndërgjegjja është zëri autentik i Zotit”.


Klasat ku jap mësim kanë në përbërje 70 nxënës, të cilët vijnë më së shumti nga fshatra të ndryshëm që rrethojnë qytetin e Klosit. Nxënësit përfaqësojnë kultura të ndryshme rurale, bartin problematika të mprehta sociale të familjeve të tyre si: emigracioni, papunësia, varfëria e thellë, divorci, alkoolizmi apo kumari. Si rrjedhim këto klasa dallohen për nivelin e ulët mësimor e kulturor dhe jo rrallë paraqesin probleme që lidhen me mirëmenaxhimin e klasës.


Si mësues i gjuhës shqipe më duhet të përballem çdo ditë me ta. Kam planifikuar strategjinë me të cilin do t’i përballoj, motoja e së cilës është “E keqja mundet me të mirë”, e shoqëruar ndonjëherë me politikën e “kulaçit e kërbaçit”. Si fillim i përshëndes miqësisht, i numëroj me sy, hedh mungesat duke u interesuar rreth arsyeve të mungesës së tyre, madje kur vijnë u them se e kemi ndjerë mungesën e tyre. Pasi kam marrë mungesat, para se të fillojmë me temën e mësimit, i falënderoj për vëmendjen që do t’i kushtojnë orës së mësimit. Kjo mënyrë të thëni që ia drejtoj ndonjërit që nuk është “online”, kam vënë re se është shumë motivuese dhe i bën nxënësit të vëmendshëm. Mundohem t’i angazhoj të gjithë në punë sipas nivelit që përfaqësojnë. Duke lëvizur vazhdimisht në bankat e nxënësve e kam më të lehtë t’i menaxhoj. Kur dalloj dikë se po merret me gjëra pa lidhje me orën e mësimit, i them se nuk është vendi e koha për këto gjëra. Ka ndodhur ndonjëherë të ketë debate të ashpra dhe mes dy nxënësve. Jam ndalur dhe kam kërkuar të qetësohen e të përpiqen të arsyetojnë. Shpesh ju kujtoj dhe motivin e një poezie të Camajt: “Në fjalë sqarohen dhe toka e qielli bashkë, e jo më njerëzit”.


Vetë lënda e letërsisë me komentet e pjesëve më mundëson pëqasjen e ngjarjeve e personazheve me realitetin ku jetojmë. Herë pas here kur vërej ndonjë shmangie, shpërqëndrim a ndërhyrje të pa vend, ju kujtoj se jam duke bërë punën time. Po flas për ta e kështu që meritoj respekt e korrektesë, nëse do t’i kem ato prej tyre sigurisht do t’ju kthehen, në të kundërt pala që humbet më së shumti janë ata. Në përparësitë e punës sime janë po ashtu rregullat dhe kërkesat e lëndës e të miat si mësues. Përpiqem që krahas rregullimit të ambientit në mënyrë sa më të pranueshme të nxis debatin konstruktiv mes nxënësve në lidhje me çeshtjet e mësimit. Madje jo rrallë ju them se roli i mësuesit është si i menaxherit të orës së mësimit, që konsiston në krijimin e një klime të ngrohtë komunikimi, mbajtjen e rregullit të fjalës, qartësimit të përgjigjeve të sakta, angazhimit të të gjithë nxënësve pa rënë në grackën e braktisjes së fshehtë. Po fjala e parë ju takon atyre. Metaforën: “Mësuesi duhet të ketë gojë të vogël e veshë të mëdhenj” e kuptojnë më së miri.


Duket se mësuesi është nga modelet më të rëndësishëm në jetën e njeriut. Ne si mësues përpiqemi të bëjmë më të mirën, sepse edukimi është çelësi i përparimit të një shoqërie. Por ndoshta edhe diçka duhet thënë së fundmi: Të fajësosh mësuesit për mosarritjet e nxënësve është si të fajësosh mjekun për sëmundjen e pacientit. Mësuesit harxhojnë ditën e tyre me edukimin, shpjegimin, kujdesin, vlerësimin e nxënësve të tyre ndaj dhe vlerësimi e respekti i nxënësve, prindërve e shoqërisë për mësuesit duhet të njohë të tjera nivele.



Nga Luan Stafasani

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,594 Lexime
2 vjet më parë