SHKRIM

Mesazhet që përcjellin fëmijët me pafajsinë e tyre

Kushtojini më shumë kohë dhe rëndësi fëmijëve, mos përtoni të shkruani mesazhet që ata përcjellin, qoftë dhe në një ditar të thjeshtë, sa janë të vegjël, sepse ata rriten shpejt dhe fjalët e tyre do të jenë pasuri.

E fundit herë, nuk rri më që t`i bëj detyrat në klasë, flit me mësuesen gjej ndonjë justifikim. Ta gënjej mësuesen, këtë po thua ti ?!...  Bëj çfarë të duash, nuk duroj dot, më mirë i bëj vetëm detyrat në shtëpi e me qetësi. Mirë, ato janë me dëshirë për ata fëmijë që nuk i kanë prindërit në shtëpi dhe kanë çelsin të varur në qafë. Unë nuk do ta gënjej mësuesen, do t`i them të vërtetën, do t`i them mësueses, se ti nuk dëshiron të rrish më dhe ajo do të thotë si të ketë dëshirë fëmija juaj, nuk është me detyrim, edhe pse është projekt.


Çfarë është çelsi i varur në qafë?

Sa kureshtarë që je, disa prej shokëve të tu e kalojnë gjithë ditën vetëm, se i kanë prindërit në punë, ndërsa jashtë shtetit, kanë një moshë të caktuar, se nëse nuk kujdeset prindi për fëmijën, ia merr shteti dhe kujdeset shteti për t`i argëtuar, ose paguan një dado, për shembull në Amerikë po e panë fëmijën, deri në moshën 11 vjeç të pashoqëruar në shkollë, rrugë, shtëpi etj, ia merr shteti fëmijën. Prandaj, komshia që jeton atje, për të mos paguar dadon dymijë euro në muaj për rritjen e fëmijëve të saj, merr prindërit që i ka në prag pensioni, njëherë merr mamin me vizë tremujore, pastaj merr babin po me vizë tremujore, ndërrohen rrugës apo në avion, njërit i mbaron viza tjetrit i fillon. Na bëre për të qeshur tani, po jeta e prindërve ku është? Sakrificat e këtij brezi nuk kanë të përfunduar. 


A ke gjetur ndonjë punë? A ke filluar punë, a ke shpresë të fillosh?

Në punë jam njëzet e katër orë në ditë. A po rris fëmijët e mi. Ju a po shkoni nga këtu në Amerikë, për të mbajtur, rritur fëmijët e fëmijës. 

Mos e zgjat më muhabetin. Jo po ta dish se sa kushton me rrit fëmijë, por kush i ka në listë te ne, disa prej motrave dhe nënave të reja që merren me rritjen e fëmijve, asnjë motivim, përkundrazi disa thonë: “faleminderit, - o Zot që jemi gjallë akoma”, për hir të fëmijëve, nga sjellja e familjarëve të tyre. Pra dhe rritja e fëmijëve përveçse është bekim nga Zoti, është një punë me shumë vlera, por e pavlerësuar. Një edukatore kopshti i tha një prindi një ditë; “Fëmijën tënd mos e lësho nga dora derisa të mbarojë klasën e katërt”. Po pastaj të rrinë prindërit pa punë. Epo tani ose fëmijën ose punën. Duke e rritur vetë dhe shiko se çfarë po të del, jo më ta rrisin të tjerët harroje. 


Genti do t`i kërkoj mësueses që ti t`i bësh detyrat në shtëpi, por me një kusht, nëse i mbaron detyrat dhe mësimet pa ardhur babi nga puna, se edhe ai do qetësi. Po të më dëgjojë babi duke të thënë për detyrat do të zemërohet me ty. Ai thotë : “Genti e di se ajo është detyrë e tij, derisa të rritet atë punë ka dhe detyrat mbarohen”?! Atë detyrë  ke që të mësosh shumë. Dhe një prind në mbledhje prindërish te Cikli i Ulët tha që ja kam bërë të ditur fëmijës që shkolla të duhet, për vete e ke, ja shiko mamin dhe babin që janë punëtorë të tjerëve. Shumë mirë i ke thënë, por duhet t`ia përsërisësh këto fjalë derisa të mbarojë gjimnazin apo derisa ta shohësh se i ka me qejf mësimet, sepse tani s`e kupton sado që t`ia thuash. Është e vështirë të mësosh nuk është e lehtë, por dhe pa lexuar shumë në shtëpi nuk mësohet. 


Një ditë kur isha te nëna, nëna e pyeti mbesën që e ka në klasë të pestë. Çfarë note more sot? Nëntë iu përgjigj ajo. Atëherë, nëse në shkollë shkon për nëntë, harroje shkollën, nuk do të flesh gjumë pa t`i pyetur babi dhe mami të gjitha mësimet. Në shkollë nuk shkohet kot, le të shkojnë ata që duan të mësojnë, ti rri në shtëpi. Përse të lodhet mësuesi, kur disa nxënës nuk duan t`ia dinë, le të lodhet me ata që e duan shkollën. Apo s`është mbushur dhe me projekte kjo shkolla tani, të gjithë inxhiniera e shkencëtarë po na dilni. Krejt dhjeta po ziheni për nota, e humbët dhe talentin atë që ka dorë në një fushë apo në një tjetër, po një projekt; qark elektrik, një hidrocentral, një maket, s`mund t`i bëjnë të gjithë nxënësit, ua bëjnë prindërit disave dhe nxënësi merr dhjetën e prindërve, pu pu pu nota juaj. 


E shikon sa e rreptë është nëna. Ajo do që çdo punë dhe detyrë të bëhet perfekt, jo shkel e shko, sepse siç i bëjmë punët, ashtu po jemi deri tani, pasi s`doli gjë në dritë akoma. 

Shumë bukur i ke përshtatur për fëmijë, poezitë, sepse lexova disa te libri që i dhurove gocës së asaj. Ëhë faleminderit për vlerësimin! 

Kur Arbri ishte i vogël, i thanë, ty të pëlqejnë kafshët do të dërgojmë në fshat, që të bëhesh bari kafshësh. Shumë bukur! - u përgjigj Arbri, por unë kam dëshirë të bëhem bari njerëzish, jo bari kafshësh. Arbri ka qenë rreth moshës pesë vjeç dhe fjalët e fëmijëve janë fjalë engjëjsh. Kjo fjali ka një domethënie shumë të madhe. Kushedi se sa fjali të tjera të tijat do t`i kujtohen. 


Në kohën e luftës, gjenocidit në Kosovë, Armandi ishte rreth 11 vjeç. Mësuesja në Itali po u shpjegonte mësimin e historisë, tema e mësimit ishte “Gjenocidi në Kosovë”, nxënësit do të shihnin një video, se si janë përndjekur, vrarë masakruar gra, fëmijë, pleq, se si janë djegur shtëpitë. Por, Armandi nga Shqipëria e kishte përjetuar drejtpërsëdrejti atë situatë dhe i thotë mësueses në italisht, mësuese të lutem ato skena tragjike unë i kam jetuar dhe përjetuar  vetë, sepse  isha atje në klasë të pestë, e kam provuar unë atë ndjesi tmerruese, prandaj kërkoj që asnjë nga  shokët dhe shoqet e klasës sime të mos e përjetojë një skenë të tillë. E provoi dikush, uroj të mos e provojë askush. Mësuesja nuk e shfaqi videon, ua kurseu shokëve dhe shoqeve të Armandit atë skenë.  


Armandi punon në kufi me Zvicrën, menaxhon linjat hekurudhore të Italisë. Hë budallaqe fëmijët tanë duke rregulluar botën, pse nuk vjen në Shqipëri ai të mirëmenaxhojë/punojë? Ai atje po shkon lart e më lart në atë pozicion pune, e dërgoj prapë shteti italian për specializim, tani është në kufi me Zvicrën. Shteti ynë duhet t`i kërkojë vetë dhe t`i paguajë si duhet Armandin dhe Armandat e tjerë, ata po të vijnë të kërkojnë punë këtu nuk ju ofron kush punë. Mirpo Armandi dhe Armandat e tjerë duhet të thonë unë dua të kontribuoj këtu në këtë fushë.

Mirë mami do t`i bëj  detyrat pa ardhur babi nga puna. Të premtoj. 

Edhe unë të premtoj se nuk do të lë t`i bësh më detyrat në klasë, ti do të bësh si të duash se është dhe dëshirë e jotja, por edhe nevojë, sepse ke nevojë për qetësi. Mos harro se jo të gjitha dëshirat plotësohen, këtë të sotmen do ta marrim si nevojë për qetësi, sepse ti vërtetë nuk e duron zhurmën, ankohesh shumë për sjelljet e shokëve dhe shoqeve, kur bëjnë zhurmë apo shkruajnë emrat në tabelë, kot pa lidhje. Katër orë mësimi janë shumë dhe për mësuesit, jo më për fëmijët, s`duron më truri i njeriut, s`përthith më, si ka vendosur kot rregullat Komenski, po nejse. E ç`janë ata prindër që i dërgojnë fëmijët në shkollat private me një orar aq të zgjatur, gjasme e rehatova, të paktën t`i marrin për drekë në shtëpi, varet dhe nga numri i fëmijëve, por disa prindër janë të detyruar se janë në punë. Pa provoje dhe qëndro ti në një ambjent gjithë ditën, me rregulla dhe strigt si të duket. Kjo është situata fatkeqësisht apo fatmirësisht, ashtu siç po kujdesemi për brezat ashtu dhe do t`i  kemi. E vërtetë se na duhet bukuria dhe estetika, por na duhen njerëzit njerëz si fillim. Edhe diçka tjetër mami, “Kur bëjnë zhurmë, faje dhe gabime fëmijët në shkollë, duhet të dënohet prindi i tyre se nuk i ka edukuar si duhet në shtëpi, kur ishin të  vegjël.” - shton Genti. Shishja 0.5 litërshe fluturoi nga fundi i bankave, dhe rrezikoi t`u binte fëmijëve në kokë, lëre pastaj zhurma sikur plasi një tullumbace, u trembën të gjithë, kur shkon në tualet i bie xhamit të derës me këmbë, rrezikoi veten dhe shokët që ndodhen aty. Kur del jashtë nga klasa shtrin këmbën dhe rrëzon ndonjërin, gjaku nga hundët apo dhëmbët e rinj do t`u dëmtohen, kush të rrëzohet prej tyre. Për këta tipa ka faje prindi, dhe jo mësuesi. Mësues s`është polic, roje as pastrues, mësuesi është mësues, ligjërues dhe udhëzues. Është ndihmës, rregullator, model dhe quhet hero në këtë periudhë ndryshimesh, të rrufeshme. Mësues mos u ndjeni keq, se nxorët një klasë jo të suksesshme, sepse ke prurjet e tilla, nuk është faji juaj, mos u ndjeni keq dhe kur ju ofendojnë me komente nëpër rrjetet sociale, mbase dhe nga kolegët tuaj. Të mirëmenaxhosh fëmijët ka të bëjë me sjelljen në fillim, pastaj vjen mësimi, dija.


Mësuese, a ta bëj dhe një pyetje? Fëmijët e vegjël kujtojnë, se mësuesit i dinë “të gjitha”, por dija s`ka fund.

Patjetër që po! (Ata shpeshherë të befasojnë dhe s`di, as se si t`u përgjigjesh). 

Ku e ka shtëpinë Zoti? Në Shqipëri e ka shtëpinë Zoti?

Po mësuese, edhe në Shqipëri e ka shtëpinë Zoti, se e the vetë, por Zoti e ka shtëpinë në të gjithë botën. Ku ka fëmijë e ka shtëpinë Zoti, ku ka njerëz të mirë e ka shtëpinë Zoti, ku ka mirësi dhe begati e ka shtëpinë Zoti, ku nuk ka grindje dhe sharje e ka shtëpinë Zoti, ku nuk ka luftë e ka shtëpinë Zoti, ku ka paqe dhe qetësi e ka shtëpinë Zoti. 

Pra, mësuese duhet të sillemi mirë, të ndihmojmë dhe ta respektojmë njëri-tjetrin, që ta forcojmë shtëpinë e Zotit dhe mbi të gjitha ta ruajmë dashurinë për shtëpinë e tij.

Si përfundim, kushtojini më shumë kohë dhe rëndësi fëmijëve, mos përtoni të shkruani mesazhet që ata përcjellin, qoftë dhe në një ditar të thjeshtë, sa janë të vegjël, sepse ata rriten shpejt dhe fjalët e tyre do të jenë pasuri.   

Po e mbyll me shprehjen e Sokratit që thotë: “Për një gjë jam i sigurtë, unë di një gjë që s`di asgjë.”



Drita (Gjaci) Topjana, shkruar gjatë praktikës shkollore me fëmijët 2013-2017

5,776 Lexime
5 vjet më parë