METODAT E MËSIMDHËNIES

Mësimdhënia me në qendër nxënësin

Mësimdhënia me në qendër nxënësin nuk e bën nxënësin një robot të bindur, por një partner me një mendim të zhvilluar kritik dhe krijues. Nxënësi aktivizohet në një proces aktiv të: përfshirjes, përshtatjes dhe shpërndarjes së informacionit.

Mësimdhënia është një proces që nuk përfshin në vetvete vetëm një vit shkollor apo një cikël shkollor. Mësimdhënia është një proces i lashtë, ka filluar qysh me komunitetin primitiv, kur prindi i mësonte fëmijës si të përdorte harkun dhe shigjeten apo si të vizatonin diçka në muret e shpellës. Mësimdhënia u përsos me kalimin e viteve, duke arritur tek grekët e lashtë, tek Aristoteli e te tjerë që vunë themelin e një mësimdhënie moderne. 


Çdo periudhë ka qenë me risi dhe trashëgimi në arsim. Çdo kohë ka lënë vulën e pashlyeshme. Nga duart e mësuesve kanë lindur punëtorët, luftëtarët dhe shkencëtarët. Në ditët tona metodat dhe teknikat e mësimdhënies po ndryshojnë me shpejtësi për t’iu përshtatur zhvillimit të vrullshëm digjital të njerëzimit. Metodat e mësimdhënies nuk mund të mbeten pas këtij zhvillimi, pasi në këtë mënyrë shkolla do të bëhej e pavlefshme. 


Siç e dimë, shkolla ka pikësynimin e saj kryesor edukimin e gjithanshëm të brezit të ri për të ardhmen, nëse zhvillimi i botës shkon ndesh me shkollën, e ardhmja nuk është e garantuar.  Ndaj edhe siç thamë më lart metodat e mësimdhënies po ndryshojnë e zhvillohen me shpejtësi.


Sot një nga metodat kryesore të kësaj mësimdhënie është “Mësimdhënia me në qendër nxënësin”, e cila është një metodë që i përgjigjet më me realizëm sfidave të kohës sonë. Mësimdhënia e para disa viteve ka qenë një mësimdhënie tradicionale. Nëse do të ballafaqonim të dyja mësimdhëniet, do të shihnim disa ndryshime thelbësore:


Mësimdhënia  tradicionale: Mësimdhënia me në qendër nxënësin:
Mësuesi shpjegon Mësuesi drejton, orienton, udhëzon
Nxënësi dëgjon Nxënësi përfshihet vepron
Mësuesi pyet Mësuesi i vendos nxënesit të bëjnë pyetje
Nxënësi përgjigjet kur e pyesin Nxënësi bën pyetje dhe kërkon përgjigje
Mësuesi flet Mësuesi bisedon, diskuton, shkëmben ide
Nxënësi riprodhon Nxënësi diskuton, arsyeton, argumenton
Mësuesi vlerëson Mësuesi i përfshin nxënësit në vlerësim dhe vetëvlerësim
Mësuesi komandon Mësuesi menaxhon, organizon


Nisur nga të dhënat e tabelës së mësipërme vërejmë se, në mësimdhënien tradicionale roli i mësuesit përfshin kohën më të madhe të mësimdhënies. Ai është i pranishëm me të folur dhe pyetje gati në 70% të orës mësimore, ndërsa në mësimdhënien me në qendër nxënësin këto raporte në mos përmbysen, bëhen të barabarta. Ajo që bie në sy në mësimdhënien me në qendër nxënësin është komunikimi dhe ndërveprimi, mësuesi dhe nxënësi tashmë bëhen “partnerë” në mësimdhënie dhe mësimnxënie.  


Duke lexuar më lart dikush mendon se në mësimdhënien me në qendër nxënësin roli i mësuesit pakësohet ose zbehet. Në të vërtetë nuk është kështu: roli i mësuesit në këtë mësimdhënie bëhet më efektiv se më parë, kur nxënësit vetëm dëgjonin dhe mësuesi vetëm fliste. 


Para së gjthash mësimdhënia me në qendër nxënësin nuk e bën nxënësin një robot të bindur, por një partner me një mendim të zhvilluar kritik dhe krijues. Nxënësi aktivizohet në një proces aktiv të: përfshirjes, përshtatjes dhe shpërndarjes së informacionit. Ai mëson të seleksionojë këtë informacion, të analizojë sjellje, veprime e situata, si edhe të argumentojë e të mbajë qëndrime të caktuara ndaj tyre. Sa më të aftë të jenë nxënësit në përvetësimin e qëndrimt kritik dhe krijues, aq më të përgatitur do të jenë ata për t’i përballuar sfidat e kohës të sotme dhe të asaj që po vjen. Në kohën e kaluar, nxënësi kishte detyrë të mësonte dhe pas mbarimit të shkollës e kishte të sigurt një vend pune. Sot koha ka sjellë sfida më të mëdha, njeriut i duhet të përgatitet për më tepër se një punë, i duhet të përgatitet për informacionin që sa vjen dhe zgjerohet, të përgatitet për digjitalizimin që hyn në çdo qelizë të jetës së përditëshme. Një njeri i shkolluar në mënyrë të ngurtë nuk mundet të përballojë me sukses. Njeriut i duhet të përgatitet dhe të mësojë gjatë gjithë jetës.


Një prej metodave të mësimdhënies me në qendër nxënësin është edhe mësimdhënia e mbështetur në parimet e edukimit global. Në një botë që ka një gamë të gjerë zhvillimi, njeriu duhet të jetë aktiv. Bota po bëhet gjithmonë edhe më e vogël në përmasën e komunikimit. Interneti po na sjell tek pragu i shtëpisë vende e ndodhi shumë të largëta dhe njeriu tashmë po e sheh veten si “qytetar global”. Si i tillë ai duhet të përballet dhe përfshihet në sfida mjedisore dhe shoqërore.


Aspekti i tretë që përfshin mësimdhënien me në qendër nxënësin është edhe “Mësimdhënia e integruar dhe të mësuarit me tema”. Kjo lloj mësimdhënie bazohet në koncepte gjithmonë e më të përdorshme si: “Mësimdhënie ndërdisiplinare”, “Mësimdhënie tematike”, “Kurrikul e integruar”, etj. Kjo lloj mësimdhënie zhvillon shumë të pyeturit tek nxënësit, të cilat duhet të jenë të hapura me hapësira dhe mundësi interpretimi, diskutimi dhe zhvillimi. Puna me tema krijon një gamë të gjerë në mundësinë për formimin e shumanshëm të nxënësit, sidomos në theksimin e mendimit kritik dhe krijues.


Nga sa thamë më lart arrijmë në përfudnimin se “Mësimdhënia me në qendër nxënësin”, është një mësimdhënie që i përshtatet plotësisht sfidave të kohës sonë. Kjo lloj mësimdhënie është një evoluim i dukshëm në krahasim me mësimdhënien tradicionale. Ajo zhvillon të menduarit kritik dhe krijues të nxënësve, i jep hapësirë nxënësit që të shprehet për mendimet dhe opinionet e tij, të zhvillojë tema dhe hulumtime që ndërlidhin lëndë të ndryshme. Mësimdhënia me në qendër nxënësin i jep mësimdhënies një hapësirë globale dhe përfshin të gjitha nivelet e klasës në të. Mësimdhënia e mësipërme i jep mësuesit mundësi të zhvillojë teknika të ndryshme dhe t’i largohet ngurtësisë tradicionale, ku një flet dhe të tjerët dëgjojnë. Mësuesi vihet në rolin e një drejtuesi interaktiv, ku fjala e nxënësit nuk është më një përgjigje e thatë, por një bashkëpunim në arritjen e përfundimeve sa më të sakta dhe të pranushme për të gjithë.  


Pra e thënë më shkurt: Metodat e përdorura, efektiviteti i këtyre metodave, shprehitë e zhvilluara e përgatisin njeriun me dije të gjera dhe sidomos praktike për jetën. Kjo metodë e mëson të riun të ekzistojë në mënyrë aktive në një botë globale me mundësi dhe rreziqe të mëdha. Mësimdhënia me në qendër nxënësin është mësimdhënia që i përshtatet në mënyrë më adekuate kohës në të cilën jetojmë dhe perspektivës që presim.



Nga Brikena Kasmi, mësuese në shkollën "Shaban Çollaku"



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

13,554 Lexime
3 vjet më parë