opinion

Mësimi me në qendër nxënësin, çfarë solli realisht në shoqërinë tonë?

Mësimi me në qendër nxënësin solli disa ndryshime, por a kemi gjetur ekuilibrin mes lirisë dhe përgjegjësisë? Një reflektim i thellë mbi krizën e vlerave në shkollat tona, nga gazetarja e çështjeve të arsimit parauniversitar, Nanila Allkja Biçaku.

Nga Nanila Allkja Biçaku


Prej disa vitesh, sistemi ynë arsimor është ndërtuar mbi një parim modern e njerëzor: mësimi me në qendër nxënësin. Në teori, ky është një hap përpara drejt zhvillimit të mendimit kritik, pjesëmarrjes aktive dhe respektit për individualitetin. Por sot, le të pyesim me sinqeritet: çfarë solli realisht ky model në shoqërinë tonë, përtej mureve të shkollës?


Në një vështrim të thellë, duket sikur jemi përballë një krize të re, një krize identitare dhe vlerash. Brezat e rinj, të rritur me idenë se gjithçka duhet të sillet rreth tyre, shpesh nuk e kanë zhvilluar aftësinë për të dëgjuar, për të respektuar autoritetin apo për të kuptuar kufijtë e përgjegjësisë.


Nuk po them se modeli i dikurshëm, ai me mësuesin autoritar (shkumësin dhe dërrasën e zezë),  ishte i përsosur. Shpesh ai model krijonte frikë, pasivitet, madje dhe trauma. Por nga një ekstrem kemi kaluar në tjetrin: nga frika te mungesa e respektit, nga autoriteti te shpërfillja. Ndoshta ka ardhur koha të kërkojmë të mesmen e artë, një ekuilibër që i jep zë nxënësit, por nuk i heq dinjitetin mësuesit.


Në terrenin real, kjo mungesë ekuilibri po përkthehet në pasoja shqetësuese. Dhuna në shkolla është shtuar, bullizmi po kthehet në plagë sociale, dhe shpesh dëgjojmë për konflikte që përfundojnë tragjikisht. Rasti i fundit në një gjimnaz në Kamëz apo ngjarjet në shkollat e Tiranës janë vetëm maja e një ajsbergu shumë më të madh.


Shtimi i psikologëve dhe oficerëve të sigurisë është një hap i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm. Sepse nuk po kurohet rrënja e problemit: mënyra si ne, si shoqëri, e kuptojmë lirinë, përgjegjësinë dhe edukimin. Në shumë raste, kemi promovuar një liri të tepruar për të rinjtë, duke harruar se liria pa kufij nuk është zhvillim, por kaos.


Nga kontaktet e mia të përditshme me mësues, prindër dhe nxënës, e ndjej qartë se sistemi po përballet me një lodhje morale. Mësuesit ndihen të pafuqishëm përballë një brezi që shpesh nuk kupton se të jesh "në qendër" është privilegj që kërkon përgjegjësi. Kur përkujdesja, mirëqenia dhe përkushtimi i të rriturve nuk vlerësohen, pasojat janë të pashmangshme, dhe sot po i vuajmë si shoqëri.


Ndërkohë, shumë prindër e kanë keqkuptuar parimin "mësim me në qendër nxënësin". Disa e përkthejnë si detyrim që mësuesi t’i shërbejë fëmijës “pronto”, nën urdhra, pa reflektuar se bashkë me shkollën janë edhe vetë bashkautorë të edukimit.


Në vend që të forcojmë aleancën mes shkollës dhe familjes, shpesh krijojmë një ndarje që ushqen mosbesim dhe konflikt.


Në këtë terren, nuk mungojnë as fenomenet që kalohen nën heshtje: adoleshenca e hershme, sjelljet problematike, mungesa e komunikimit. Mësuesit e përmendin me shqetësim, por zëri i tyre mbetet i padëgjuar.


E dëgjoj shpesh shprehjen e hidhur: "Edhe jashtë shtetit ndodhin të njëjtat gjëra". Por kjo nuk është justifikim për të pranuar dhunën, për të relativizuar vrasjen e një fëmije të pafajshëm, për të thënë "është normale". Pyetja është tjetër: ne duam të bëhemi më mirë apo më keq?


Ka ardhur koha për reflektim. Jo thjesht për diskutime në tryeza e udhëzime zyrtare, por për një ndryshim thelbësor në filozofinë arsimore. Duhet të ndërtojmë një kulturë të re respekti e përgjegjësie, ku nxënësi të jetë në qendër, por jo mbi të gjithë.


Sepse një ligj i drejtë sot, ndërton një shoqëri të shëndetshme nesër. Dhe ky duhet të jetë qëllimi i atyre që kanë në dorë fatin e brezave që po rriten sot në bankat tona të shkollës.




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

643 Lexime
3 ditë më parë