Mësues mbështetës apo një rrogë “në shtëpi”?
Në shkrimin që po ndan me ne, Armanda Xhani Baça, ngre alarmin për keqpërdorimin e rolit të mësuesit mbështetës në shkollat shqiptare, duke theksuar se mungesa e kualifikimit dëmton drejtpërdrejt nxënësit me aftësi të kufizuara.
Nga Armanda Xhani Baça
Në shumë shkolla shqiptare, roli i mësuesit mbështetës për nxënësit me aftësi të kufizuara shpesh është keqkuptuar, keqtrajtuar apo, edhe më keq, keqpërdorur. Në vend që të jetë një profesion me përgjegjësi të lartë, që kërkon formim, përkushtim dhe përgatitje të specializuar, shpesh kthehet në një vend pune të dhënë “sa për rrogë”, pa kriter dhe pa vizion.
Nxënësit me AK kanë të drejtën të marrin mbështetjen e duhur, nga profesionistë të aftë, të trajnuar dhe të përgjegjshëm. Por realiteti tregon se jo pak shkolla emërojnë mësues mbështetës pa kualifikimet minimale në arsimin special. Vendin e zënë persona që nuk kanë njohuri për autizmin, çrregullimet e të nxënit, qasjet edukative të personalizuara apo strategjitë e ndërhyrjes. Dhe kur mungon kompetenca, dëmtohet drejtpërdrejt fëmija.
Një mësues mbështetës i pakualifikuar nuk është mbështetje është pengesë.
Ai nuk di si të ndërtojë plane individuale, si të komunikojë me prindërit, si të bashkëpunojë me mësuesin e klasës, as si të menaxhojë situatat e vështira që një fëmijë me AK mund të ketë. Në shumë raste, ata përfundojnë duke qëndruar në klasë pa rol, vetëm për të justifikuar pagesën mujore. Kjo nuk është mbështetje, kjo është papërgjegjshmëri institucionale.
Përderisa disa individë e shohin këtë rol thjesht si një "rrogë e sigurt", fëmijët paguajnë çmimin: ngelen pas në mësime, humbin motivimin, dhe krijojnë varësi të panevojshme. Misioni i mësuesit mbështetës është të fuqizojë fëmijën, jo ta thjesht ta shoqërojë pa qëllim.
Sistemi arsimor duhet të kërkojë standarde të qarta dhe të detyrueshme:
trajnim profesional, certifikim në arsimin special, supervizim të vazhdueshëm dhe vlerësim real të punës. Vetëm kështu, roli i mësuesit mbështetës kthehet në atë që duhet të jetë, një urë drejt të ardhmes së fëmijëve me aftësi të kufizuara, jo një derë e hapur për njerëz të pakualifikuar që kërkojnë një vend pune të lehtë.
Sepse nxënësit me AK nuk kanë nevojë për “dikë në klasë”.
Ata kanë nevojë për dikë që di, që kupton, që punon dhe që i mbështet me profesionalizëm.
“E ardhmja e një fëmije nuk duhet të varet kurrë nga rastësia e një mësuesi të pakualifikuar, por nga përkushtimi i një profesionisti që beson në potencialin e tij.”
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
SMIP dhe Karta e Performancës: Koha për transparencë, automatizim dhe vlerësim real
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit