THIRRJE

Mësuese Alkida Mehmeti: Prindër kujdesuni për fëmijët tuaj, na mbroni edhe ne

Nuk paragjykoj, por kërkoj kujdes! Nëse ju, për fatin tuaj të keq, po kaloni kovidin, mos i lejoni fëmijët tuaj të vijnë në shkollë. Ne, fëmijët tuaj dhe nxënësit tanë, nuk i kemi lenë mbrapa me mësimet dhe detyrat. Ne jemi prezent, ne i kemi mbështetur edhe pse ata nuk kanë qenë në klasë.

Po kalojmë ditë të vështira.

Festat kanë filluar të jenë prezente, por në të njëjtën kohë prezent kemi edhe COVID-19 që tashmë është bërë bashkëjetuesi ynë, që na shoqëron në çdo bisedë.

Më kujtohet entuziazmi i një viti më parë dhe me duket sikur ka qenë një kohë e largët!

Kemi harruar të ëndërrojmë pozitivisht, të organizojmë ato festat madhështore në shkolla dhe qytet, udhëtime me nxënës apo të vizitojmë muze historik, sepse gjithçka është kthyer në frikë, pasiguri...virusi është prezent kudo ku ne jemi.

Jemi larguar nga përditshmëria që kemi jetuar, shprehja e ditës është "Të shpëtojmë kokat" tona.

Me ne bashkëjeton frika për fëmijët që frekuentojnë gjimnazet, shkollat 9-vjeçare, por edhe për vogëlushët e kopshteve, çerdheve.

Fëmijët tanë janë larguar nga përditshmëria e tyre energjike dhe gazmore, aktivitetet sportive jashtëshkollore pjesërisht janë reduktuar.

Fëmijët janë larguar nga këndet e lojërave nga frika dhe pasiguria e virusit që duket sikur po na ruan për të bashkëjetuar në trupat tonë.

Çdo ditë dëgjojmë gjëra të pakëndshme, po humbasim gjyshër, prindër, miq, kolegë, mjek, të rinj. 

Shumë gjëra kanë ndryshuar prej 26 nëntorit të shkuar, kur ra tërmeti dhe më pas u shfaq COVID-19. Ne po endemi mes dallgëve të "mbijetesës". 


Sot këtë shkrim ja kam drejtuar mbështetësve tanë më të mëdhenj, prindërve. 


Mësuesit janë në mbështetje të prindërve, bashkëjetojmë me shqetësimin tyre, ne shqetësohemi për ta, ne nuk duam që fëmijët e tyre dhe nxënësit tanë të jenë të trishtuar.

Disa prej prindërve tashmë për fatin e tyre të keq janë prekur nga COVID-19. 

Ne i kuptojmë, ne i duam fort, ne i besojmë që ata nuk munden, janë duke luftuar me dhimbjen që ka kapluar trupin.

Ndjej  keqardhje të madhe kur në shkollën që fëmijët e tyre frekuentojnë, ata mungojnë për t’i pritur në oborrin e shkollës pas mësimit...

Por fëmijët e duan shumë njëri-tjetrin ata nuk dinë të ruajnë distanca me kohë të gjata, ata i merr malli për përqafimet e miqve të tyre, ata pëlqejnë sendet e njeri-tjetrit, i shkëmbejnë ato dhe kjo padashur mund të kthehet në një transmetues të këtij virusi të frikshëm.

Shkruaj këto pasi më ka ndodhur t’i shoh, t’i përjetoj.

E justifikoj prindin që me të drejtë ndihet i lodhur nga rraskapitja e trupit që dhemb dhe nis me pavetëdije fëmijën në shkollë; por mbështes fort prindër dhe mësues që tregojnë maksimumin e kujdesit, pasi nuk duhet të bëhemi shkak. Të paktën këtë mundësinë e ruajtjes së distancës dhe të higjienës që kemi në dorë, ta mbajmë fort dhe ta zbatojmë.

Nuk paragjykoj, por kërkoj kujdes! 

Ju lutem tregohuni të kujdesshëm! Nëse ju, për fatin tuaj të keq, po kaloni kovidin të mos i lejoni fëmijët tuaj të vijnë në shkollë, për sa kohë ju ndoshta jeni me trajtimin mjekësor. Ne, fëmijët tuaj dhe nxënësit tanë nuk i kemi lenë mbrapa me mësimet dhe detyrat. Ne jemi prezent, ne i kemi mbështetur edhe pse ata nuk kanë qenë në klasë. 

Ne përpiqemi të bëjmë maksimumin që të kujdesemi duke respektuar rregullat për të mos rënë preh e virusit në institucione. Ne po përpiqemi të tregohemi korrekt që të mos bëhemi shkaktarët e përcjelljes së virusit në familjet tuaja. 

Ky detyrim moral i joni, le të zbatohet edhe nga ju. 

Mësuesi në këto ditë të vështira po luan me shumë dashuri dhe dhembshuri rolin e prindit, mjekut, psikologut kundrejt çdo shqetësimi apo pasigurie që nxënësit shprehin nga situata e krijuar.

Ata kërkojnë gjithmonë një përgjigje për çdo pyetje të dëgjuar kuturu në biseda të jetës së përditshme.

Ata duan me këmbëngulje një përgjigje. 

Ata na besojnë Ne. Ata duan të binden që virusi do të kaloj shpejt dhe jeta do të jetë si më parë.

Çdo ditë mësuesit luftojnë me koshiencën dhe subkoshiencën.

Ne mundohemi të jemi të gëzuar dhe të transmetojmë te ata, gjithçka pozitive, dhe u themi se kjo është një ëndërr e keqe dhe e nesërmja do të jetë plotë diell. 


Higjienën dhe rregullat e vendosura t’i praktikojmë me fanatizëm çdo ditë. 

 

Prindër, shumë herë jemi paragjykuar për çdo gjë që keni dëgjuar për Ne; patjetër që stiva me dru ka edhe një dru të shtrembër, kjo nuk mund t’i etiketojë të gjithë. Por këto kohët e fundit është treguar se, të gjithë mësuesit, nga Vermoshi deri në Konispol, të jenë heronj; kemi filluar që në Mars me sfidën e mësimdhënies online dhe deri me sot.

Pas mjekëve, edhe Ne mësuesit kemi një kontribut të jashtëzakonshëm..

Ne nuk ankohemi se jemi të lodhur apo kemi frikë... ne jemi misionar të dijes.

Ne i qëndrojmë betimit të Solemit. 

Ne nuk jemi prezent me fëmijët tuaj vetëm në shkollë, ne jemi edhe gjatë pasditeve kur ata janë në shtëpi me ju...  

Ne jemi çdo ditë me fëmijët tuaj, me Ju, me gjyshërit që na ndihmojnë dhe kujdesen për fëmijët tanë. 

Ne mund të jemi të infektuar të pakonstatuar, por kujdesi jonë duhet të jetë maksimal për të mbrojtur tjetrin. 

Shumë kolegë tanët humbën jetët e tyre në krye të detyrës nga kontaktet në përditshmëri me ju dhe fëmijët tuaj, fëmijët tanë, koleg miq dhe qytetar. 

Ju lutem jini vigjilent. Nëse konstatoni që jeni të prekur, mos i dërgoni fëmijët tuaj në shkolla, pasi ata mund të bëhen rruga për të përcjell te njeri-tjetri virusin dhe rreziku bëhet më i madh, ai mund të jetë më gjatë prezent mes nesh.


Na ndihmoni dhe bashkëpunoni me Ne, tregoheni edhe kësaj here atë kujdesin tuaj dashamirës dhe të pakursyer për të qenë gjithmonë në të njëjtën udhë: mësues, nxënës, prindër!


Shumë kolegë, mësues që u larguan nga kjo jetë para kohe, kanë lënë boshllëk të madh mes kolegësh, miqve dhe në shtëpizat e tyre.

Fëmijëve të tyre u mungon udhërrëfyesi, modeli, prindi i dashur!



Nga Alkida Mehmeti, mësuese e lëndës Histori-Gjeografi-Qytetari, shkolla “Llazar Dashi”, Fier


Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

7,737 Lexime
3 vjet më parë