“Mësuesja që la gjurmë tek unë”

“Mësuese Nexhi, një shpresë dashurie”

Psikologia e njohur Denata Toçe rrëfen për mësuesen që la gjurmë tek ajo. “Kjo letër është për t’i shprehur mirënjohjen time që u dhuroi shpirtërave të humbur në kausin e ditëve të vështira të adoleshentëve shqiptar, një shpresë dashurie.”

Nuk ka ëndërr më të bukur se kur shikon ëndrrën të realizohet. Nuk mendoj se ka lumturi më të paqtë, sesa ajo kur një i rritur realizon vetveten në përputhje me dëshirat e çiltra të zemrës së një fëmije. Nuk ka kapitull libri më tërheqës sesa vitet e edukimit gjatë jetës tënde. 


Gjatë rrugës për të mbërritur këtu ku jam sot, kanë kaluar shumë ngjarje, me ngjyra dhe të zymta. Jeta shkollore, është një nga më bresëlënëset në jetën e njeriut. Ndoshta sepse ndodh më së shumti në moshën e fëmijërisë dhe ndërton te njeriu disa dimensione të karakterit të cilat luajnë rol në personalitetin e njeriut. Aty kam mësuar për herë të parë se si vlerësohen sukseset apo si mëson prej dështimeve. Është kjo rrugë që më ka mësuar të bindem drejt njohurive absolute, por është pikërisht kjo rrugë që më ka frymëzuar të jem rojtarja e shpirtit dhe mendjes sime. 


Mësuesit janë pjesë e pandashme e këtij edukimi. Kur je trup-vogël dhe njomëcak, e shikon mësuesin si një autoritet të padiskutueshëm. Disa prej tyre madje sillen si të këtillë, por disa prej tyre, fatmirësisht, janë pjesa e mozaikut që kaq shumë i ka munguar qënies tënde deri në ato momente. Kur përballesh për herë të parë me ata, mendon se sa të zotë që janë. Mbas shumë pak kohësh, mendon sesa shumë kërkon të jesh si ata. Mbas disa kohësh e gjen veten të frymëzuar prej tyre. Si përfundim, mbas disa vitesh e gjen veten të flasësh për ata si një prej modeleve më të rëndësishme të vetes tënde. Duket sikur disa zgjedhje që ke bërë, i ngjasojnë mendimeve që të përshkruan mëndjen dhe shpirtin gjatë kohës që ky apo kjo mësuese ka qenë pranë jush. 


Kështu ka ndodhur me mësuesen time Nexhin. Ajo është gruaja më e fortë dhe njëkohësisht e brishtë që kam njohur. E mbaj mend herën e parë që hyri në klasën tonë. Ora e parë e mësimit me të. Ishte viti i parë i shkollës së mesme. Një grua e imët, me flokë të zinj, me sy melankolik por që tregonin shumë zgjuarsi, me një fund të gjatë që mbulonte edhe kyçin e këmbëve, me një palë sandale këpucë ngjyrë jeshile e errët, e kuruar lehtshëm tek sytë dhe buzët, sa mjaftonin vetëm dy fjalitë e para të shuanin buzëkuqin e saj të zbehtë. Por këto janë detaje të cilat zbehen shumë shpejt përballë kuptimit të fjalëve të saj të ëmbëla, fjalët e saj motivuese dhe të forta që nguliteshin në mendje për një kohë të gjatë. Aftësia e saj për t’u shprehur, e cila nuk humbiste në monotoninë e lektimit klishe si ajo e disa mësuesëve. Jo, ajo kishte ardhur me një mision shumë të qartë dhe të ndershëm: të na fliste dhe mësonte rreth librit, letërsisë. Ajo kishte ardhur me misionin se fëmijët, adoleshentët ishin vulnerabël dhe do të duhet të kuptojnë më shumë, më mirë dhe më drejtë se kush janë në këtë botë. Ajo ndoshta nuk e shprehu asnjëherë me këto fjalë, por e tregoi çdo ditë të takimit me ne, se na ishte pranë dhe se mund të mbështeteshim tek ajo për të kuptuar më shumë. Deri në ato momente të jetës sime, shumë mësues kishin hyrë dhe kishin dalë. Ata të gjithë kanë vlerësimin dhe respektin tim. Por zysh Nexhi (siç jam mësuar t’i thërras), ishte e diela e një dite jave. Ajo ishte pushimi, paqja dhe qetësia e shpirtërave të vegjël të vitit të parë B. Unë vij nga një shkollë muzike dhe mundësia për të qetësuar shpirtin ishte mes tingujve të muzikës. Por për mua, qetësia vinte nëpërmjet fuqisë së fjalës. Ajo, mësuese Nexhi, ishte fuqia e fjalës në kokën time. Më frymëzoi të kuptoja më mirë rreth fuqisë së librit, rreth autorëve klasik, romantik, rreth poetëve, rreth filozofëve, rreth autorëve të huaj dhe vendas. Ah, sa e donte ajo vendin e saj. Donte autorët shqiptar si Mitrush Kuteli, Petro Marko, etj. Aty mësova shumë rreth jetës së tyre artistike por edhe të jetës mediokre të brylave që ia vështirësuan shpirtin dhe varrin këtyre njerëzve. Ndaj Petro Markon mësova ta dua dhe unë si shkrimtar, pasi lexova shkrimet e tij dhe jetova nëpërmjet letrave dhe zërit të zysh Nexhit jetën e tij. 


E si të mos duash shumë një mësues që arrin të qesh me ty, të gëzojë me ty, të luajë me ty, por edhe të qajë me ty, të brengoset së bashku me ty, të vuaj për ty dhe të të dalë në mbrojtje të trishtimit tënd kur ti je në vështirësi. 


Vitet kaluan, erdhi koha që ajo të mos ishte më në klasën tonë dhe ne të mos ishim më nxënësit e saj. Për disa vite jam munduar t’i çoj një kartolinë mirënjohje për dhuratën që më bëri. Por më pas, rrëmbimi i një jete të shpejtë, më pengoi t’i shkruaja asaj sërisht në festën e mësuesit. Ky rrëfim është për atë. Kjo letër është për t’i shprehur mirënjohjen time që u dhuroi shpirtërave të humbur në kausin e ditëve të vështira të adoleshentëve shqiptar, një shpresë dashurie. Ajo na mësoi ta bëjmë jetën tonë më të mirë. Ajo na dha një qëllim. Ajo po, ishte prindi im i dytë.

Gëzuar festën mësuesja ime e dashur Nexhi!

Me shumë mirënjohje, e jotja, 

Denata Toçe 


(Portali Shkollor)

6,605 Lexime
6 vjet më parë