
“Mësuesit që motivojnë, formojnë” – Një studim i vlefshëm nga pedagogia shqiptare Dr.Rozeta Biçaku Çekrezi
Në një kohë sfidash për arsimin, studimi i Dr. Rozeta Biçaku Çekrezit thekson rolin kyç të motivimit të mësuesit në cilësinë e mësimdhënies. Me përvojë nga Shqipëria në Kanada, ajo mbetet e përkushtuar ndaj formimit të mësuesve të frymëzuar dhe të aftë për kohët moderne.
Nga Redaksia e Portalit Shkollor
Në një periudhë kur sfidat në arsimin formal po shumëfishohen, vëmendja ndaj motivimit në klasë bëhet thelbësore. Një studim i realizuar nga pedagogia shqiptare Dr.Rozeta Biçaku Çekrezi, edhe pse i përgatitur një dekadë më parë, vijon të mbetet plotësisht i vlefshëm për kohën në të cilën jetojmë. Në qendër të tij është marrëdhënia midis aftësive motivuese të mësuesit dhe përmasave të tjera kyçe të menaxhimit të klasës.
Rozeta Biçaku Çekrezi, e cila prej disa vitesh jeton dhe punon në Vankuver të Kanadasë, e ka ruajtur të paprekur përkushtimin ndaj cilësisë në mësimdhënie dhe formimit të mësuesve. Studimi i saj, zhvilluar me mbi 1000 nxënës të shkollave të mesme në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, vlerëson ndikimin e motivimit të mësuesit në tre shtylla themelore të procesit mësimor: zbatimi efektiv i planeve mësimore, njohuritë për lëndën dhe personaliteti i mësuesit.
Çfarë e bën një mësues të vlefshëm sot?
Të dhënat e hulumtimit treguan një lidhje të fortë pozitive midis motivimit të mësuesit dhe:
- Planifikimit dhe realizimit cilësor të mësimit
- Thellësisë së njohurive për përmbajtjen
- Tipareve të personalitetit që ndikojnë në atmosferën e klasës
Në vitin 2025, këto përmasa janë po aq të rëndësishme, në fakt ndoshta edhe më shumë, në një botë ku teknologjia po ndryshon mënyrën se si mësojmë, por roli i mësuesit si nxitës i përfshirjes dhe emocioneve pozitive mbetet i pazëvendësueshëm.
Motivimi si shtytës përtej dijes
Motivimi nuk ka të bëjë vetëm me nota të mira apo respekt ndaj rregullave. Ai është forca që nxjerr përkushtimin nga brenda nxënësit. Mësuesit që dijnë të frymëzojnë, që flasin me pasion dhe që krijojnë një ambient të sigurt psikologjik, janë ata që lënë gjurmë të thella në jetë. Kjo është më shumë sesa një cilësi e dëshirueshme, është një nevojë reale për shkollat moderne.
Mësimdhënia, më shumë se një profesion
Studimi i Rozeta Biçaku Çekrezit ngre pyetjen thelbësore: Si mund ta përgatisim më mirë një mësues për të qenë motivues në klasë? Përgjigjja vjen në formën e vetëreflektimit profesional, zhvillimit të vazhdueshëm dhe vëmendjes ndaj faktorëve emocionalë dhe socialë që ndikojnë në klimën e klasës. Për më tepër, modeli i një mësuesi të përkushtuar dhe të motivuar është vetë shtylla e një shkolle cilësore.
Dr. Rozeta Biçaku Çekrezi, nga auditorët e Shqipërisë në universitetet e Vankuverit
Dr. Rozeta Biçaku Çekrezi është pedagoge e gjuhës angleze dhe eksperte në fushën e mësimdhënies së gjuhës së huaj dhe menaxhimit të klasës. Aktualisht, ajo është pjesë e stafit akademik në University Canada West, në Vankuver të Kanadasë, ku punon si lektore me kohë të plotë prej janarit 2022.
Që prej vitit 2021, Rozeta është gjithashtu profesoreshë e jashtme në New York Institute of Technology në Vankuver, duke dhënë lëndë në fushën e komunikimit akademik dhe menaxhimit ndërkulturor.
Në vitin 2019, ajo ka dhënë mësim në Trinity Western University, universitet prej të cilit ka marrë diplomën MA TESOL (Master në Mësimdhënien e Gjuhës Angleze për Folës të Gjuhëve të Tjera).
Prej korrikut 2024, Dr. Rozeta Biçaku Çekrezi është trainere dhe supervizore pranë Score Guides Academy në Vankuver, një program i akredituar nga TESL Canada për trajnimin e mësuesve të anglishtes si gjuhë e dytë. Ky angazhim i saj përfaqëson një arritje të rëndësishme që ndërthur profesionalizmin me pasionin e saj për frymëzimin dhe formimin e mësuesve të rinj.
Gjatë periudhës 2007 - 2018, Dr.Rozeta ka dhënë mësim në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ku është angazhuar në lëndë si Metodologjia e Mësimdhënies së Gjuhës së Huaj dhe Komunikimi Profesional në Anglisht, duke përgatitur breza të rinj studentësh e mësuesish. Në të njëjtën kohë, ka qenë pedagoge në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku ka dhënë anglisht për qëllime specifike në fusha si mjekësia, biznesi, arkitektura dhe stomatologjia.
Përmes këtij rrugëtimi akademik dhe profesional që shtrihet nga Shqipëria në Kanada, Dr.Rozeta Biçaku Çekrezi vijon të përçojë me përkushtim mesazhin se mësimdhënia cilësore fillon me motivimin, përgatitjen dhe pasionin e mësuesit.
Studimin e plotë e gjeni më poshtë:
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fatbardha Amzaj: Roli i prindërve dhe mësuesve në formimin e fëmijës
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Manushaqe Hoxha Laçi: Koha të ringrejmë në lartësinë e duhur dhe të mbajmë të pastër figurën e mësuesit