MESAZHE INKURAJUESE

Mësuesja Angjelina Marku: Matura 2020, matura e sfidave me një histori ndryshe!

Duke marrë shkas nga situata aktuale, lindi natyrshëm ideja për të motivuar çdo maturant me një mesazh, edhe pse virtualisht! Më shumë se asnjëherë tjetër këta të rinj kanë nevojë për këtë gjë, sidomos nga ne mësuesit, sepse ata nuk janë personazhi kryesor për t'i ndërtuar vetë kujtimet siç do donin.

 Ndër shekuj, njeriu është përballur me luftëra shkatërruese si edhe me epidemi vdekjeprurëse që kanë ndryshuar faqen e historisë krejt papritur.  Është hera e parë që në epokën moderne, njerëzimi po përballet me një pandemi që po gjunjëzon vende të zhvilluara, të pazhvilluara e në zhvillim; po sëmur të famshëm, jo të famshëm e famëkeq; të gjithë të shënjestruar pa dallim racial, ekonomik apo social.  Një virus i padukshëm që infekton këdo. 


   Duke qenë se i përket mijëvjeçarit të tretë, herë rrëmbehesh nga teori konspirative, herë jokonspirative: Si doli ky virus befasisht nga laboratorët? A mos vërtet kaloi nga kafshët tek njerëzit? Është rastësi apo karma e nënës natyrë ndaj njerëzimit? Një luftë botërore ndryshe? Sa shumë pikëpyetje e dyshime! Përse shkencëtarët nuk po gjejnë dot një zgjidhje? Pse duhet të humbasim para kohe njerëzit më të dashur? Shkenca është mundur nga një virus? 


  Duket sikur gjithçka është ndalur, përveç shifrave të të infektuarve e të atyre që humbin jetën të cilat rriten çdo çast. Sa i vogël globi përballë një virusi mikroskopik!  Sa shumë pasiguri e stres po përjetojnë të gjithë! 


 Por forca e natyrës na goditi edhe në nëntor duke na lëkundur shtëpitë e tronditur zemrat.  Institucioni më i rëndësishëm dhe polivalent që simbolizon strehëzën e sigurisë dhe mbrojtjes u kthye në rrezik dhe duhej të dilnim për të shpëtuar. Tani duhet të bëjmë të kundërtën, duhet të izolohemi në shtëpi (ata që e kanë një të tillë) që të mos jemi të kërcënuar nga virusi. 


   Po një maturant si po i përjeton këto kohë? Në fillim, dy javë pushim dukej ide e mirë për tu relaksuar para provimeve, disa u gëzuan hapur e të tjerë fshehurazi, por ditët e javët u rrokullisën dalëngadalë njëra pas tjetrës e u bënë muaj. Me siguri tani secili mendon:”Sikur e gjitha kjo të mbaronte sa më shpejt! Të bëj ekskursionin e fundit e më të rëndësishmin me klasën (udhëtimi më i gjatë në këtë vit shkollor ka qenë rreth e rrotull oborrit të shkollës)!  Sikur të dal mirë në provimet e maturës! Të marr atë kartonin simbolik që certifikon fundin e gjimnazit por jo të gjitha sakrificat, mundin e lodhjen! Të shkëlqej në mbrëmjen e maturës dhe ta mbyll kapitullin e adoleshencës me ndjesinë e finalizimit e të them: Ia dola! Shtigje të reja më presin!”.


Nga ana tjetër rëndon pesha e stresit të izolimit, frika nga infektimi e çdo vështirësi tjetër që buron nga kjo situatë e pazakontë. Të duket sikur je në një shkretëtirë dhe oazin e ëndrrave nuk e arrin dot për pak. Kë të fajësosh?


Por jo! Një zbulim i madh do shpëtojë njerëzimin dhe ‘kurorëzimin’ e studimeve të mia të gjimnazit. Është çështje ditësh sa të takohemi e të themi: “Mbaroi!”.  Sa e bukur është e zakonshmja, sa bukur tingëllon zilja, sa interesant është mësimi në klasë e nuk ka të krahasuar me mësimin online pavarësisht se i përkas gjeneratës Z. Në vend të mësimeve të zakonshme, jeta po na jep mësime të tjera. Po mësojmë se duhet sakrifikuar për shëndetin dhe bota është një familje e madhe që po vuan kudo njësoj dhe jemi në një korrelacion të pazgjidhshëm e një ndërvarësi të pashmangshme. Duhet që të angazhohemi të gjithë për ta fituar këtë betejë. 


Gjithsesi, pas çdo stuhie, dielli shkëlqen edhe më shumë se më parë. Prirem të mendoj kështu pasi jam një fëmijë që kam përjetuar marsin e ‘97 dhe as ky mars nuk është ashtu siç duhej të ishte. Është paradoksalisht e çuditshme që dhurata më e çmuar që mund t’i bëjmë dikujt tani, është që t’i rrimë larg. Është shkalla më e lartë e përkujdesjes për veten për ata që duam, që njohim e nuk njohim.  


Jemi të gjithë në të njëjtën vorbull dhe është normale të ndihesh i/e trishtuar për humbjen e disa momenteve që do ktheheshin ndër kujtimet më të bukura.  Janë eksperienca që i ke pritur për tre vite dhe e kishe përfytyruar ndryshe historinë tënde në këtë vit të fundit. 


Pavarësisht kësaj barriere, një e ardhme e bukur pret secilin prej jush, mos u dorëzoni për asnjë moment dhe kurrë mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja.  Mund të jetë e vështirë por jo e pamundur.  Kam shumë besim që secili prej jush do bëjë zgjedhjen e duhur dhe do arrini ato gjëra që keni dashur gjithmonë pasi jeni të talentuar, kreativ, të përgatitur e mbi të gjitha jeni unik.  




Matura 2020, matura e sfidave me një histori ndryshe! 

Dream BIG!  Never give up! 



Angjelina Marku 

Mësuese e gjuhës angleze, Lezhë, gjimnazi Jopublik "Rogacionistët"



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,778 Lexime
3 vjet më parë