Intervistë

Mësuesja: Matematika, mbretëresha e shkencave

Mësuesja e matematikës Vito Kateshi na tregon për punën e saj të përditshme me nxënësit, si është ora e mësimit dhe për çfarë krenohet ajo...

“Matematika është mbretëresha e shkencave”, kështu nis biseda me mësuesen e matematikës në shkollën “Zihni Magani” në Peqin, Vito Kateshi. E si mund të mos jetë e dashur për nxënësit ora e “mbretëreshës”? Ajo di të transmetojë tek ata dashuri dhe zgjidhje, jo frikë dhe ankth në orën e matematikës. Kjo lëndë nuk është më e vështira, nuk ka nevojë për orë shtesë dhe të gjithë mund ta mësojnë nëse kanë vullnet, janë sistematikë dhe të vëmendshëm në orën e mësimit. Madje në këtë orë nuk ka vetëm shkencë hera-herës një shaka është e pranueshme. Vito Kateshi është krenare për nxënësit e saj, madje kujton edhe specifikat e tyre, krenohet me medaljet që nxënësit e saj kanë marrë në rang qarku.


Si do ta përshkruanit matematikën me një fjali?

Matematika është mbretëresha e shkencave.


Çfarë është për ju matematika?

Matematika merret me studimin e raporteve sasiore dhe cilësore të objekteve konkrete dhe abstrakte si dhe me studimin e formave hapësinore. Ajo është shkencë që studion relacionet dhe në thelbin e saj është kuptimi i numrit.

Matematika është shkencë deductive  d.m.th. përfundimet e saj janë të përgjithshme dhe të sakta.


Që të mësosh matematikën duhet të jesh i përkushtuar apo të kesh prirje?

Besoj se të dyja. Mund të mos kesh prirje, por të kesh vullnet, të jesh i vëmendshëm dhe sistematik e mëson shumë mirë matematikën. N.q.s. ke edhe prirjen bëhesh i talentuar.


E mbani mend mësuesen tuaj të matematikës?

Po, e mbaj mend, e kujtoj me shumë dashuri mësuesen time të matematikës të gjimnazit “Sulejman Delvina” në Delvinë, mësuesen e nderuar Milika Loli, e cila na e bënte lëndën shumë të dashur dhe zbavitëse.


Cila është formula më e dashur për ju?

Formula e Pitagorës: a2+b2=c2  sepse përdoret në të gjitha situatat problemore të problemave të gjeometrisë.


Sa e vështirë është për ju të mbani nxënësit të përqendruar gjatë gjithë orës së mësimit?

Mendoj se për të bërë që nxënësit të të dëgjojnë dhe të jenë të përqendruar duhet që mësuesi të jetë i përgatitur nga ana shkencore, të dijë të komunikojë me nxënësit, t’i trajtojë ata si të rritur, të shfrytëzojë orën e mësimit për njohuritë e trajtuara, pra t’i trajtojë nxënësit me dashuri, ta bëjë lëndën sa më zbavitëse. Ndonjëherë të bëjë edhe ndonjë shaka. Ndonjëherë, mendoj se nxënësit më mirë mësojnë matematikën sesa lëndët teorike.


Çfarë ju ka mbetur në mendje nga nxënësit?

Kam nxjerrë disa breza maturantësh. Të gjithë kanë pasur veçantitë e tyre. P.sh. po ju flas për maturën e vitit 2014:

Hermesi, Bruno dhe Rezarti që organizonin ekskursionet me klasën dhe aktivitete në mënyrë të shkëlqyer. Vajzat e klasës si: Ava, Ida, Sonja, Ogerta, Diamanta etj. që mësonin aq mirë dhe e mbanin klasën aq pastër. Të gjithë nxënësit e kësaj klase vazhdojnë universitetin në degë të ndryshme. Apo matura e sivjetshme 2017, me këto vajza kaq të mira e të veçanta që janë me aq gusto e shembullore.


A keni një nxënës me të cilin krenoheni?

Kam shumë nxënës me të cilët krenohem. Nxënësit e mësipërm janë në universitet dhe atje përsëri kanë rezultate shumë të mira. Ndjehem krenare për ta. Rukie Damarku dhe Ilenia Elezi kanë zënë vendin e parë dhe të dytë në olimpiadën e matematikës në Qarkun e Elbasanit.


A keni nisur përgatitjet për provimet përfundimtare me nxënësit e maturës?

Në fakt, unë që në fillim të vitit shkollor punoj në orën e mësimit ushtrime të provimit të maturës me qëllim që nxënësit të ambientohen me provimin.


A e shikoni të nevojshme të punoni jashtë orarit të mësimit me maturantët?

Në fakt, 15 orët e fundit në planin mësimor të matematikës në maturë janë “Përsëritje për provimin e Maturës Shtetërore”, në muajin prill drejtoria e shkollës planifikon orët e konsultimeve për lëndët e provimeve të maturës. Pra, n.q.s. një nxënës është sistematik  punohet me ushtrimet e maturës gjatë gjithë vitit shkollor, në fund përsëritja, më pas konsultimet, besoj se mjafton.


Cili është mesazhi që doni të përcillni nëpërmjet Portalit Shkollor?

Mësoni matematikën, zgjidhni ushtrime matematike, me të cilat mund t’i bëni gjimnastikë mendjes suaj, vini në provë inteligjencën, bëhuni të aftë të përballoni sfidat e jetës!


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

26,179 Lexime
2 vjet më parë