Migena Kapllani: Pse është më mirë të kthehemi në shkollë…
Ne duhet të mendojmë edhe vazhdimësinë e jetës sonë me Covidin. Nga ajo që shohim çdo ditë, njerëzit nuk i janë larguar lokaleve, parqeve, plazheve apo takimeve pa maska. Mendoj që nxënësit në shkollë, po të respektohen rregullat, në mënyrë më të institucionalizuar do të jenë më të sigurtë...
Orët që mbyllën një botë të tërë brenda katër mureve, na përballën me disa vështirësi që nuk i kishim marrë parasysh më parë. Çdo mëngjes e nisnim me lutje për shëndetin e me kërkesa #rrinështëpi, #kukasishtëpia, #shtëpieëmblashtëpi. Situata e atyre ditëve të gjata që nuk ndanin njëra-tjetrën e që më janë rëndur shumë, bëhej më e rëndë prej profesionit tim.
Mësimi online, orë online, puna online u bënë fjalët e ditës. Vëmendjen e nxënësit në klasë e në mësim që deri dje e mbaja me notë apo mungesë, në këto kushte të reja, asnjëra prej tyre nuk vlente më; e humbën fuqinë. Më dukej sikur flisja më shumë me veten, për nxënësit. Isha një “spikere”, që duhet të mendoja se si e qysh i përcillnin nxënësit ato që thosha. Brenda disa ditëve, m’u pështjellua një situatë që më vuri në krizë me dijen time për materialet që duhet t’u dërgoja nxënësve e që kalonin në lupën e disa syve. Kisha mundësi të dëgjoja e ridëgjoja materialin tim, por më dukej vetja si ata që bëjnë selfie dhe ndryshojnë tërë tiparet për t’i nxjerrë më në pah. Ndryshe nga mësimi në klasë ku e sheh reagimin direkt te sytë e fytyrat e nxënësve, tani e kisha humbur këtë koneksion. Ndihesha e sforcuar më tepër për t’u pëlqyer të tjerëve, se sa për të bërë shpjegimin e mësimit.
Kjo kohë më mësoi gjëra të tjera që një kohë normale nuk do të m’i kishte mundësuar. Përmirësova marrëdhënien me classroom, orientimin e materialeve nga drive im, punën në Zoom dhe demokratizova më shumë sjelljen time më nxënësit (mesazhet e mia fillonin me përshëndetje e mbylleshin me falënderime).
Gjithë kjo situatë vështirësohej edhe prej disa mungesave organizative. Duhej të mendonim si t’i paraprinim kësaj gjëje dhe kjo situatë është për faj të të gjithëve, por ata që e vuajnë më shumë, janë nxënësit, duke përjashtuar/përfshirë prindërit si shkak e pasojë e gjësë.
Tani jemi sërish afër fillimit të vitit shkollor 2020-2021.
Në datë 13 gusht, sjellin një pyetësor “Për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, për nxënës, prindër e mësues”, ku indirekt testohet sa e si duhet të nisë fillimi i vitit shkollor, sipas tri skenarëve të menduar më parë.
Nga ky pyetësor nis historia e fillimit të vitit të ri shkollor, pasi sipas ministres Shahini, në përqindjet e dala nga pyetësorët, një pjesë e mirë janë dakord për fillimin e vitit shkollor në bankat e shkollës.
Edhe unë personalisht jam dakord për fillimin e tij, pasi ne duhet të mendojmë edhe vazhdimësinë e jetës sonë me Covidin. Nga ajo që shohim çdo ditë, njerëzit nuk i janë larguar lokaleve, parqeve, plazheve apo takimeve pa maska. Të vetmet vende ku i sheh njerëzit me maska, janë bankat, farmacitë apo ndonjë institucion që i detyron shteti me kontrolle të vazhdueshme, ndërsa popullin në gjendje të lirë, nuk e kontrollon dot, vetëm nëse ka ndonjë tek-tuk që e ruan veten nga përgjegjshmëria e tij. Mendoj që nxënësit në shkollë, po të respektohen rregullat, në mënyrë më të institucionalizuar do të jenë më të sigurtë. Me mësimin online, shpesh dëgjoja nxënës, që u duhej të shkonin te lokali i lagjes për internetin, kështu që nuk e kontrollojmë më mirë situatën pa shkollë.
Mendoj që të paktën të heqin dorë në këtë periudhë nga zhvillimi i orëve 90 minuta pikërisht në këtë situatë. Nxënësi më mirë të bëjë 30 minuta një orë mësimi, por disa herë gjatë javës, sesa të bëjë orët e bashkuara. Përderisa edhe Gjermania e ka pothuaj të pamundur zhvillimin e mësimit me turne, pasi nuk kanë kapacitete mësuesish mendoj se dhe për ne duhet të jetë ashtu.
“Vetëm mësim online nuk mund të kemi”, thekson korrespondentja e DW,Lindita Arapi, pasi edhe në Gjermani nuk shihet si një mënyrë e mirë të nxëni, nuk ka efikasitet. Insituti Ekonomik i Mynihut sipas një studimi për mësimin online, thekson se nxënësit në kohën e mësimit online, kanë mësuar më pak se ½ e kohës kur ishin në mësim. Me mbajtjen e celularit kanë dyfishuar koha e lojërave në celular, por jo kohën e mësimit nga celulari.
“Koha e koronës do lërë gjurmë në biografinë mësimore të nxënësve” thekson Lindita Arapi.
Në një anketim fëmijët e kanë përmendur përballimin e koronës në aspektin social si gjënë më të vështirë. Mjekët theksojnë se fëmijët po zhvillojnë neurozat e frikës dhe larjen e ekzagjeruar të duarve dhe problem me pagjumësinë. Në një studim tjetër të universitetit të Lajpcigut vajzat janë shumë të trembura për familjen etj... shpjegime e qartësime për zhvillimin e mësimit dhe arsyet pse menduan ta fillojnë atë në bankat e shkollës.
Epidemiologu Alimehmeti i rekomandon Ministrisë së Arsimit të marrë masat e higjienës dhe distancimit sipas moshave dhe cikleve të shkollës dhe thekson se virusi nga nxënësi te nxënësi apo mësuesi (edhe pse nuk mohon se ekziston mundësia e infektimit), por është më i vogël, pra është më e lartë mundësia e transmetimit në komunitet (ndërsa në shkolla jo, nëse do respektohen masat). Këtë sipas Alimehmetit e tregon dhe fakti i çerdheve dhe kopshteve të hapur, por që nuk kanë demonstruar raste rrezikshmërie. Gjithashtu duhen respektuar e përshkallëzuar rregullat sipas grupmoshave të ndryshme, pra nuk duhet parë secila moshë njësoj lidhur me masat parandaluese.Jam e sigurtë që Ministria e Arsimit po përpiqet të shohë mundësitë e fillimit të vitit të ri shkollor, duke parë se si po procedojnë vendet e tjera, por mendoj se duhet të marrë më shumë mendimin e virologëve shqiptarë, prindërve e mësuesve…
Disa mendime të shprehura nga DW janë të vlefshëm edhe për ne, se si mund të mbahet maska disa orë, a dëmton ajo shëndetin e fëmijës, se si institutet e studimit të virusit shprehin zyrtarisht se të rinjtë e përhapin virusin në shkolla relativisht jo më shumë se sa në ambientet e tjera. Mendohet që të përdoren maskat për fëmijët më të rritur, e jo për të vegjlit (CU).
Meqë edhe vendimi për fillimin e shkollës i atribuohet një pyetësori që u hodh para një jave, tregon më së mirë se duhet të dëgjojmë mendimin brenda, e jo vetëm të ndjekim çfarë ndodh me vendet perëndimore. Mund të ecim në shembujt e Gjermanisë, apo Italisë etj., por jo gjithmonë. Arsyet janë kushtet në radhë të parë që na ndajnë me ta, por dhe mundësitë që kanë për ta zhvilluar mësimin online më lehtë se sa ne, përsëri prej kushteve.
Nga Migena Kapllani, mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Dritan Staro: Çfarë është një projekt shkollor?
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant