OPINION

Mimoza Zeneli: Dy fjalë për mësimdhënien cilësore gjatë COVID 19

Besoj se është e mundur të bëhemi të mirë në lehtësimin e mësimdhënies në distancë në një mënyrë më të strukturuar zyrtare, në vend që thjesht të shohim çdo gjë që na serviret në internet. Duhet të jemi më mendjehapur, të heqim dorë nga mentaliteti ynë gjykues e paragjykues e të vlerësojmë përpjekjet.

Është fakt që shkollat më të mira investojnë në zhvillimin profesional të stafit të tyre, dhe mësuesit më të suksesshëm janë ata që kanë bërë një investim afatgjatë në zhvillimin e tyre profesional. Me anë të të zhvillimit profesional nuk dua të them vetëm të ndjekësh trajnime dhe konferenca, por edhe një mori aktivitetesh e materialesh për t’u lexuar. Të njohësh mirë programet e miratuara, leximi i materialeve profesionale, hulumtim i aktiviteteve të të mësuarit online, zhvillim i aftësive hulumtuese dhe të ndjekësh ngjarje kombëtare dhe lokale e të jesh gjithmonë i informuar në lidhje me fushën e studimeve të tua. Rrjetet profesionale gjithashtu kur funksionojnë më së miri, janë themelore për ndërtimin e kapitalit profesional.


Në kohën e izolimit nga COVID-19 zhvillimi profesional është më i rëndësishëm se kurrë më parë dhe megjithëse shumë mësues janë gjendur në vështirësi, pasi po kalojnë sfidat e arsimit në distancë, është e rëndësishme të mbajmë mend dy gjëra:


Së pari, të gjithë, kudo në botë, po përballen me të njëjtën sfidë dhe gjëja më e rëndësishme në këtë fazë është gjetja e një ritmi të duhur që e bën këtë fazë më pak stresuese.


Së dyti, përpjekjet tona profesionale gjatë kësaj kohe duhet të shkojnë përtej “aktiviteteve mësimore online të mbijetesës” që thjesht na ndihmojnë të kalojmë në ditën tjetër të punës dhe ta quajmë të mbyllur të parën.


Sigurisht që shumë mësues ndihen të mërzitur për momentin. Ekzistojnë një mori arsyesh për këtë.


• Shumica e njerëzve nuk kanë një filtër për të vlerësuar cilësinë e mësimit on-line.

• Këshillat në internet kanë të bëjnë më shumë me përdorimin e një aplikacioni, sesa qasjen pedagogjike në mësim dhe mësimdhënie.

• Një pjesë e mirë e mësuesve nuk kanë përjetuar mësim në internet duke mësuar vetë në këtë mënyrë dhe kjo e bën të vështirë të imagjinohet se si është mirë, shumë mirë dhe shkëlqyer në këtë rast.


Si çdo sfidë ka edhe zgjidhje. Ato të thjeshtat janë më të efektshmet, por ato janë edhe më të vështirat për t’u gjetur në situata stresuese, ku prindi të vëzhgon, kolegu të vëzhgon, drejtuesi të vëzhgon. Duhet të krijojmë një strukturë të dobishme në mendjen tonë për aktivitetet on-line. Mund ta bëjmë këtë duke menduar se si është një përvojë cilësore e të mësuarit në botën fizike dhe pastaj ta përkthejmë atë në botën virtuale online. Besoj se ka disa karakteristika dominante për një mësim të shkëlqyer dhe ato janë të rëndësishme për të dy botët, virtuale dhe fizike.


Besoj se aktivitetet e mësimit cilësor duhet të jenë:

-Të gëzueshme për fëmijët.

-T’i ndihmojnë nxënësit të gjejnë kuptim në atë që ata bëjnë.

-Të angazhojnë në mënyrë aktive, shpesh të bazuara në projekte për të krijuar një gjendje reflektimi, ku nxënësi të jetë në gjendje të qëndrojnë i vetë-përqendruar gjatë pjesëmarrjes.

-Të përfshijnë të menduarit përsëritës, eksperimentimi, testimi i hipotezave etj.

-Të jenë aktivitete bashkëvepruese shoqërore.


Nuk ka asnjë arsye që puna në grup të ndalet për shkak të mësimit në distancë, thjesht duhet të imagjinohet, për më tepër platforma zoom ,google classroom, që shumë mësues po e përdorin e ofron mundësinë e ndarjes së nxënësve në grupe.


Besoj se është e mundur të bëhemi të mirë në lehtësimin e mësimdhënies në distancë në një mënyrë më të strukturuar zyrtare, në vend që thjesht të shohim çdo gjë që na serviret në internet. Duhet të jemi më mendjehapur, të heqim dorë nga mentaliteti ynë gjykues e paragjykues e të vlerësojmë përpjekjet e strukturuara edhe pse mund të mos jenë perfekte.


Një skuadër e tërë punon pa u lodhur, t’i promovojmë kolegët tanë që mundohen pa fund të bëjnë orën e tyre më të mirë të mundshme dhe i shfaqin për gjithë Shqipërinë në RTSH shkolla, Youtube apo rrjetet sociale edhe pse nuk e kanë imagjinuar kurrë që të japin mësim për një publik aq të gjerë. Është përgjegjësi e madhe. Nëse ne mësuesit i shohim orët e tyre të parët dhe ua rekomandojmë nxënësve temën që përkon, atëherë ai mund vlen më shumë.

Të inkurajojmë nxënësit të vizitojnë faqet në youtube të MASR, DPAP dhe ato të ZVAP që ofrojnë mësime për të gjitha klasat.

Të mos hezitojmë t’i përdorim disa nga aplikacionet tashmë të testuara nga shumë mësues si google classroom e zoom, të provojmë gjithçka që na ndihmon të jemi më të mirë. E thënë me fjalë shumë të thjeshta: “hamë kur kemi uri”. Tani “uria” janë platformat digjitale për mësimdhënie.

Të gjitha këto që u përmendën më sipër janë me një çmim preferencial – falas.


Unë besoj se të gjithë ne mund të ofrojmë mësimdhënie me cilësi më të lartë në distancë, si tani ashtu edhe në të ardhmen.


Mimoza Zeneli

Shkolla, “Sabahudin Gabrani” Tiranë


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,650 Lexime
3 vjet më parë