OPINION

Mimoza Zeneli: Mbyllja e vitit shkollor, realizim apo stres?

Mësuesi duhet të fokusohet tek përmbajtja e lëndës, të listojë konceptet më të rëndësishme që duhen transmetuar, pa të cilat nxënësi do të ndjente vështirësi në vitin pasardhës. Nëse ruajmë qetësinë dhe fokusohemi tek lënda dhe tek fëmija, besoj se ja kemi dalë të realizojmë një punë të mrekullueshme.

Menjëherë pas deklaratës se Ministres së Arsimit, filloi reagimi qytetar në forma nga më të ndryshmet, siç edhe është normale të ndodhë. Fëmijët e klasës së pestë dhe të nëntë u “gëzuan” që nuk do të kalojnë stresin e provimeve. Prindërit e tyre larguan nga vetja një shqetësim. Maturantët ndjenë edhe më shumë që vëmendja po kthehet krejtësisht nga ata dhe filluan të shqetësohen për mënyrën si do të shkojnë në shkollë, ku do të ulen, ku do të fokusohen në ditët që do të jenë në shkollë, si do i zhvillojnë provimet, etj. Prindërit e tyre ndajnë të njëjtin shqetësim me ta. Mësuesit filluan t’u bien telefonave të eprorëve për të mësuar se çfarë do të ndodhë me orët e mësimit që ishin parashikuar për në qershor. 


A është momenti të stresohemi dhe të lodhim veten me kaq shumë pyetje? -Mendoj se jo. 


A ka gjëra më të rëndësishme se këto pyetje? – Sigurisht që po. 


Më e rëndësishme është, maturantët të studiojnë të qetë dhe t’ia lënë gjithçka tjetër në dorë shkollës dhe mësuesve. 


Mendoj që mësuesit kanë më të rëndësishëm nxënësin. Që nxënësi ta kalojë këtë periudhë i qetë, nuk është e nevojshme të bëjmë llogaritarin e të shohim të japim çdo temë me përpikmëri, t’i marrim ditë borxh muajit maj se nuk na dha qershori, të hedhim gjithë temat në regjistër që të mos dalim orë mangët në çdo klasë. 


A e ndihmojnë të gjitha këto llogari nxënësin? 


A është nxënësi i qetë nëse bën 24 orë brenda muajit në një lëndë ku duhet të bënte 12 në kushte normale? 



Mësuesi duhet të fokusohet tek përmbajtja e lëndës, të listojë konceptet më të rëndësishme që duhen transmetuar, pa të cilat nxënësi do të ndjente vështirësi në vitin pasardhës dhe të parashikojë si t’i realizojë gjithë këto brenda datës 29 maj. Për këto duhet të reflektojmë thellë ne mësuesit. Nëse ruajmë qetësinë dhe fokusohemi tek lënda dhe tek fëmija, besoj se ja kemi dalë të realizojmë një punë të mrekullueshme. Detajet e tjera do të vijnë nga institucionet përgjegjëse të cilat kanë detyrë për t’i hartuar ato. 



Le të mendojmë si do të bëjmë takimin tjetër me fëmijët, në zoom, google class apo ËhatsApp, aktivitetet argëtuese me te cilat do u përcjellim njohuritë, videot mësimore që do përgatisim për ta, si do i inkurajojmë e lavdërojmë për duart e arta e mendjet e mençura. Kemi nxënës të mrekullueshëm që do na mungojnë gjithë verën. Nxënësit na e lexojnë shqetësimin si në fytyrë edhe përmes rreshtave. 



Kaluam sfida të mëdha, bashkëpunuam të gjithë, MASR, DPAP, DAR, ZVA, Drejtori, mësues prindër e fëmijë që ta kalonim këtë periudhë që as nuk e kishim imagjinuar që do të ndodhte. Ta mbyllim dhe këtë muaj me të njëjtën frymë bashkëpunimi e fleksibilitet, tashmë rutinë për ne. 




Nga Mimoza Zeneli

Nëndrejtore në shkollën "Sabahudin Gabrani", Tiranë



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,077 Lexime
3 vjet më parë