HISTORI FRYMËZIMI

Ministrja Margariti, surprizë në shtëpi mësueses frymëzuese të ëndrrave të gjimnazit

Për 7 mars, me buqetë me lule në duar, Ministrja e re e Kulturës, Elva Margariti ka vizituar mësuesen Sonja Vila, sot në pension, e cila e befasuar nga takimi, e vlerësoi këtë vizitë të papritur...

Për 7 mars, me buqetë me lule në duar, Ministrja e re e Kulturës, Elva Margariti ka vizituar mësuesen Sonja Vila, sot në pension, e cila e befasuar nga takimi, e vlerësoi këtë vizitë të papritur

“Jam e sigurt në aftësitë dhe rolin që po luan rinia e sotme në zhvillimet e vendit. Një brez i shkëlqyer i dijes dhe arsimit, që jam e bindur se do të ngre lart emrin e Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit. Ju uroj suksese në detyrën si ministre për të realizuar të gjitha  angazhimet e institucionit që drejtoni”, u shpreh mësuese Vila pas surprizës që iu bë. 


Ndërkaq ministrja Margariti duke e falenderuar dhe shprehur mirënjohjen për mësuesen e saj të gjimnazit, shkroi në rrjetin social facebook:

Sot në ditën e 7 marsit  u ktheva pas në vite, në orët e veçanta të letërsisë, ku zysh Sonja Vila mbetet mësuesja frymëzuese e ëndrrave të mia të gjimnazit.


E dashur zysh Sonja. Në këtë ditë të veçantë JU falenderoj publikisht që më mësuat përmes debateve në orën tuaj angazhimin si qytetare e shoqërisë shqiptare dhe përgjegjësinë për çdo hap të hedhur. Ju falenderoj që zbuluat më të mirën  tek çdo gjimnazist i brezit tim dhe na forcuat dëshirën dhe pasionin për ti shërbyer vendit  dhe për të ndjekur ëndrrat  që bëhen realitet me punë e përpjekje.

Me mirënjohje për vlerat që më keni përcjellë gjatë viteve kur keni qenë mësuesja ime.

Jetë gjatë dhe punë të mbarë në angazhimet tuaja që nuk ‘ndalojnë’ me pensionin!”


(Portali Shkollor)

4,226 Lexime
5 vjet më parë