Letra emocionuese

Mirënjohja e një prindi për mësuesit: Ju po bëni histori, ju jeni ekspertë, të pazëvendësueshëm...

Në këtë ditë kur mësuesit e të gjithë vendit kanë nisur punën më herët për të pritur nxënësit e tyre, që të zhvillojnë përsëritjen e mësimeve prej situatës së pazakontë të pandemisë, disa mesazhe të vërteta ndahen për ta nga nëna e një vajze, Edvina Dede. Letra është tepër emocionuese...

Të dashur mësues,


Së pari do të dëshiroja të jeni mirë me shëndet dhe të keni kaluar pushime çlodhëse.


Së dyti, dua të dini dhe të ndjeni se për ne prindërit ju jeni shumë të vlerësuar dhe tepër thelbësor në të përditshmen e jetës tonë.


Aktualisht nuk jam një mësues, por di të gjithë punën që zhvillohet në mësimdhënie në rrethana tipike. Mësimi gjatë pandemisë nuk është aq tipik, nuk është ajo për të cilën ju jeni përgatitur, dhe megjithatë ju po e bëni shumë mirë. Ju po bëni plane për mësimin në distancë. Po e përshtatni mësimin tuaj sa hap e mbyll sytë. Mirënjohje pafund!


E di që ju mungon komuniteti i klasës dhe kultura që keni kultivuar. Di se si nxënësit tuaj për ju – bëhen "fëmijët tuaj" vit pas viti - dhe sa ju pëlqen t'i shihni kur “brohorasin” teksa mësojnë diçka të re. Mos u shqetësoni. Nxënësit tuaj po mësojnë njësoj si më parë nga ju.


Ju jeni ende duke dhënë mësim.


Edhe pse ndonjëherë nuk mund të duket kështu, ju jeni duke bërë mësim. Tani për tani fëmijët tanë po mësojnë aftësi sociale-emocionale. 


Ai “Google Meet” që nuk funksionoi? 


Nuk ishte rrëmujë. Ishte një mundësi mësimi. Fëmijët tanë mësuan se është mirë të dështosh dhe të provosh përsëri një ditë tjetër. Kur ata nuk mundnin të merrnin mësimin e ri sepse telefoni i prindërve ishte prishur apo të tjerë që nuk dorëzonin detyrat sepse nuk kishin një printer në shtëpi? Ata zbuluan se mund t’i dërgonin detyrat me postë elektronike dhe ata të tjerët kuptuan se mësimin mund ta gjejnë në një nga platformat digjitale, ata falë të menduarit fleksibël gjetën një zgjidhje për të përmbushur detyrimin dhe detyrën e tyre.


Faleminderit që gjeni gjithmonë mënyra për të mësuar fëmijët tanë dhe gjeni mënyra për të qenë pranë tyre në çdo rrethanë, edhe pse përpiqeni të kujdeseni për veten dhe familjen tuaj. Fëmijët tanë po mësojnë më shumë përmes ndjeshmërisë dhe dhembshurisë tuaj - një aftësi që ne të gjithë po e mësojmë dhe po e praktikojmë falë mundit tuaj.


Ju po bëni histori.


Ju jeni mësuesit e parë që përballuat një sfidë si ajo me të cilën po përballemi tani. Këto vite do të mbahen mend si vitet kur të gjithë mësuam se si ta jetojmë jetën në distancë nga njëri-tjetri dhe të vazhdojmë të funksionojmë si shoqëri. Ndaloni një moment dhe kuptoni se ajo që po bëni ka rëndësi të madhe për shoqërinë. Ka rëndësi jo vetëm për nxënësit që keni në klasat tuaja sot, por edhe për të ardhmen. Ju sillni ndryshmin në shkallë të gjerë dhe po bëni historinë.


Ju jeni ekspertë.


Ju po mësoni mënyra të reja të paraqitjes së informacionit dhe po përpiqeni ta bëni atë në mënyrë që të gjithë nxënësit të kenë qasje në të. Po kuptoni se si duket mësimi kur "shkolla" është bërë "shkollim".


Prindërit bëjnë çmos për të mbështetur mësimin e fëmijës në shtëpi, dhe përpiqemi ta konsiderojmë mësimin "shkollim në shtëpi". Unë e kam mbikëqyrur vajzën time gjatë procesit të mësimit në shtëpi, por ju, mësues, po mbani ngarkesën më të rëndë. Unë e di sa i vështirë është bërë mësimi. 


Së fundmi, JU keni një vend në jetën e fëmijëve tanë. Pavarësisht nëse ata psherëtijnë sa herë përmbushin një detyrë të caktuar nga ju, duke pritur me padurim një telefonatë nga ju, ose duke u përpjekur me gëzim për të tërhequr vëmendjen tuaj gjatë një takimi virtual të klasës, e gjitha kjo është sepse ju keni rëndësi! 


Mësues, prindërit nuk mund t'ju zëvendësojnë. Ju jeni parësor në edukimin e brezave. Kujdesuni për veten, uroj shëndet dhe më të mirën për të gjithë ju dhe faleminderit që jeni shembull pozitiv për të gjithë ne!


Suksese në këtë vit të ri akademik!


Shkruar nga Edvina Dede 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,910 Lexime
2 muaj më parë