Pasioni për profesionin

Mos e lejoni "diellin" të perëndojë!...

Zhvillimi i pasionit sjell edhe zgjerimin e vizionit dhe të horizontit duke të dhënë mundësinë që mos ta shohësh përditshmërinë dhe jetën vetëm dhe thjesht në një prizëm, por në shumë aspekte. Kjo të krijon mundësinë që ta njohësh akoma më mirë profesionin që ushtron dhe ambientin që të rrethon.

Zbarkuan që herët në mëngjes me mjetet e tyre për të parë ato vënde magjepsëse, ato bukuri natyrore, për të cilat kishin kohë që kërkonin e studionin, e ndërkohë asgjë s’dukej siç ishte shfaqur në fotografi, përkundrazi gjithçka dukej shumë herë më e bukur dhe më mahnitëse… 


Ngrohtësia e një mesvere thumbonte gjithandej, e për rrjedhojë kërkuan të ndalonin diku edhe për një pushim të merituar edhe për të shijuar një drekë të shijshme të një natyre apo stili jo të zakontë. Gatimet ishin tejet të veçanta, e për më tepër të kuzhinës tradicionale. U bu shumë kurioz të dinte se dora e cilit mjeshtër kishte punuar aq ëmbëlsisht dhe po aq mjeshtërisht. Në bisedë me kamarierin u përball edhe me një surprizë që, siç ishte edhe ajo shprehja e njohur “Vdekjen e kishte menduar, por këtë gjë asnjëherë!”, vetë kuzhinieri i dërgonte përshëndetje të veçanta pasi e kishte parë që në hyrje tek vinte. 


I befasuar dhe i mahnitur njëkohësisht mësoi se ajo dorë e mrekullueshme dhe plot shije ishte dora e ish-mësuesit të tij aq të dashur dhe të preferuar. E kujtonte përherë mësimdhënësin e tij, jo vetëm për profesionalizmin në mësimdhënie, por edhe për shkathtësinë dhe mprehtësinë e tij edhe në fusha të tjera të jetës, sikurse ishte muzika, pasi i binte mjaft bukur fizarmonikës, piktura, pasi bënte punime marramendëse me laps të thjeshtë dhe drejtëhije, sporti, pasi e kishte parë sa e sa herë të luante me ekipin e shkollës me aq zell dhe pasion, organizator i shkëlqyer i sa e sa eventeve brënda dhe jashtë shkollës… 


Qëllonte me vend ajo shprehja e urtë “Dhjetë aftësi në dhjetë gishtërinj”, e natyrshëm s’kishte si të mos i ngelte në kujtesë një mësimdhënës me kaq shumë inteligjencë dhe aftësi, por mbi të gjitha dhe një përkushtim dhe intelekt kaq të fuqishëm, por që të dilte edhe një kuzhinier specialist që të ofronte edhe një shërbim kaq të arrirë, as që e kishte menduar ndonjëherë…. 

I befasuar për surprizën e rastit, teksa i hodhi një shikim gatimeve që kishte në pjatën përpara, ra në mendime të thella, e ndërkohë diellin që lëshonte rreze thumbuese në dritaret e çelta e pa ndryshe këtë herë… 


Për gjatë gjithë historisë njerëzorë njeriu krijon imazhe për figura të ndryshme e profesione të ndryshme dhe mbi bazën e këtyre perceptimeve gjykon me kalimin e kohës se cilës fushë mund dhe duhet t’i përkasë. Natyrshëm që këtë gjë e realizon mbi bazën e aftësive që zotëron, por diçka s’duhet harruar se: 

• Një pjesë e këtyre aftësive janë gjenetike, pra vijnë bashkë me ardhjen e njeriut në jetë 

• Një pjesë e aftësive përpunohet dhe skaliten në natyrën e njeriut me kalimin e viteve mbi bazën e rrethit familjar dhe kërkesave që shfaqen qoftë nga prindërit qoftë edhe nga rrethi i gjerë. 

Krijojmë zakonisht perceptimin tonë për një mësimdhënës duke e parë atë si një person që mban: 

- Regjistër 

- Ditar 

- Fletore 

- Rezervë 

- I veshur me grykëse të bardhë 

- Me shkumësa në dorë 

- Me syze ose edhe pa syze 

- I vendosur përherë përpara të ashtëquajturës “tabelë e zezë” edhe pse ngjyra e saj mund të jetë tjetër.. 

Ja që ka raste  kur mësimdhënësin e shohim edhe në një fushë tjetër të jetës dhe shprehim një lloj  habie apo çudie duke menduar “Si ka mundësi?”. Harrojmë se edhe ai /ajo është një qenie njerëzore që ka patjetër pasione të larmishme, një pjesë të së cilave ose i vë në zbatim ose edhe mund të humbasin fatkeqësisht në trajektoren e kohës për arsye të ndryshme. 


Natyrshëm që këtë gjykim s’mund ta shtrojmë vetëm për mësimdhënësin, por për çdo aktor të jetës, pasi jeta vërtetë është si një skenë e madhe, ku luajnë aktorë të ndryshëm që na dhurojnë patjetër emocione të larmishme. 


Gjatë kohës së shfaqjes përjetojmë momente tejet të veçanta duke u përfshirë në vizione dhe botëkuptime që na bëjnë ose të përlotemi ose të qeshim, pasi në fund të fundit këto janë dy kahje që jeta ia shtron çdo qenieje njerëzore. Pas shfaqjes çdo aktor i skenës i kthehet jetës normale. Por jo çdo aktor në aktrim është dhe ngelet vetëm një aktor, ashtu sikurse ndodh edhe në seriale të ndryshme televizive. Ata mund të jenë inxhinierë, arkitektë, piktorë, skulptorë, mësimdhënës, menaxherë, juristë etj. Ja që pasioni apo pasionet i kanë vendosur ata në role të ndryshme duke ua bërë jetën gjithnjë më aktive dhe plot gjallëri. 


Jo thjesht imazh… 


Pothuajse çdo njeri zotëron një biçikletë me të cilën kryen detyrimet e tij ditore dhe si pa kuptuar ai ushtron edhe një lloj sporti, por s’është çiklist… 


Një pjesë e mirë e njerëzve zotëronjë makina të kategorive apo markave të ndryshme, i përdorin ato me mjaft kujdes dhe mjeshtëri duke luajtur natyrshëm edhe funksionin e shoferit, por s’janë shoferë për nga profesioni… 


Çdo njeri, i çfarëdo profesioni apo zanati qoftë, i kushton rëndësi të veçantë higjienës dhe pastërtisë duke larë e pastruar qoftë mjetet e tij personale apo edhe vendin ku punon, por ai s’është punonjës i shërbimit sanitar… 


Çdo njeri në realitetin e sotëm përdor një mjet të teknologjisë, një celular, një kompjuter ose laptop apo edhe mjetet të tjera. Mësuesit zhvilluan “online” procesin e tyre mësimor, ushtruan me mjaft profesionalizëm programe të ndryshme teknologjike, megjithëse s’ishin inxhinierë kompjuterikë… 


Po kështu nxënësit morën pjesë në procesin mësimor dhe edukativ në sistemin “online” duke u orientuar si nga mësuesit e tyre ashtu edhe nga vetë prindërit duke u aftësuar kështu në programime të reja kompjuterike të panjohura më parë prej tyre… 


Po kështu zyrtarë të ndryshëm të profesioneve të ndryshme detyrohen të përfshihen në strukturën e programeve të teknologjisë e duke u bërë kështu “profesionistë” edhe në fushën e inxhinierisë së teknologjisë… 


Kërkimi i diturisë është një obligim që s’njeh moshë, vjen natyrshëm në botën njerëzore dhe pret “të kultivohet” jo vetëm nga mësimdhënësi si profesionist, por pikësëpari nga prindërit, që kanë marrë përsipër të sjellin në jetë një qenie njerëzore dhe për rrjedhojë:

  • të hyjnë në botën magjepsëse të fimijës, 
  • të kuptojnë natyrën dhe karakterin e tij apo të saj, 
  • të luajnë me fëmijët dhe të argëtohen me ta duke synuar të konceptojnë premisat e fëmijës së tyre për një të ardhme të afërt apo të largët, 
  • të ndihmojnë dhe të mbështesin fëminë në zhvillimin e dëshirave dhe pasioneve që nesër do të përbëjnë edhe boshtin qëndror të intelektualitetit të tij apo të saj, 
  • të lexojnë sa më shumë bashkë me fëmijët qofshin ato të grupmoshave të vogla apo edhe ato të adoloshencës, në mënyrë që të pasurojnë sa më shumë bagazhin e tyre duke krijuar dhe kultivuar tek ta një fjalor “të pastër” dhe “të pasur” të shprehive dhe inteligjencës zhvillimore….


Profesionalizmi kërkon sot jo vetëm thellimin në një fushë të caktuar, por edhe “zhvillimin” individual në fusha të ndryshme të jetës, të cilat padyshim nisin që nga “kultivimi dhe pasurimi i pasioneve” që shfaqen që në vegjëli. 


Një zhvillim shumëdimensional i individit e bën atë të jetë “më i kudondodhur” dhe “më i efektshëm” në shoqërinë ku jeton. Zhvillimi i pasionit sjell edhe zgjerimin e vizionit dhe të horizontit duke të dhënë mundësinë që mos ta shohësh përditshmërinë dhe jetën vetëm dhe thjesht në një prizëm, por në shumë aspekte. Kjo të krijon mundësinë që ta njohësh akoma më mirë profesionin që ushtron dhe ambientin që të rrethon. 


Sa mësimdhënës ka sot në institucionet tona të edukimit që s’janë vetëm “mësimdhënës”!... 

Sa mjekë ka sot që s’janë vetëm “mjekë”!... 

Sa juristë ka sot që s’janë vetëm “juristë”!... 

Sa administratorë ka sot që kanë aftësi të menaxhojnë sa e sa detyra njëherazi!... 

Sa profesionistë ka sot që tregojnë profesionalizëm në shumë drejtime duke treguar se brënda shpirtit të tyre gjallon një jetë plot dinamikë!... 


Shfrytëzojeni kohën në maksimumin e saj duke shpalosur gjithë aftësitë e juaja në realizimin e ëndrrave që ju japin jetë, pasi 24 orëshi është i njëjtë për të gjithë!... 

Do ta linit vallë diellin të perëndojë?!... 



Nga Evans Drishti 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,755 Lexime
2 vjet më parë