Falënderime

Muaji i mësimdhënësve, mesazh nga shkolla e mesme profesionale "Shën Jozefi Punëtor" në Rrëshen

Në kuadër të muajit të mësimdhënësve në redaksinë e Portalit Shkollor ndër të tjera na ka mbërritur dhe ky dedikim i veçantë e emocionues nga shkolla e mesme profesionale "Shën Jozefi Punëtor" në Rrëshen, si shenjë falënderimi për punën e përbashkët të mësuesve dhe nxënësve në këto kohë të vështira.

Ne e festojmë Marsin e këtij viti sepse pandemia na ka sjellë më pranë nxënësve tanë, në vazhdimësi, qëkur kemi përjetuar frikën njësoj si ata, por edhe shpresën për ditë më të qeta!


Ne kemi hyrë në botën e tyre më shumë, duke komunikuar përmes një mjeti aq të dashur për ta siç është telefoni,  por për të zhvilluar mësimet online. Ne kemi vepruar së bashku me ta për të kapërcyer vështirësitë e paraqitura nga pandemia.


Ne e festojmë Marsin e këtij viti për t'u thënë "faleminderit" atyre që u detyrohemi për gjithçka jemi dhe gjithçka dimë, ndaj atyre që na kanë paraprirë dhe nga të cilët kemi mësuar.


Duam t'u themi "faleminderit" edhe atyre që na dëgjojnë e që duan të mësojnë prej nesh, e që para së gjithash shpresojmë që për ta të jemi "mësues të jetës"  që të arrijmë t'u transmetojmë dashurinë për jetën dhe diturinë. 


Ne e festojmë Marsin e këtij viti për t'u thënë "faleminderit" atyre që na kanë bërë ta shtojmë dashurinë për profesionin tonë, për veten tonë, si pjesë e të njëjtit zinxhir profesionalizmi, pasioni, aftësie dhe këto të fundit urojmë t'ia kemi transmetuar nxënësve tanë. 


Ne e festojmë Marsin e këtij viti sepse si kurrë më parë, është kaq e rëndësishme të jemi aty dhe të kontribuojmë në përmirësimin e familjes njerëzore.


Shumë urime ndaj mësuesve, edukatorëve dhe personelit ndihmës, që së bashku formojnë stafin, ekipin "Shën Jozefi"!


Misioni vazhdon: Dashuria edukon.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,563 Lexime
3 vjet më parë