EDUKIMI I FËMIJËS

Nëse e ushqejmë fëmijën që është ai i keqi, nuk do të bëhet dot i mirë

Edukimi i fëmijës është mision për çdo prind. Lidhur me kritikat në publik, pediatria e njohur Lira Gjika shpjegon pasojat e një komunikimi të tillë.

Edukimi i fëmijës është mision për çdo prind. A ia dalin gjithmonë që të edukojnë fëmijë të mbarë dhe të sjellshëm? Kjo është një pikpyetje e madhe, por e sigurt është që prindi gjithmonë përpiqet të arrijë maksimumin kur bëhet fjalë për fëmijët. Dhe shpesh herë të rriturit gabojnë, pa vetëdije… 

Kritikat në publik apo krahasimi i fëmijëve është një temë mjaft delikate. Shpesh, të rriturit kritikojnë fëmijët e tyre, i krahasojnë ata me bashkëmoshatarët apo fëmijët e lagjes dhe klasës. Dhe kjo ndodh gjithmonë kur të vegjlit bëjnë një veprim që sipas të rriturve nuk është i duhuri.

Lidhur me kritikat në publik, pediatria e njohur Lira Gjika shpjegon pasojat e një komunikimi të tillë. 

Kur e etiketon fëmijën “Ti je çun i keq” apo “Ti je goc e keqe”, vetëm e huton. Pse e huton? Sepse fëmija nuk e kupton çfarë ka ndodhur. Fëmija është i vogël dhe truri (si masë) është i parritur, dhe mendja e fëmijës është e parritur. Kështu mendon. Në bazë të fjalëve. Kur i thuhet “Ti je çun i keq”, e çbën fëmijën dhe nuk e kupton pse është i keq. Fëmija bëri një veprim dhe është detyrë e të rriturit, qoftë prind,  edukator apo kushdo, t’i thotë se ky veprim është i keq. Dhe si i rritur t’ia tregojë që të mos e përsërisë më. Natyrisht, fëmija do e përsërisë, sepse që të arrijë truri të kërkojë le të themi ato hapësira, duhet kjo eksperincë dhe ky kombinim i rritur-i parritur, që ai të marrë këtë informacion, që qoftë masa trunore, qoftë mendja e fëmijës të zhvillohet. Themi një fjalë pa menduar se çfarë themi dhe se çfarë i bëjmë fëmijës, dhe ky reagim emocional nëpërmjet bezdisë dhe etiketimit është shumë i dëmshëm dhe pa edukatë. 


Na vjen mirë ose jo, jemi të rritur që përtojmë të mendojmë. Mund të kesh një gjë shumë të rëndësishme duke bërë, por fëmija bëri një veprim dhe ti duhet të ndërhysh. Nëqoftëse nuk e kapërcen këtë fazë emocionale, këtë bezdi, ngatërresë apo nervozizmin që të shkakton veprimi i fëmijës, pra ti duhet të dalësh mbi këtë sepse je i rrituri de presupozohet që di të menaxhosh situatën emocionale dhe duhet të dalësh dhe të thuash fjalën e duhur. nuk mund të flasësh në përgjithësi. Nëse thua “çun i keq” është në përgjithësi. Kur thua fjalën e saktë, fëmija ka nevojë për këtë përcaktim të të rrituri. E ka nevojë më shumë se urgjente, që të dijë çfarë bëri, të kuptojë që është veprmi i keq dhe jo ai i keqi. Nëse ne e ushqejmë fëmijën që është ai i keqi, nuk do të bëhet dot i mirë. Vetëm rastësisht”, shprehet pediatria Lira Gjika, e cila shpjegon se edukimi nëpërmjet etiketimit të të keqes do të sjellë breza të pasigurt. 

“Duke qenë i pasigurt, je konfuz, nervoz dhe do kesh adoleshent akoma edhe më problematic, sepse kur janë të vegjël i dominon, por kur bëhen adoleshent nuk i dominon dot më”, thotë Gjika. 

Pediatria e njohur sugjeron që në momentin kur fëmija bën një veprim gabim, prindi nuk duhet të shpërthejë. 



Është e vjetër sa bota, gjithmonë brezi paraardhës kritikon brezin pasardhës. Është normale që brezi pasardhës do të sjellë diçka të re, që është e brezit të tij. E shoh që kemi filluar të jemi kundra ipad-eve, rrjeteve sociale etj., pra nuk jam kundra sepse është karakteristikë e këtij brezi. Unë jam kundër keqpërdorimit të këtyre pajisjeve… fëmija nesër do e ketë mjet pune, por duhet përdorur me kujdes. Po të jemi pak të vëmendshëm, këtë potencial dhe energji që kanë të rinjtë, ne e përdorim shumë mirë në shërbim të të ardhmes. Të fillojmë të shmangim paragjykimin dhe të heqim nga përdorimi “çun i keq”, “goc e keqe”. Mos t’i krahasojmë fëmijët dhe të heqim këto etiketimet: "Një veprim bëri”, përfundon Lira Gjika. 



(Anxhela Devole; Portali Shkollor)

6,025 Lexime
2 muaj më parë