Analizë

“Nevoja për ndryshim dhe ndryshimet me pikatore...” nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku

Së fundmi MAS ka ndryshuar “Rregulloren për funksionimin e IAP nr.31, datë 28.01.2020”. Por a i plotësoi ky ndryshim të gjitha nevojat e sistemit arsimor parauniversitar që janë evidentuar nga 2020 deri sot, apo ndryshimeve që presim të ndodhin në vijim?

Së fundmi MAS ka ndryshuar “Rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar me urdhrin e Ministrit të MASR-së Nr.31, datë 28.01.2020”. A i  plotësoi ky ndryshim të gjitha nevojat e sistemit arsimor parauniversitar që janë evidentuar nga 2020 deri sot, apo ndryshimeve që presim të ndodhin në vijim?


Në mënyrë absolute nuk i ka plotësuar nevojat, thjesht ka legjitimuar disa element që “defakto” kryheshin në sistem,“pa rregullore”. Këtu përmend regjistrimin e nxënësve dhe sistemin SMIP.


Shumë mirë që u miratuan këto ndryshime, por mendoj se nevoja për ta riparë në tërësi rregulloren ka qenë e detyrueshme edhe për aspekte të tjera.


Siç thotë Mahatma Gandi;- “Ndryshimi midis asaj që duam dhe asaj që mund të bëjmë do të mjaftonte për të zgjidhur shumicën e problemeve të botës.”- edhe në këtë rast MAS duhet të tregohej më largpamëse, duke menduar për të gjitha situatat që në shkolla tona diskutohen dhe realisht kanë nevojë për përmirësim e sqarim.


Më poshtë po listoj disa sugjerime që mund të ishin marrë në konsideratë nga grupet e punës dhe të ishin reflektuar në rregulloren e ndryshuar. Jam i bindur se edhe këtë herë do të kalojnë në heshtje, por gjithsesi po i publikoj në faqen tuaj, për një diskutim më të gjerë e pse jo për mundësi reflektimi në të ardhmen e afërt.


***


Neni 5, pika 4. Për regjistrimin në klasat përgatitore duhet të hiqej pjesa që kufizon regjistrimin vetëm për fëmijët që nuk kanë vijuar asnjë ditë në kopsht.


Neni 7,pika1. Njësia arsimore vendore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore përcaktojnë kapacitetet maksimale të secilit institucion arsimor publik dhe e publikojnë në faqen zyrtare të ZVAP dhe IPAP-së.


Neni 7, shtohet pika 2.1 për të gjitha rastet kur mbeten fëmijë të paregjistruar për disa arsye.


a) Nxënësit që mbeten paregjistruar në e-Albania për arsye të ndryshme apo kërkesa e tyre nuk pranohet për shkak të plotësimit të kapaciteteve, të regjistrohen me urdhër të njësisë arsimore vendore, në shkollën më të afërt me vendbanimin e përhershëm të fëmijës, në dyjavëshin e fundit të muajit qershor.

b) Regjistrimi në klasën e parë të bëhet deri në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor për nxënësit e kthyer nga emigracioni apo për arsye të tjera madhore nuk kanë mundur të kryejnë regjistrimin në fazën e parë.

c) Pas regjistrimit fillestar çdo lëvizje e nxënësve apo çregjistrim në e-Albania për arsye të ndryshme të bëhen me urdhër të njësisë arsimore vendore, jo nga vetë shkolla.


Neni 11, hapja e klasave të profilizuar në sport dhe arte duhet të parashikojë procedurën e pranimit të nxënësve në klasën e parë ose të gjashtë, me konkurs. Nëse kryhet me procedurë konkurrimi, të rregullohet sipas nenit 15 të rregullores. 


Neni 20, pika 5,mësuesi ngarkon në SMIP rezultatet e vlerësimit të nxënësve etj...


Neni 21, shtohet pika 5. ASCAP në bashkëpunim me QShA-në apo agjenci të tjera të specializuara dërgojnë në shkolla teste të standardizuara. 


Neni 24, pika 1, veprimtaria në IA (me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme) është 5 ditë me kohë të plotë dhe 3 ditë me kohë të pjesshme, nga e hëna deri të premten.


Neni 28,pika 3, duhet shfuqizuar. Në Tiranë të gjitha palestrat janë kthyer në mjedise biznesi dhe shkolla s’ka asnjë përfitim nga kjo. Ndoshta duhet që MAS të përdorë këto mjedise në kuadër të ShQK apo BDSh.


Neni 30, pika 1, ngritja e njësisë së shërbimit psikosocial bëhet sipas urdhrit ....... Pika 4, duhet të ndryshojë, pasi NjShPS nuk është më në varësi të ZVAP por të DRAP, këtu duhet vendosur koncepti i supervizorit ose një nga punonjësi e ShPS .Ka nevojë të përshtatet edhe neni 31 dhe 32 pasi ka ndryshuar koncepti i Njësisë së Shërbimit Psikosocial.


Për nenin 35. Rregullat e veshjes dhe të paraqitjes së punonjësve arsimorë. Duhet ndryshuar tërësisht duke përgjithësuar rregullat përkatëse. Të zbatohet Kodi i Etikës së veshjeve duke prezantuar denjësisht figurën e mësuesit. Veshja e mësuesit duhet të jetë në raport me funksionet që kryen duke respektuar të gjitha rregullat e përgjithshme të parashikuara në këtë fushë, por në të njëjtën kohë duke respektuar autoritetin institucional ndërmjet kolegëve dhe nxënësve. Rregulla të detajuara, uniforma që duhet të përdor stafi mësimor apo punonjësi ndihmës të përcaktohen në rregulloren e brendshme të shkollës.


Neni 32, duhet të marrë në konsideratë të shtohet një pikë. Pranë njësisë vendore të arsimit parauniversitar ngrihet komisioni epror i etikës me 5 anëtar, (drejtori i ZVAP, 2 punonjës nga ZVAP, 1 punonjës i ShPS dhe kryetari i këshillit të prindërve në nivel ZVAP-je. Ky komision trajton ankesat për vendimet e komisioneve shkollore ose merr në shqyrtim raste të cilat tejkalojnë kompetencat e komisioneve shkollore.


Për nenin 41, raporti i drejtorit të institucionit arsimor me komisionin e etikës dhe sjelljes duhet të shtohen përcaktime në strukturën e raportit vjetor të komisionit të etikës dhe sjelljes i cili mund të përmbajë: 


  • Përmbledhje të ankesave, rasteve, çështjeve të trajtuara dhe e problematikës/ problematikave kryesore. Vlerësim i performancës së anëtarëve të komisionit.
  • Vlerësim i zbatimit të Kodit të Etikës dhe të Sjelljes nga punonjësit arsimorë, përfshirë nivelin drejtues e administrues të IA-së sipas standardeve të Kodit. 
  • Mënyrat e zgjidhjes së çështjeve/problemeve të trajtuara. Raporti vjetor të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit.


Neni 42,pika 2, të shtohet... “Njofton me shkrim ZVAP dhe DRAP”.


Neni 46,vlerësimi i drejtorëve vendoset në dosjen personale të drejtorëve dhe i dërgohet DRAP-së.


Neni 47 pika 2 Ndarja e detyrave ne drejtorinë e IA-së.

Përcaktimin e kompetencave për nëndrejtorin të jenë të shkruara në ketë nen. Po kështu dhe detyrat e kryemësuesit duhet të jenë të përcaktuara në rregullore.


Neni 74, shtohet pika 4. Për nxënësit që mbarojnë arsimin e mesëm të lartë me rezultate të shkëlqyera procedura e dhënies së medaljes së artë përcaktohet me udhëzim Ministri.


Neni 75. Mungesat e nxënësve, flet për shënime në regjistër ndërkohë që tani kemi në përdorim regjistrin elektronik.


Nenin 78, pika 8. Nuk ka më kuptim me SMIP. Neni 78, pika 10, “Procedurat e transferimit të nxënësve”.Transferimi i nxënësit të shkollës së mesme të lartë në shkolla të mesme të profilit tjetër (gjimnaz gjuhësor, shkollë e mesme artistike, medrese etj) ose anasjelltas mund të bëhet në fund të vitit ose dhe gjatë vitit për raste të veçanta, me miratim nga ZVAP. Nxënësi shlyen detyrimet që rrjedhin nga ndryshimet e planeve mësimore kur numri i lëndëve për t’u ekuivalentuar nuk është më i madh se 6.


Neni 79. Orientimi i nxënësve për karrierën e tyre. Duhet referuar udhëzimi përkatës pasi shumë gjëra kanë ndryshuar tashmë.


Neni 80, pika 1 të bëhet: Kryetar i KMD është supervizori ose personi përgjegjës për SHPS në ZVAP.


Neni 80, pika 5. Komisioni pranë ZVAP të ketë hapësirë të bëjë vlerësimin e fëmijës dhe të rekomandoje nevojën për mësues ndihmës edhe në rastet kur fëmija nuk ka një raport mjeko-ligjor, por ka një diagnozë që përcakton aftësinë e tij të kufizuar nga profesionistë të licencuar.

Të shtohet një pikë pas pikës 5 e cila i jep të drejtën komisionit të IA të zakonshëm dhe drejtorit të IA që në rastet kur prindi nuk pranon bashkëpunimin t’i drejtohet komisionit të ZVAP me kërkesë për vlerësimin e nevojave arsimore dhe shoqërore të fëmijës pasi ka vlerësuar se kjo është në interesin më të lartë të fëmijës. 

Të shtohet një pikë që komisioni i IA-së të vendosë edhe për nxënësit në vështirësi në të nxënë (për probleme të ndryshme) pa pasur të nevojshme për një raport nga mjeku specialist.

Në rast se prindi refuzon rekomandimin për ndjekjen e arsimit special, KMD rivlerëson nevojat e fëmijës kur ka kërkesë të përsëritur nga institucioni arsimor. Në raste përjashtimore, kur prindi edhe pas rivlerësimit refuzon rekomandimin e KMD për llojin e institucionit arsimor që duhet të ndjekë fëmija, komisionit i lind e drejta të dali me vendim. Vendimi i KMD duhet të mbajë në konsideratë të drejtën e fëmijës për të pasur një zhvillim të shëndetshëm fizik, mendor, moral, psikologjik e social si dhe pasojat serioze në jetën dhe shëndetin e vetë fëmijës ose të fëmijëve të tjerë, edhe nëse prindërit ose kujdestari nuk japin pëlqimin.


Neni 86, Shkollat e specializuara për nxënësit me aftësi të kufizuar; Neni 87, Mësuesi ndihmës në shkollat e specializuara;


Neni 101 Komisioni disiplinës. Të shtohet, vendimet e këtij komisioni të shqyrtohen paraprakisht nga institucioni arsimor vendor, për të shmangur konflikte interesi dhe më tej. 


Neni 108, pika 2. Largimi dhe mbarimi marrëdhënies së punës së mësuesit të shtohet edhe: Ka rekomandim me shkrim nga komisioni i disiplinës së shkollës apo njësisë arsimore vendore.


Neni 115. Ruajtja e dokumenteve në arkivin e institucionit arsimor duhet të ndryshojë, pasi tani flasim për sistem elektronik (SMIP) duhen saktësuar amza e shkollës dhe indeksi alfabetik i amzës; evidenca e treguesve antropometrikë dhe cilësive fizike të nxënësve; regjistri i veçantë ku nënshkruajnë nxënësit që marrin dëftesën e arsimit bazë, certifikatën dhe diplomën e Maturës Shtetërore; procesverbali i korrigjimeve në amzë, në indeksin e saj dhe në regjistrin e veçantë; Fletorja e kontingjenteve të nxënësve të institucionit. Dokumentacioni që pasqyron lëvizjet e nxënësve. Regjistri i klasës. 

© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,383 Lexime
5 muaj më parë