PËREMRI "YNË" DHE "JONË"

Ngatërrimi i shpeshtë i përemrave “ynë” dhe “jonë”

Shpeshherë në gjuhën e folur, por edhe në të shkruar, hasim në përdorim të gabueshëm të përemrit pronor “jonë” në vend të përemrit “ynë”. Ja disa raste të evidentuara nga redaktorja Medina Mehmeti.

Nga Medina Mehmeti


Gjuha shqipe ka shtatë lloje përemrash:

1. Përemrat vetorë

2. Përemrat dëftorë

3. Përemrat pronorë

4. Përemrat pyetës

5. Përemrat lidhorë

6. Përemrat vetvetorë

7. Përemrat e pacaktuar


Në këtë shkrim do të përqendrohemi te përemrat pronorë, përkatësisht te përdorimi i përemrave “ynë” dhe “jonë”.

Shpeshherë në gjuhën e folur, por edhe në të shkruar, hasim në përdorim të gabueshëm të përemrit pronor “jonë” në vend të përemrit “ynë”.


Ja disa shembuj, të cilët me pak hulumtim mund të gjenden në “Google” si tituj lajmesh në portalet e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë.

1. Ahmeti: Plani jonë për pastrim i pamundëson bllokadat politike

2. Basha: Plani jonë ekonomik, zgjidhje për një të ardhme të sigurt

3. Si ikën dhjami nga trupi jonë?

4. 10 Ushqime të zakonshme që trupi jonë nuk i duron më

5. Si reagon organizmi jonë kur bën ftohte, si duhet të kujdesemi

6. Zaev: Obligimi jonë është anëtarësimi në NATO dhe BE


Në të gjitha këto raste mund të vërejmë se nuk është bërë përshtatja e gjinisë së përemrit me emrin. Kemi emrat mashkullorë: plani, trupi, organizmi, obligimi, të cilët i ndjek trajta e përemrit pronor në gjininë femërore: “jonë”.  Kur emri që i prin përemrit pronor është në gjininë mashkullore, duhet të përdoren përemrat e mëposhtëm.

Për shembull:

Plani im

Plani yt

Plani i tij/i saj

Plani ynë

Plani juaj

Plani i tyre


Kur emri që i prin përemrit pronor është në gjininë femërore, duhet të përdoren përemrat e mëposhtëm.

Për shembull:

Shtëpia ime

Shtëpia jote

Shtëpia e tij/e saj

Shtëpia jonë

Shtëpia juaj

Shtëpia e tyre


Pra, forma e saktë e përemrave në shembujt e mësipërme është:

1. Ahmeti: Plani ynë për pastrim i pamundëson bllokadat politike

2. Basha: Plani ynë ekonomik, zgjidhje për një të ardhme të sigurt

3. Si ikën dhjami nga trupi ynë?

4. 10 Ushqime të zakonshme që trupi ynë nuk i duron më

5. Si reagon organizmi ynë kur bën ftohtë, si duhet të kujdesemi

6. Zaev: Obligimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe BE



(Portali Shkollor)

2,981 Lexime
2 muaj më parë