NIKOLLA PERDHIKU

Nikolla Perdhiku, njeriu që punoi fort dhe plot pasion një jetë të tërë

Kushdo që ka punuar me profesor Nikolla Perdhikun apo edhe ka qenë nxënës i tij mbart kujtime të shumta. Me qetësinë tipike dhe me saktësinë e një matematicieni, profesor Nikolla arrinte të t’i bënte shumë të thjeshta problemat matematikore.

Kushdo që ka punuar me profesor Nikolla Perdhikun apo edhe ka qenë nxënës i tij mbart kujtime të shumta nga puna me të. Me qetësinë tipike që e karakterizonte dhe me saktësinë e një matematicieni, profesor Nikolla arrinte të t’i bënte shumë të thjeshta edhe problemat dhe teoremat më të vështira të matematikës. Kur fliste për nxënësit dhe shkollën, ai ndihej krenar për punën e palodhur që bëhej.  Pasioni i tij për punën ndihej në çdo shifër, ekuacion, në çdo term matematike. Nuk ngurronte kurrë të të shpjegonte me qetësi edhe problemat më të vështira të matematikës. Ajo ishte pasioni i tij...


Dita e tij kalonte mes nxënësve, duke punuar fort në orën e mësimit, duke i përgatitur pasditeve për olimpiada matematike, mes mësuesve duke kryer kualifikime didaktike dhe mes librave, duke përgatitur teste, ushtime dhe problema për matematikën. 


Nikolla  Perdhiku lindi në Ersekë më 11 dhjetor 1946.  Shkollën e mesme  e kreu në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në qytetin e lindjes. Më pas studioi për matematikë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.


Më pas punon si mësues në Berat, Durrës, Tiranë etj. Për rreth 20 vjet, përveçse jepte matematikë, përgatiste nxënësit e talentuar për olimpiada të ndryshme në matematikë; ishte lektor për kualifikimin didaktik të mësuesve të matematikës të shkollave të mesme. Ai ka mbajtur edhe postin e nëndrejtorit dhe të drejtorit të disa shkollave të mesme, si në Berat, Durrës, Tiranë etj. 


Por profesor Nikolla kishte shumë për të dhënë nga vetja. Shkolla, mbarëvajtja e punës pedagogjike, përgatitja e nxënësve, kualifikimi i mësuesve të matematikës dhe lënda e matematikës ishin pasioni i tij. 

Instituti i Studimeve Pedagogjike e fton profesor Nikollën në hartimin e objektivave të arritjes në lëndën e matematikës për shkollat e mesme. 


Pas kësaj, profesor Nikolla aktivizohet nga Ministria e Arsimit për hartimin e tezave të provimeve të Maturës Shtetërore. 


Në përgatitjen e nxënësve të talentuar për olimpiada të ndryshme,  puna e profesor Nikollës është shpërblyer me shumë çmime të dyta dhe të treta në rang kombëtar.  Për punën e tij të palodhur me nxënësit dhe kualifikimin didaktik të mësuesve, profesor Nikolla është vlerësuar nga Ministria e Arsimit me distinktivin Mësues i Dalluar, si dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” të  Klasit të Tretë. 


Por hapi i tij kurrsesi nuk mund të ndalej me kaq! Ai u mor me hartimin e teksteve të matematikës për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, si autor dhe bashkautor. Janë me dhjetëra tekstet shkollore të matematikës që mbajnë emrin e tij. Hartoi disa tekste për përgatitjen e maturës shtetërore, për olimpiadat e matematikës për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme etj. 


Kohët e fundit, edhe pse doli në pension, ai kurrë nuk u largua nga nxënësit, mësuesit, matematika... Punoi fort dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm deri ditën që iku nga kjo botë. Dha nga vetja gjithçka mundi të jepte për nxënësit, shkollën, matematikën... dhe jam e sigurt që po të ishte ende mes nesh, do të jepte sërish e sërish, pa u lodhur kurrë. 



(Përgatiti Sevi Agolli, redaktore e shtëpisë botuese Albas)

4,591 Lexime
4 vjet më parë