MATURA SHTETËRORE 2019

Nis regjistrimi për në universitete. Lista ndryshon çdo 48 orë

Maturantët që janë pjesë e listës së fituesve të fazës së parë të këtij raundi, duhet të tregohen të kujdesshëm me zbatimin e afateve të regjistrimit, pasi nuk mund të vijojnë studimet e larta edhe pse janë shpallur fitues në një program të caktuar.

Maturantët në vend dhe kandidatët e tjerë që janë pjesë e listës së fituesve të fazës së parë të këtij raundi, duhet të tregohen të kujdesshëm me zbatimin e afateve të regjistrimit, pasi në të kundërt nuk mund të vijojnë studimet e larta edhe pse janë shpallur fitues në një program të caktuar. Sipas udhëzimeve të miratuara më herët nga dikasteret përgjegjëse të arsimit të lartë në vend, procesi i regjistrimit në raundin e parë do të zhvillohet në 7 faza 48-orëshe. Çka do të thotë se lista e fituesve të këtij raundi do të ndryshojë shtatë herë, kjo në varësi të kuotave që do të mbeten të paplotësuara nga përfundimi i çdo faze regjistrimi. Procesi i regjistrimit nis sot zyrtarisht për çdo universitet. Fituesit e fazës së parë duhet të paraqiten përgjatë këtyre 48 orëve për të kryer procesin e regjistrimit. Kandidatët që nuk e bëjnë këtë procedurë e humbasin të drejtën për të ndjekur studimet e larta në këtë degë, duke mos pasur më asnjë mundësi tjetër regjistrimi përgjatë këtij raundi të parë pranimesh. Për të orientuar maturantët në lidhje me ndryshimin e listës së fituesve, në portalin “U-albania”gjenden të detajuara edhe udhëzimet se si duhet të verifikoni çdo preferencë për të parë nëse jeni fitues apo jo.


Afatet e regjistrimit

Çdo kandidat duhet të paraqitet në sekretarinë mësimore të fakultetit përkatës për të kryer regjistrimin në një nga programet e studimit ku është shpallur fitues. Regjistrimet për fituesit e raundit të parë fillojnë prej datës 2 shtator, e do të vijojnë deri në datën 15 shtator. Procesi i regjistrimit është i ndarë në 7 faza 48-orëshe. Në rastin e mosregjistrimit brenda 48 orëve, ju e humbisni të drejtën e regjistrimit në atë program ku jeni përzgjedhur.


Si të shikoni ndryshimin e listës!

Ndryshimin e listës së fituesve mund ta shikoni çdo 48 orë online në portalin “U-albania”, www.ualbania.arsimi.gov.al. Pasi të hapni këtë faqe, duhet të klikoni në “këndin e maturantit”, dhe pasi të hapet faqja përkatëse duhet të vendosni numrin tuaj të identifikimit. Pas këtij veprimi do të shfaqet tabela me  të gjitha preferencat e përzgjedhura nga ju për vijimin e garës së studimeve të larta përgjatë raundit të parë. Secila prej preferencave do të jetë e shënjuar me një ngjyrë të caktuar, e cila tregon mundësitë që keni për të qenë fitues, ose jo. Kështu çdo preferencë që është shënuar me ngjyrë të gjelbër tregon që ju jeni fitues në këto programe studimi. Në këtë rast duhet të vendosini se në cilën prej tyre doni të ndiqni studimet e larta dhe brenda 48-orëve duhet të paraqiteni për të regjistrimin si fitues. Në të kundërt e humbisni degën e fituar, duke i dhënë kështu mundësinë një tjetër maturanti që të jetë fitues në fazën e dytë të regjistrimit që do të zhvillohet në 48 orët e ardhshme. Preferencat që janë të listuara me ngjyrë të kuqe tregojnë se nuk jeni fitues në këto programe studimi, por nga procesi i regjistrimeve, si dhe kuotat e mundshme të pranimit mund të ndodhë që të lirohen vende të cilat mund të krijojnë një shans për të qenë ju fitues. Ndaj këshillohet që të shikoni çdo herë ndryshimin e listës pas mbylljes së secilës fazë të regjistrimit të raundit të parë. Më tej sqarohet në rastet kur preferenca juaj shfaqet me ngjyrë të verdhë, kjo do të thotë se ju jeni fitues, por që procesin e regjistrimit mund ta kryeni vetëm në raundin pasardhës. Ndërsa preferencat e shënuara me gri tregojnë se ju nuk mund të jeni fitues në këto programe studimi.


Dosja e regjistrimit

Sikundër u theksua edhe më lart, për të bërë procesin e regjistrimit duhet të paraqiteni në sekretaritë mësimore të fakultetit që keni përzgjedhur për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara. Sipas ekspertëve të arsimit të lartë në dosjen e regjistrimit duhet që të përfshini: dokument identifikimi, kartë identiteti ose pasaportë ku në dosje mbahen vetëm kopjet e tyre, fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesën e pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MASR, mandatin e pagesës së tarifës së regjistrimit, si dhe deklaratën, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësja e sekretarisë.


Procesi i çregjistrimit

Nëse jeni regjistruar ën një program studimi, por dëshironi që në raundin e dytë të fitoni një tjetër preferencë, ju mund të kryeni procesin e çregjistrimit në datën e përcaktuar. Vetëm në këto kushte dega e studimit mund të ndryshohet. Referuar afateve të përcaktuara, ju mund të çregjistroheni vetëm më datën 16 shtator. Për këtë çdo kandidat duhet të paraqesë një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku dhe është regjistruar, duke tërhequr dokumentet e dorëzuara. Më pas duhet të plotësoni sërish formularin A2 në raundin e 2-të, për të hyrë në garë për studimet e larta në një tjetër degë të preferuar. Duhet të bëni kujdes, pasi nëse nuk çregjistroheni me 16 shtator, nuk mund ta ndryshoni më degën e studimit brenda këtij viti akademik.


Gara për raundin e dytë

Nëse nuk regjistroheni brenda afateve të përcaktuara, ju mund të garoni sërish për studimet e larta në raundin e dytë të pranimeve që do të zhvillohet në mesin e muajit shtator. Në këtë raund mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që nuk fituan dot në raundin e parë, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online të raundit të parë dhe nuk janë shpallur fitues, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen, si dhe kandidatët që janë çregjistruar në përfundim të raundit të parë me qëllim ndryshimin e degës së studimit duke hyrë sërish në garë me dhjetë preferenca të reja. Procedura e aplikimit do të jetë e njëjtë si ajo e raundit të parë. Vetëm maturantët që aplikojnë për herë të parë në këtë raund të dytë do të shlyejnë tarifën prej 2,000 lekësh për plotësimin e formularit të preferencave. Ndërsa kandidatët që kanë aplikuar në raundin e parë nuk do të shlyejnë më tarifë aplikimi. Ndryshe nga raundi i parë, fituesit e raundit të dytë do të regjistrohen në 5 faza 48-orëshe. Procedura e regjistrimit do të jetë po e njëjta. Edhe në këtë raund kandidati që nuk është i kënaqur me degën ku është shpallur fitues mund të bëjë çregjistrimin për të hyrë sërish në garë përgjatë aplikimeve të raundit të tretë.




Matura Shtetërore



(Portali Shkollor)

1,258 Lexime
1 javë më parë