
Nis viti akademik 2025-2026, studentët drejt shëndetësisë e TIK-ut mes rënies në publik
Studentët në gjithë vendin nisin vitin akademik 2025-2026, me rreth 20 mijë regjistrime në raundin e dytë e deri 22 mijë në të tretin. Degët më të preferuara janë shëndetësia, TIK dhe inxhinieritë. Ndërkohë, numri i studentëve në publik bie, teksa privatët shënojnë rritje të ndjeshme.
Në të gjithë universitetet e vendit, sot studentët nisën vitin e ri akademik 2025-2026. Drejtori i Përgjithshëm i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj i tha ATSH-së se deri në fund të raundit të dytë pritet që numri i të regjistruarve për herë të parë në universitet të arrijë rreth 20 mijë studentë, ndërsa edhe me raundin e 3-të pritet të jenë rreth 22 mijë.
Ende janë mbi 2500 studentë që kanë aplikuar, por nuk janë regjistruar.
Gjatë këtij viti akademik, studentët që ulen për herë të parë në auditore kanë preferuar më shumë degët që lidhen me shëndetin, si Mjekësia e Përgjithshme, Infermieria, Stomatologjia, Farmacia, si dhe degët e TIK-ut e inxhinieritë.
Mbi 50% e maturantëve kanë zgjedhur këto degë për studimet e tyre universitare.
Këtë vit vijon raundi i dytë i regjistrimeve në universitete, i nisur më 29 shtator e do të zgjasë deri më 8 tetor, në 5 faza 48-orëshe. Ndërkaq, raundi i tretë zhvillohet nga data 13 tetor deri më 24 tetor 2025. Në universitetet e vendit, falë procesit të ndërkombëtarizimit sot ka një ofertë edhe më të pasur akademike, me më shumë programe të përbashkëta, dygjuhëshe.
Studentët që ulen në auditorë po reduktohen me shpejtësi nga viti në vit, duke bërë që numri i tyre në pjesën dërrmuese të fakulteteve të jetë shumë më i ulët se kapacitetet universitare. Degët që më parë ofronin dhjetëra dhe qindra kuota studimi, në disa raste tashmë po i numërojnë studentët me gishtat e njërës dorë.
Universiteti i Tiranës, që mbetet institucioni më i madh në vend, ka humbur pothuajse 6 mijë studentë ndërmjet viteve 2016 dhe 2024, ndërkohë që rënia ka qenë edhe më e fortë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin e Vlorës.
Rënia e numrit të studentëve në arsimin publik është në kontrast me tendencën e sektorit privat. Në vitin 2016, në institucionet jopublike të arsimit të lartë ishin vetëm 24 mijë studentë, ndërsa në vitin 2024 shifra ka arritur mbi 37 mijë. Një tjetër prirje është zgjerimi i interesit për degët e lidhura me shëndetësinë dhe stomatologjinë, ku universitetet private kanë pasur rritje të shpejtë të regjistrimeve.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Flori Kasaj, studenti ekselent punon në Call Center
Udhëzimi për procedurat e Aplikimit Universitar 2023
Mësimi në universitete do të bëhet online, pedagogët: Vendimmarrje e vonuar