dedikim

"Një klasë bosh sot në shkollë...", shkrimi emocionues i mësueses Bukurie Hajdarmataj për nxënësit e saj maturantë

Kjo është periudha me plotë emocione të larmishme për të gjithë nxënësit që i japin fund arsimit parauniversitar. Por emocionet përfshijnë edhe mësuesit e tyre, veçanërisht ata kujdestarë. Letra e mëposhtme mbart mbi të gjitha mallin që ndjen që sot mësuesja Bukurie Hajdarmataj për nxënësit e saj maturantë.

Qenka shumë prekëse, deri në lot, të vish në klasë dhe të gjesh në tabelë të shkruar dedikime dashamirëse të maturantëve të cilët sot kanë provimin e parë të Maturës Shtetërore. 

Orët e para kisha pushim dhe si mësuese kujdestare shkova u ula në tavolinën time dhe duke u uruar suksese me zemër për provimin e anglishtes në mëndje më vinin një nga një nxënësit e mi të cilëve u ndjej mungesën që sot.

Paloma dhe Oligerta që sa herë hyja në klasë kishin një fytyrë të ëmbël artistesh dhe të qeshur, të cilat asnjëherë nuk vinin të papërgatitura në mësime, nxënëset që mua dhe shkollën na nderuan në çdo aktivitet me interpretimet e tyre të bukura. 


Esmeralda me Mihrien të heshturat e klasës, inteligjentet e bukura me mendimet e tyre të sakta, të cilat më dhuruan mua dhe gjithë stafit pedagogjik lehtësirën në punën tonë sepse nuk kishe nevojë dy herë t’u thuash për të njëjtën gjë.

Ato ishin qetësia e ëmbël e klasës.


Emiljani dhe Florjani megjithëse jo të shkëlqyer në mësime nxënësit korrektë në punët e portofolit dhe me etikë.

Jetoni dhe Xhoni që hynin vrullshëm në klasë të shkujdesur gjithmonë dhe shumë emocionalë ishin humori i ekskursioneve.


Sosja dhe Dallëndyshja gjithnjë në bankën e parë me një butësi fëmijërore në fjalët e tyre.


Dhe i fundit vjen Ardenisi i apasionuari pas futbollit dhe volejbollit, i cili organizonte gjithmonë këto ndeshje midis klasave.

Për tre vite u bëmë si një familje që e din secili pjesëtarë hallin e tjetrit dhe e ndihmon. Dhe sot unë,  mësuesja kujdestare juaja, ju uroj suksese në hapat e jetës dhe qofshi me shpirtin e lirë dhe fëmijërorë gjithë jetën!


Nga Bukurie Hajdarmataj

Mësuese e gjuhës dhe letërsisë 

Shkolla e mesme “ Hoxhë Zogu”, Zogaj, Rrethi i Tropojës



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,802 Lexime
5 muaj më parë