OPINION

Nxënësit dhe studentët duhet t'i rikthehen mësimit në klasa dhe auditore!

“Deri në 25 prill sheshet, ambientet e mbyllura dhe bar-restorantet ku do të zhvillohen takimet elektorale do të jenë të tejmbushura e ndërsa shkollat me numër të kufizuar nxënësish apo edhe auditoret e universiteve të boshatisur. Mos e vrisni arsimin as shpresat e të rinjve shqiptarë”, nga Lindita Kokaj.

Arsimi në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të botës është përballur me sfida të mëdha. Prej 1 viti ka munguar bashkëjetesa normale si në shkolla ashtu edhe në universitete.


Ndërkohë që në arsimin parauniversitar po zbatohen skenaret e përcaktuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë duke gërshetuar mësimin online me prezencen fizike, apo edhe mësimin me turne. Universitetet vazhdojnë të jenë të mbyllura akoma për studentet edhe për vitin akademik 2020-2021.


Sezoni i parë i provimëve në universitet aktualisht vijon, por pyetja që lind prej kohësh është se : A duhet të rikthehen studentët në auditore?


Mos vallë shkollat dhe universitetet janë vatra më të rrezikshme se sa ambientet e mbyllura apo të hapura të takimëve elektorale?

Të vështrosh prej muajsh fotot apo videot në faqet zyrtare në rrjetet sociale të të gjitha subjekteve politike apo edhe informacionet që transmesotehen në mediat vizive, shihet që masat e vendosura nga Komiteti Teknik për patandalimin e Corona Virus nuk po zbatohen prej kohësh nga të gjithë organizatorët apo pjesëmarësit.


Ka pasur dhe vazhdon të ketë grumbullime masive në ambientet të mbyllura dhe të hapura, ku personat janë pa maska mbrojtëse dhe nuk respektohet as distanca fizike.


Pjesë e këtyre takimeve janë persona që kanë fëmijë në shkollë apo universitete, janë mësues apo pedagogë, janë gjimnazistë apo studentë, apo edhe bashkudhëtarë në mjetet e transportit publik. 


Atëherë sa të mbrojtur janë nxënësit, studentet apo stafet pedagogjike nga mosinfektimi prej virusit në një realitet të tillë?


Në klasa numri i nxënësve aktualisht ështe 10-12, në kushtet normale 35, pra shumë herë më pak se sa ka pasur në një ambjent të mbyllur ku janë zhvilluar dhe po zhvillohen takime elektorale.


Po ashtu edhe në auditoret e universiteteve janë më pak studentë sesa në takime të tilla.


Por mbi të gjitha grupmosha 14-25 vjeç është shumë më pak e rrezikuar, që të preket nga Covid. Ndërkohë grupmosha e pjesëmarrësve në takimet elektorale është mbi 30-40 vjeç, madje edhe pensionistë, të cilët janë kategoria më e rrezikuar nga Covid.


Deri në 25 prill sheshet, ambientet e mbyllura, bar-restorantet ku do të zhvillohen takimet elektorale do të jenë të tejmbushura e ndërsa shkollat me numër të kufizuar nxënësish apo edhe auditoret e universiteve të boshatisur.


Mos e vrisni arsimin as shpresat e të rinjve shqiptarë, por shuani etjen për dije dhe kulturë duke i rikthyer normalitetin shkollave dhe universiteteve.



Nga Lindita Kokaj


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

3,649 Lexime
3 vjet më parë