NYJAT E PËRPARME

Nyjat e përparme/Vështirësitë tona me to

Përdorimi i saktë i nyjave të përparme është një temë e vështirë e gramatikës së gjuhës sonë, që sigurisht paraqet vështirësi për të gjithë ne. Këtu kemi sjellë për ju të gjitha rastet e përdorimit të nyjave të përparme, të ilustruara me shembuj!

Përdorimi i saktë i nyjave të përparme është një temë e vështirë e gramatikës së gjuhës sonë, që sigurisht paraqet vështirësi për të gjithë ne. Këtu kemi sjellë për ju të gjitha rastet e përdorimit të nyjave të përparme, të ilustruara me shembuj!

MBANI MEND! Përdorimi i nyjës së përparme ndikohet nga emri që ka përpara! 


SHKRIMI I NYJËS SË PËRPARME

1. Kur një emër i rasës gjinore, pavarësisht nga gjinia që ka, vjen pas një emri mashkullor në rasën gjinore a dhanore të shquar njëjës, shkruhet me nyjën e përparme “të” pavarësisht nga gjinia që ka emri para tij: P.sh.: diploma e një studenti të Institutit Bujqësor; diploma e një studenteje të degës së inxhinierisë etj.


2. Kur një emër i rasës gjinore, pavarësisht nga gjinia që ka, vjen pas një emri mashkullor në rasën gjinore a dhanore të shquar njëjës, shkruhet me nyjën e përparme “të” dhe kur ai vjen pas një emri femëror në po këto rasa, shkruhet me nyjën e përparme “së”:

P.sh.:  zyra e kryetarit të bashkisë; historia e luftës së popullit shqiptar; përvjetori i shpalljes së pavarësisë; pas stinës së pranverës etj.


3. Kur një emër femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës përcaktohet nga dy a më shumë mbiemra të nyjshëm (ose numërorë rreshtorë), mbiemri i dytë e të tjerët pas tij marrin nyjën “të” e jo “së”. Po kështu edhe kur mbiemri i parë është i panyjshëm ose kur emri përcaktohet njëkohësisht nga një përemër pronor dhe nga një a më shumë mbiemra të nyjshëm:

(i, e, të, së) fshatarësisë së varfër e të mesme; P.sh.:  (i , e , të , së) vajzës së urtë, të zellshme dhe të shkathët; (i , e , të , së ) fushës pjellore dhe të gjerë; (i , e , të , së) cilësisë, së parë, të dytë e të tretë  (i, e, të, së) vajzës së tij të dashur; (i, e, të, së) motrës së saj të dashur etj.

SHËNIM: Kur mbiemrat e nyjshëm (ose numërorët rreshtorë) ndodhen përpara emrit, përdoret nyja “së” e jo “të”: lotët e së shkretës e të së pangushëlluarës nënë etj.


4. Kur një emër femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës përcaktohet nga një ose disa mbiemra dhe nga një ose disa emra në gjinore, fjala përcaktuese e dytë e të tjerat pas saj marrin nyjën “të” e jo “së”:  (i, e, të, së ) fabrikës së re të tullave; ( i, e, të, së ) rrjedhjes së poshtme të Vjosës dhe të Semanit etj.


5. Kur pas një emri femëror të shquar të rasës gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës vijnë dy a më shumë emra femërorë në gjinore njëjës, nga këta të fundit, i dyti e të tjerët pas tij marrin nyjën “së” e jo “të” në rastet kur këta përcaktojnë emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre. Por në rastet kur këta përcaktojnë jo emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre, por atë që ndodhet para atij, shkruhen me nyjën “të” e jo “së”: punimet e tharjes së kënetës së fushës së Thumanës.


6. Kur një emër femëror në gjinore njëjës përcaktohet nga dy ose më shumë emra të bashkërenditur, që janë po në rasën gjinore, emri i dytë përcaktues e të tjerët pas tij marrin nyjën “të” e jo “së”. P.sh.: prodhimet e fushës së Korçës, të Myzeqesë, të Thumanës e të Zadrimës; punimet e stinës së pranverës, të verës, të vjeshtës, të dimrit; veshjet e krahinës së Mirditës dhe të Matit etj.


7. Kur dy emra në rasën gjinore ndjekin një emër në emërore njëjës, emri i dytë në gjinore, kur përcakton emrin në emërore, merr, sipas gjinisë së këtij të fundit, nyjën e përparme i për gjininë mashkullore dhe e për gjininë femërore: P.sh.:  libri i gjuhës i klasës së shtatë; fjala e nderit e shqiptarit; stina e verës e këtij viti etj.

SHËNIM: Kur emri i përcaktuar është në kallëzore, atëherë emri i dytë në gjinore merr nyjën “të” e jo “së”: në rafinerinë e naftës të Cërrikut etj.


8. Përpara emrave femërorë të nyjshëm, në gjinore, dhanore e rrjedhore shkruhet nyja “së” për trajtën e shquar dhe nyja “të” për trajtën e pashquar: P.sh.:  orari i së mërkurës; tiparet e së folmes së Mirditës; parashikimi i së ardhmes; kujtimet e së shkuarës; përhapja e së resë etj.; por: ndeshjet sportive të një të diele; tiparet e një të folme etj.

SHËNIM: Shkruhen me “së” në gjinore, dhanore e rrjedhore të shquar edhe emrat femërorë të farefisnisë, kur përdoren me nyjë: kujdesi i së bijës; i tha së motrës; mori letër prej së shoqes etj.


9. Kur një emër përcaktohet nga dy a më shumë emra të bashkërenditur në gjinore, të gjithë këta përdorën zakonisht me nyjë të përparme: P.sh.:  Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë; (i, e, të, së) Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë; shkollat e Tiranës, të Durrësit e të Elbasanit etj.


10. Kur pas një emri femëror ndeshen dy nyja të përparme të rasës gjinore të gjinisë femërore (së së) e para nga këto shkruhet “të”. P.sh.: hartimi i nxënëses së pestës së tetëvjeçares; ditëlindja e vajzëssë motrës etj.


11. Midis emrave mashkullorë që lakohen si femërorët (axhë, bacë, dajë, gegë, hoxhë, lalë, toskë; Bato, Gjokë, Kolë, Pirro, Sulë etj.) dhe emrave ose mbiemrave që i përcaktojnë ata, pas rasës emërore të të përcaktuarve shkruhet nyja “i”, ndërsa në gjinore, dhanore e rrjedhore shkruhet nyja “së”: axha i Agimit, (i, e) axhës së Agimit; daja i Zanës, (i, e) dajës së Zanës; Kola i Gjokës, (i, e) Kolës së Gjokës etj.


12. Mbiemrat e nyjshëm të shkallës pohore, kur vijnë pas një emri femëror në rasën gjinore a dhanore të trajtës së pashquar të njëjësit, shkruhen me nyjën “të”, ndërsa kur vijnë pas një emri në trajtën e shquar, shkruhen me nyjën “së”. P.sh.:  oborri i një shkolle të madhe; oborri i shtëpisë së madhe etj.


13. Në shkallën krahasore dhe në sipëroren e formuar me pjesëzën më mbiemrat e nyjshëm që përcaktojnë një emër femëror, në të gjitha rasat e zhdrejta të njëjësit shkruhen me nyjën e përparme “të”, ndërsa kur ndodhen para emrit, shkruhen me nyjën “së”. P.sh.:  hartimi i një rregulloreje të re e më të plotë; prodhimi i më së mirës verë të vendit etj.


14. Përemrat pronorë im, ime, yt, jote, ynë, jonë, juaj qoftë kur përcaktojnë një emër, shkruhen pa nyjë të përparme. P.sh.:  libri im; ky libër është imi; puna ime; kjo punë është imja; djali yt; yti ky djalë?; shtëpia jote; kjo shtëpi është jotja; vendi ynë; ky vend është yni; shkolla jonë; kjo shkollë është jona etj.

SHËNIM: Përemrat pronorë: e (të) mi,e (të) mia, e (të) tu, e (të) tua), i (e,të) tij, i(e,të) tyre, i (e,të) saj, shkruhen me nyjë të përparme në të gjitha trajtat dhe përdorimet e tyre: nxënësit e mi;fletoret e mia; djemtë e tu; duart e tua, shkolla e tij; motra e saj; fshati ityre; nëna e tyre etj.


/DREJTSHKRIMI I GJUHËS SHQIPE/


(Përgatiti: Sevi Agolli; Portali Shkollor)

1,688 Lexime
6 muaj më parë