Botimet shkollore Albas

Orë digjitale në lëndën filozofi XI

Ora digjitale me tekstin Filozofi XI, botimet shkollore Albas, u zhvillua në shkollën “Ernest Koliqi” me mësuesen Ana Rusta.

Ora digjitale e cila zhvillohet me tekstet shkollore albas është zhvendosur në shkollën “Ernest Koliqi” e cila është një ndër shkollat më të mira të Tiranës e vlerësuar në bazë të kartës së performancës nga Drejtoria Arsimore. 


Që në hyrje të shkollës duken gjurmët e nxënësve të cilët kujdesen për lulet, përzgjedhin mesazhet që duan të përcjellin dhe i vendosin ato në mure, shkallë e kudo... Duket se gjithçka në këtë shkollë ka një filozofi ku në qendër të saj është nxënësi.


Jemi me mësuesen Ana Rusta dhe do të ndjekim orën e filozofisë në klasën e XI. Ana ose “mësuesja sticky note” siç e quajnë nxënësit sepse ajo kujdesit gjithmonë që në këndin e klasës të lërë një shënim për ta!


“Sartri, varianti francez i mendimit ekzistencialist” kjo është tema mësimore e cila do të zhvillohet duke u bazuar në platformën shkollore albas e-libër.

Fusha: Shoqëria dhe mjedisi

Shkalla: V

Klasa: XI

Tema mësimore: Sartri, varianti francez i mendimit ekzistencialist

Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyçe

Kompetencat e komunikimit dhe të shprehurit. Nxënësi /ja:

 Argumenton problematikën e re të filozofisë moderne që lidhet me problemet e individit. Shfaq vetëbesim dhe vetëvlerësim në diskutimin filozofik. Respekton rregullat e komunikimit. 

Kompetenca personale. Nxënësi /ja: 

Lidh logjikisht gjykimet dhe vendimet e tij me pasojat. Zgjidh probleme dhe situata me rëndësi aktuale në shoqëri duke përdorur empatinë.

Kompetenca digjitale. Nxënësi /ja:

Përdor teknologjinë, si risi në kuptimin e problemeve të filozofisë moderne. Vërteton saktësinë e njohurive përmes teknologjisë së informimi

Rezultatet e të nxënit të temës mësimore:

Nxënësi/ja:  

• evidenton tezat kryesore të ekzistencializmit

• krahason esencializmin me ekzistencializmin 

• shpjegon ekzistencializmin e Sartrit, raportin ekzistencë-esencë;

• shpjegon qenien njerëzore si subjekt i vetëdijshëm;

• analizon disa ide të tij mbi lirinë e individit

Burimet / mjetet / materialet: Libri digjital i Filozofisë, interneti, mjete didaktike, posterat, PowerPoint, videoprojektor.


Situata e të nxënit: 

Sartri paraqet idenë e tij përmes një rasti me një student i cili përballet me një vendim të vështirë. Ky djalosh i ri gjendej në një udhëkryq në jetën e tij. Nga njëra anë ai mund ti bashkohej ushtrisë përgjatë luftës dhe të luftonte për një kauzë në të cilën besonte dhe ai dëshironte ta bënte këtë, mendonte se ishte e drejtë, por gjithashtu ai kishte nënën e moshuar që do të mbetej vetëm nëse ai shkonte në luftë. Kështu ai mund  të qëndronte me nënën dhe t’i linte të tjerët të luftonin për drejtësi ose të shkonte në luftë  të linte nënën vetëm dhe me gjasë të mos e shihte më atë. Studenti ndjeu një përgjegjësi në të dy situatat. Nëse do shkonte në luftë ai do të ishte një pjesë e vogël e një çështjeje të madhe. Kontributi i tij do ti shërbente diçkaje që prek miliona njerëz. Por nëse qëndronte me të ëmën ai do të bëj një ndryshim të madh në jetën e një personi. Cila është përgjigja juaj për situatën e dhënë? Cili do të  ishte vendimi? Reflektoni mbi vendimin.

Fjalët kyç: ekzistencë, esencë, humanizëm, liri, përgjegjësi, sjellje.

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: TIK-u, historia, letërsia, sociologji.

Fazat e strukturës- strategjitë mësimore- veprimtaritë e nxënësit -koha

Parashikimi: Përgatitja për të nxënët- Parashikim (stuhi mendimesh) – Prezantim detyrash/Diskutim idesh -10 min  

Ndërtimi i njohurive: Përpunim i përmbajtjes- Pyetje vetëvlerësuese -Pyetje vetëvlerësuese -25 minuta

Përforcimi: Konsolidimi i të nxënit-Diskutim -Diskutim përfundimesh- 10 min


Organizimi i orës së mësimit

Parashikimi: Përgatitja për të nxënit

Prezantohen detyrat e shtëpisë  nga nxënësit.  Nxënësit njihen me temën e re pëmes situatës së të nxënit. Nxënësit ftohen të reflektojnë dhe diskutojnë mbi të. Jepen orientimet përkatëse mbi situatën e të nxënit që na fusin në një botëkuptim të tezave ekzistencialiste të Sartrit. Cili do të ishte vendimi? Nxënësit reflektojnë mbi vendimin dhe japin argumentet përkatëse.

Ndërtimi i njohurive: Përpunim i përmbajtjes

Nxënësve u drejtohen pyetje mbështetur në drejtimet e mëposhtme: Ekzistenca paraprin esencën apo anasjelltas? Ç’përfaqëson ankthi për ekzistencialistët? Si përcaktohet sistemi moral e vleror në shoqëri? A mund ta konsiderojmë Sartrin ateist? Pse refuzon çmimin Nobel? 

-Raporti esencë-ekzistencë. Në mënyrë sintetike paraqitet në formën e një tabelë. 

- Sjellja morale

- Raporti ekzistencë-esencë

- Qenia njerëzore

- Liria dhe ankthi

- Ekzistencializmi ateist

- Refuzimi i çmimit Nobel

Në mbështetje të trajtimit të çështjeve të përmendura më sipër janë përzgjedhur edhe disa fragmente nga librat e Sartrit që ndihmojnë në kuptimin dhe ilustrimin e tezave të tij. Fragment nga libri ( Lysieni, Fëmijëria e një padroni) Çudi, më ngjan se nuk jam unë, sikur nuk po e njoh veten time!...Ky nuk jam unë. ”....faqe 289


Fragment nga libri “Neveria”- Ky çast ishte i jashtëzakonshëm. Unë isha atje, i palëvizshëm dhe i ngrirë, i zhytur në një ekstazë të tmerrshme. Mirëpo në gjirin e vetë kësaj ekstaze diçka e re sapo shfaqej: po kuptoja Neverinë, po e zotëroja atë…..

Gjithashtu librit digjital i është bashkangjitur një pjesë e artikullit nga gazeta “Le Figaro” , ku Sartri deklarohet pas refuzimit të çmimit Nobel.  


Përforcimi: konsolidimi i të nxënit 

Në këtë fazë nxënësit do të bëjnë një quiz. Nxënësve u prezantohet një video e realizuar nga një klasë tjetër përmbledhëse e tezave ekzistencialiste, përfshirë edhe Sartrin e trajtuar në këtë orë.


Quiz


1. Cila pikëpamje është përbashkuese te ekzistenicialistët sipas Sartrit:

   a. Perëndia nuk ekziston, dhe kështu çdo gjë lejohet.

   b. të gjithë njerëzit kanë një natyrë të përbashkët.

   c. ekzistenca paraprin thelbin.

   d. esenca paraprin ekzistencën.


2. Sipas pikëpamjes së Sartrit, kur dikush zgjedh se si të jetojë, po zgjedh:

   a. vetëm për veten.

   b. për të gjithë familjen

   c. për të gjithë miqtë

   d. për të gjithë njerëzit


3. Sartri pretendon se kur flet për vetmi, ai do të thotë:

   a. Perëndia nuk ekziston dhe ne duhet të përballemi me të gjitha pasojat e kësaj.

   b. ne kurrë nuk mund të njohim me të vërtetë një tjetër qenie njerëzore.

   c. ne nuk jemi përgjegjës për pasionet tona.

   d. të gjitha të mësipërme.


4. Sipas Sartrit, mungesa e Perëndisë shfaqet si:

   a. çliruese

   b. qetësuese

   c. shumë shqetësuese

   d. e parëndësishme


5. Sipas Sartrit, njerëzit janë përgjegjës për:

   a. veprimet e tyre

   b. pasionet e tyre

   c. a dhe b

   d. as a as b


6. Sartri pretendon se vlera e dashurisë së dikujt përcaktohet nga:

   a. mënyra e veprimit

   b. mënyrën se si ndihet

   c. mënyrën se si mendon ai

   d. të gjitha të mësipërme


7. Sartri pretendon se sipas ekzistencializmit, nuk ka realitet përveç në:

   a. pasion

   b. veprim

   c. mendim

   d. dëshira

Vlerësimi

Vlerësim i përgjigjeve me gojë dhe vlerësim i aftësisë për të punuar individualisht.

Vlerësohet:

Mënyra se si nxënësi/ja, di të strukturojë mendimin, për të argumentuar qëndrimet e veta mbi çështje të ndryshme filozofike dhe praktike.


  • Aftësia e nxënësit, për të integruar informacionin teorik dhe shkencor.
  • Mënyra se si nxënësi/ja, është në gjendje të prezantojë materialet e përvetësuara, në mënyrë individuale dhe në grup. 
  • Aftësia e nxënësve, që përmes teksteve filozofike, të nxjerra nga veprat e filozofëve, të hartojnë punime të pavarura.

Detyrat dhe puna e pavarur 

Në këndin e klasës është vendosur një shprehje e Platonit “Mos e trajtoni një fëmijë që të mësojë me forcë apo ashpërsi; por t'i drejtoheni atyre me atë që u zbukuron mendjen, në mënyrë që ju të jeni në gjendje të zbuloni me saktësi prirjen e veçantë të gjeniut te secili” me këtë mesazh për të gjithë mësuesit largohemi nga shkolla “Ernest Koliqi”. 


Ora digjitale e bazuar në tekstet shkollore albas do të vijojë rrugëtimin e saj në të tjera shkolla për të sjellë te ju modelet se si ju mund të përdorni tekstin digjital në orën e mësimit.


(Portali Shkollor)

9,888 Lexime
5 vjet më parë