Model

Orë digjitale në lëndën Gjuha Shqipe X

Kjo orë mësimi e mbështetur mbi tekstin digjital në lëndën gjuhë shqipe X është realizuar nga mësuesja Natasha Kazmaj në shkollën “New York High School”. Gjatë orës së mësimit u përdorën materialet multimediale që ndodhen në tekst.

“Ne ekzistojmë për studentët tanë”, kjo është motoja e shkollës “New York High School” ku ne ndodhemi sot. Jemi me mësuesen e gjuhës shqipe në këtë shkollë, Natasha Kazmaj dhe kjo është ora digjitale në lëndën gjuhë shqipe X, botimet ALBAS.  


Sot nxënësit do të mësojnë për tekstin rrëfyes, llojet e tij dhe teknikat e shkrimit. Mësuesja është kujdesur që në orën e mësimit të përdorë tekstin digjital, të cilin e ka pasuruar edhe me materiale të tjera të cilat i ka përzgjedhur gjatë përgatitjes për këtë orë mësimi. 


Nxënësit janë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në përgjigjet e tyre. Është e dukshme mënyra e komunikimit, nxënësit janë të lirshëm për të shprehur mendimin e tyre, ndërsa mësuesja i dëgjon me kujdes shton përgjigjet, vlerëson e motivon. 


Ju mund ta ndiqni këtë orë mësimi në videon më poshtë. Jemi fokusuar te komunikimi, shpjegimi dhe përgjigjet e nxënësve. 

Ditari (sipas nismës tri lëndë në gjashtë orë)

Fusha: Gjuhët dhe komunikimi

Lënda: Gjuhë shqipe

Shkalla: V

Klasa: X

Tematika: Teksti rrëfyes

Situata e të nxënit: 

  • Reportazhi “Kalaja e fshehtë e Skënderbeut” nga Marin Mema
  • “Kanionet e Skraparit” nga Alma Çupi
  • Udhëpërshkrimi i Vedat Kokonës “Nga Tirana në Stokholm”

Tema mësimore: 

  • Teksti rrëfyes. Llojet e tij
  • Teksti rrëfyes. Teknikat e shkrimit.

Rezultatet e të dhënave sipas kompetencave kyçe.

  • Kompetenca e komunikimit dhe të shprehurit
  • Kompetenca e të menduarit
  • Kompetenca  e të nxënit
  • Kompetenca personale
  • Kompetenca për jetë, sipërmarrjen dhe mjedisin. 
  • Kompetenca qytetare
  • Kompetenca digjitale

Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore: 

Ora I

• Përcakton qëllimin e një teksti rrëfyes

• Dallon tekstin rrëfyes letrar nga ai joletrar

• Klasifikon tekstet rrëfyese sipas mënyrës së rrëfimit

Ora II

• Nxjerr me shembuj veçoritë përmbajtësore dhe gjuhësore të një teksti rrëfyes

• Krahason reportazhin, kronikën dhe udhëpërshkrimin si tekste rrëfyese

• Rrëfen me gojë dhe me shkrim  për objekte e qenie të ndryshme

• Diskuton për të vlerësuar rrëfimet e tij dhe të shokëve

Fjalët kyçe: 

Teksti rrëfyes letrar, joletrar,  reportazh, kronikë, udhëpërshkrim, letër, ditar, veçori gjuhësore.

Burimet: Libri “Gjuha shqipe 11”, përvoja të nxënësve, modele tekstesh rrëfyese me shkrim dhe audio, e-libri (libri digjital).

Në librin digjital kemi ngarkuar më parë materialet:

Video “Kalaja e fshehtë e Skënderbeut” nga Marin Mema, video udhëtimi “Kanionet e Skraparit” nga Alma Çupi, informacion për udhë përshkrimin dhe model, udhë përshkrimi nga Vedat Kokona, “Nga Tirana në Stokholm” foto personalitetesh të njohura e objektesh për rrëfim.

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: 

Fusha: Shkenca dhe shoqëria

Tema ndërkurrikulare: Identiteti kombëtar dhe njohja e kulturave, mjedisi.

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve: stuhi mendimesh, diskutim, dëgjim materialesh audio, lexim dhe diskutim rreth materialeve të lexuara, analizë tekstesh model, punë e pavarur me shkrim.

Zhvillimi i mësimit:

Ora I

Hapi I. Lidhja e temës me njohuritë e nxënësve  (diskutim, stuhi mendimi) (10-15  minuta)

Nxënësit në dy orët më parë kanë marrë tekstin rrëfyes si lloj teksti, veçoritë përmbajtësore e gjuhësore të tij,   kanë lexuar e analizuar për nga përmbajtja dhe ana gjuhësore tekstet në faqen 114-115 dhe kronikën “Bacë u kry”.

Në tabelën interaktive hapim librin digjital ku kemi të ngarkuara materialet në audio, dokument e foto dhe shënimet që kemi përgatitur për orën e mësimit.

Nxënësit u përgjigjen pyetjeve të shpejta rreth tekstit rrëfyes dhe plotësojnë skemën e mëposhtme:

Kujtojmë se kufiri mes këtyre teksteve joletrare është i pandashëm plotësisht.

Nxënësit listojnë veçoritë përmbajtësore që lidhen me përgjigjet e pesë pyetjeve që duhet të përmbajë çdo tekst për t’u quajtur i tillë:  (Kush?, Çfarë?, Ku?,Kur?,Pse?)

(Personazhe, objekte, vende kohë ë përcaktuar, rend kronologjik ngjarjesh

Nga ana gjuhësore: koha e shkuar e foljeve 

Fjali me vetë të përgjithësuar, (udhëpërshkrimet)

Ndajfolje që rregullojnë rendin kronologjik të ngjarjeve

Ndërthurjen e teksteve të llojeve të tjera si: argumentues, përshkrues e informues.

Praninë e shprehje retorike e steriotipe.

Ndërtimi i njohurive: analizë e tekstesh rrëfyese (me shkrim dhe audio),  punë e drejtuar.(20 -25 minuta)

U vendosim nxënësve nga libri digjital videon e gazetarit Marin Mema “Kalaja e fshehtë e Skënderbeut” dhe u kërkohet nxënësve:

• të identifikojnë përgjigjet e pesë pyetjeve më sipër Kush?, Çfarë?, Ku?,Kur?,Pse?)

• të mbajnë shënim sa më shumë emra vendesh dhe elemente kohore, informacionet që jepen kohën dhe mënyrën e foljeve, tekstet e ndërthurura, shprehje retorike e steriotipe nëse ka.

• Nxënësit argumentojnë praninë e kohës së shkuar dhe të tashme në tekst.


Dëgjohen përgjigjet e të gjithë nxënësve rreth këtij teksti. Bëjmë me dije se kemi të bëjmë me një reportazh.

U kërkoj të krahasojnë reportazhin me kronikën “Bac u kry”, për të nxjerrë dallimin që reportazhi rrëfen por ngre dhe një problem ndërsa kronika rrëfen një ngjarje në mënyrë kronologjike.


Hapi I: rrëfime nga nxënësit (10-15 minuta)

U vendosen nxënësve nga libri digjital 3 -4  foto (Butrinti, Skënderbeu, Kali i Trojës, Napolon Bonaparti), dhe u kërkojmë nxënësve të thonë nga një rrëfim të shkurtë për secilin prej tyre një rrëfim të shkurtër.

Rrëfimi duhet të përmbajë të pesë pyetjet e tekstit.

Mund të ndahet klasa e punohet vetëm me një prej fotove për efekt kohe dhe thuhen rrëfimet nga nxënësit.


Ora II  

Hapi I: leksion i drejtuar  ( 10-15 minuta)

Hapim nga e-libri një material për udhëpërshkrimin si tekst rrëfyes duke dhënë përkufizimin e tij :

• Udhëpërshkrimi është përshkrim dhe rrëfim kronologjik i visoreve, i njerëzve dhe ngjarjeve, si dhe i temave që lidhen me një rrugëtim.

Veçoritë:

• informacioni i ri që sjell për një pjesë të botës. 

• Detaji. Aftësia e udhëpërshkruesit është te gjetja e detajit paraqitës. 

• Perceptim i ri i botës: 

• Guidat si lloje të udhëpërshkrimeve

• Paraqitja e udhëpërshkrimit mund të bëhet  si rrëfim i zakonshëm, si kujtime si ditar si letra etj.


Hapi II: lexim dhe analizë teksti diskutim (10--15 minuta)

U japim nxënësve materialin e shkruar dhe e pasqyrojmë dhe në tabelën interaktive,  me një fragment nga libri me përshtypje e kujtime të Vedat Kokonës “Nga Tirana në Stokholm”, ku rrëfehet një pjesë e rrugës në Zvicër.

Nxënësit e analizojnë tekstin duke u ndalur në detajet rreth të cilave rrëfen autori, qasjen e tij rreth mënyrës së rrëfimi, gjuhës së përdorur.


Hapi III: dëgjim materiali, diskutim dhe analizë e tij. (15 -20 minuta)

Vendosim nga e-libri materialin filmik të Alma Çupi “Kanionet e Skraparit”, dhe u kërkojmë nxënësve të nxjerrin;

• detajet dominuese në rrëfimin e rrugëtimit me rafting të bërë nga një grup turistësh.

• Elementet e vendeve,

• elementet kohore, 

• detajet më të rëndësishme,

• llojet e ndryshme të rrëfimeve që ndërthur dhe praninë e teksteve të tjera.

• Përdorimi i fjalive me vetë të përgjithësuar etj;

Nxënësit diskutojnë çështjet e mësipërme dhe nxjerrin një konkluzion se çfarë duhet të kenë parasysh për të rrëfyer rreth një udhëtimi.

Vlerësimi: nxënësit vlerësohen me notë sipas përgjigjeve, aktivizimit e saktësisë së përgjigjeve.

Detyrë shtëpie: Nga ekskursioni që do të bëjnë në fundjavë të fotografojnë ose marrin në video vendet dhe detajet kryesore të rrugës duke bërë më pas një udhëpërshkrim të tyrin.

Detyra do të vlerësohet me notë dhe do të diskutohen qasjet e ndryshme të rrëfimit rreth së njëjtës rrugë.

Ora e mësimit mbyllet me marrjen e detyrës së shtëpisë. Nga ekskursioni që do të bëjnë në fundjavë nxënësit duhet të fotografojnë ose regjistrojnë në video vendet dhe detajet kryesore të rrugës e më pas të shkruajnë për udhëtimin e tyre me detaje. 


Largohemi nga “New York High School” por do të rikthehemi së shpejti në një tjetër shkollë, me një tjetër mësuese për të sjellë te ju orën digjitale. 


(A. Hoxhaj; N. Kozmaj; A. Dudija; K. Keçi; Portali Shkollor)

18,903 Lexime
6 vjet më parë