Profil

“Pa e njohur individin mos nxirrni asnjëherë konkluzione”

Ajo nuk bën kompromise dhe emërimi i saj si drejtoreshë e shkollës "Sinan Tafaj" ishte vlerësimi i punës së saj. Për të çdo punë është një sfidë dhe vetëm puna të nxjerr në dritë. Njihuni me drejtoreshën e suksesshme Mira Kotobelli.

“Pa e njohur individin mos nxirr asnjëherë konkluzione”, ky ishte mësimi i parë që mora nga Mira Kotobelli, drejtoreshë e shkollës “Sinan Tafaj” në kryeqytet. Them kështu, sepse, pasi komunikova me të në formë elektronike, ajo më la përshtypjen e një drejtoreshe autoritare, madje mendova se kur ajo kalon në korridoret e shkollës të gjithë struken! Por kur e takova dhe bisedova me të kuptova krejt të kundërtën.


Në shkollën “Sinan Tafaj” vajta më herët sesa e kishim planifikuar së bashku e megjithatë mësuese Mira, drejtoresha autoritare në mendjen time, më ftoi në zyrën e saj, në një ambient mikpritës dhe të këndshëm. Qetësia me të cilën fliste më befasoi, fjalët e përzgjedhura ishin gjithmonë të duhurat dhe tregonin pa darashka pikërisht atë që unë e pyesja. Nuk shmangej, nuk zbukuronte të vërteta dhe fliste prerë. E diku në bisedë më tha: “nuk bëj kompromise” dhe ajo vërtet nuk bënte kompromise.


Prej 3 vitesh drejton një shkollë me 635 nxënës. Ka 23 vite në arsim dhe emërimi në krye të këtij institucioni ishte një surprizë për të. E mban mend shumë mirë, është njoftuar për këtë emërim një ditë më parë, është prezantuar para kolegëve të cilët kanë mbetur të habitur. “Nuk e prisja. Ishte një surprizë për mua. Kur u komunikua emërimi im në sytë e kolegëve pashë gëzim”, teksa tregon, unë jam bindur që po e kujton atë moment. Për të është shumë e rëndësishme që ky emërim ishte si rezultat i punës së mirë që kishte bërë ndër vite. Ishte vlerësimi i punës së saj prandaj dhe kjo punë për të ishte një sfidë. Mendon se çdo punë është një sfidë dhe vetëm puna të nxjerr në dritë. 


Filloi puna dhe ndër ato punët e para që kishte për të bërë, tashmë si drejtoreshë e shkollës, mban mend një çast kur sekretarja i sjell një dokument për të firmosur. Në të shkruhej: Mira Kotobelli, drejtoreshë... dhe më tutje vendi ku ajo duhej të firmoste. Ishte hera e parë që ajo pa një dokument në të cilin ishte shkruar pozicioni i saj, i ri për të...


Shkolla “Sinan Tafaj” është një shkollë e re, e cila ka pritur nxënësit e saj të parë në vitin 2004. Si një shkollë e re, nuk bën pjesë në ato shkolla për të cilat emri është shumë i rëndësishëm. Suksesi i saj fshihet pas fjalëve të drejtoreshës e cila është e bindur se çdo punë është një sfidë dhe kjo është sfida e saj. Ai mendimi i parë në çastet e emërimit “A do t’ia dal” nuk vlen më, pasi drejtoreshë Mira ia ka dalë të ndërtojënjë histori suksesi në këtë shkollë, në të cilën nuk ndodh të ngrihet zëri, pasi të gjithë kuptohen dhe zotërojnë etikën e komunikimit duke respektuar kështu veten dhe njëri-tjetrin. Rregullat e përcaktuara janë të vendosura në muret e shkollës dhe personi i parë që respekton deri në detaje këto rregulla është drejtoresha e shkollës.


Ka mundur të sigurojë kushte të përshtatshme për një mësimdhënie dhe mësimnxënie efektive në shkollë. Nënvizon se bashkëpunimi me pushtetin lokal është një ndër çelësat e suksesit. Shkolla është rikonstruktuar nga Bashkia e Tiranës, sistemi i ngrohjes është funksional, baza materiale është e plotësuar.


Prej dy vitesh kjo shkollë punon me tekstet digjitale. Nxënësit e mësuesit janë të përkushtuar dhe kanë përqafuar teknologjinë duke bërë që orët e mësimit të jenë efektive. Këtë vit klasat e dhjeta dhe njëmbëdhjeta janë digjitale, mirëpo duke qenë se shkolla ka dy labaratore, por ka më shumë klasa paralele, drejtoresha e ka zgjidhur këtë duke krijuar një grafik, i cili lejon të gjithë nxënësit të punojnë me tekstet digjitale. Drejtoresha na tregon një rast kur nxënësit kanë insistuar për të zhvilluar mësimin në laboratorin digjital.


“Ishte periudhë pak e ngarkuar në shkollë, pasi po zhvillohej Olimpiada. Kishim menduar që olimpiada të zhvillohet në laborator, ndërsa mësimi të vijonte normalisht në klasat përkatëse. Nxënësit që kishin të planifikuar të zhvillonin mësimin në klasën digjitale nuk kishin pranuar të dilnin nga klasa. Dy prej tyre, njëra nga mësueset i solli në drejtori. Kur i pyeta çfarë problemi keni më thanë: ‘Po edhe një ditë që ne zhvillojmë mësimin në klasën digjitale, nuk po na lini?’ U befasova, por aty kuptova sesa shumë duan nxënësit të zhvillojnë mësimin në klasat digjitale”. Tani grafiku i përcaktuar respektohet nga të gjithë dhe nxënësit e presin me padurim ditën që klasa e tyre do zhvillojë mësimin në klasat digjitale.

Me kolegët, prindërit dhe nxënësit e shkollës ka marrëdhënie shumë të mira. Kjo sepse ajo zgjedh gjithmonë formën e duhur për t’iu thënë të vërtetat gjithsecilit. Nuk bën kompromise, gjërat që nuk shkojnë dhe duhen rregulluar patjetër që duhen thënë, por duhet gjetur forma e duhur, që tjetri të kuptojë që ke të drejtë dhe të përpiqet të ndryshojë. 


Bordi i Prindërve dhe Qeveria e Nxënësve janë hallka shumë të rëndësishme të shkollës dhe janë funksionale, por kur bëhet fjalë për çështje ekonomike jo gjithmonë Bordi i Prindërve mund t’iu përgjigjet kërkesave të shkollës. Megjithatë kjo nuk e pengon drejtoreshë Mirën t’i informojë për çdo çështje pavarësisht rezultatit.


Aktivitet në këtë shkollë janë të shumta. Janë krijuar aktivitete të posaçme ku secili nxënës mund të tregojë përpara shokëve dhe stafit pedagogjik aftësitë e tij. Shkolla është pjesë e nismës së Kryqit të Kuq “Bëj dikë të lumtur”. Të gjithë nxënësit e shkollës kanë dhuruar materiale të ndryshme, ushqime, rroba, lodra... të cilat janë mbledhur dhe në datën 26 nëntor janë dërguar pranë kësaj organizate ku më pas do t’i dhurohen një personi në nevojë. Nxënësit shkruajnë, recitojnë, këndojnë, vënë shfaqje të ndryshme në skenë gjithçka nën organizimin e mësuesve dhe nën kujdesin e drejtoreshës së shkollës.

Festat kanë trokitur në shkollën “Sinan Tafaj” dhe grupet e zgjedhura kanë nisur përgatitjet për organizimin e gjithçkaje në mënyrë që të gjithë të festojnë. Dritat e pemës karakteristike të festave që presim janë ndezur më 6 dhjetor. Por si është zbukuruar kjo pemë? Gjithçka është ndryshe. Nuk ka aksesorë të blerë në dyqane të ndryshme, gjithçka është punuar nga duart e nxënësve. Ata kanë marrë materialet dhe janë ulur e kanë derdhur gjithë fantazinë e tyre, rezultatet janë fantastike. Në pemë do të vendoset mesazhi, urimi i gjithsecilës klasë në këtë shkollë. Fjongot, lulet e krishtlindjes, dëbora e improvizuar me pambuk sigurisht edhe dhuratat. Më tërhoqi vëmendjen një, ishte shumë e bukur, mbeta pa fjalë kur më treguan se ishte një kavanoz, i ngjyrosur, i zbukuruar me letra punë dore, një fjongo lart dhe brenda kishte pambuk...të krijonte idenë e një foleje të ngrohtë. Por ky ishte vetëm një mënyrë e të zbukuruarit, kishte shumë të tjera...

Portali Shkollor do të rikthehet në shkollën "Sinan Tafaj" dhe ditë pas dite ne do t'iu njohim me talentet e kësaj shkolle dhe aktivitet që zhvillohen aty. 

14,253 Lexime
7 vjet më parë