Panairi i diasporës

Panairi i librit “Diaspora 2022” në Zvicër, Rita Petro: Një aktivitet i mrekullueshëm i librit shqip

Shoqata Kulturore Shqiptare “Bashkimi” organizoi panairin e librit “Diaspora 2022” në qytetin Uster, ku morën pjesë shtëpi botuese dhe shkrimtarë të zhanreve të ndryshme letrare. Botuesja e Albas Rita Petro ka ndarë me publikun mbresat nga ky panair teksa ka specifikuar edhe prezantimet për rastin.

Në qytetin e Usterit të kantonit të Cyrihut në Zvicër, me pjesëmarrjen e mëse 500 vizitorëve, me shumë sukses u përmbyllë “Panairi i librit diaspora 2022”, që kësaj radhe solli me dhjetëra krijues jo vetëm nga mërgata, por edhe të gjitha trojet shqiptare. Shoqata Kulturore Shqiptare «BASHKIMI», në krye me Guximtar Alushin edhe në këtë edicion u tregoi se mund të organizojë ngjarje të mëdha, jo vetëm me ekspozim librash të autorëve dhe shtëpive botuese, por edhe me shfaqjen e pikave artistike nga grupi i tyre i valleve që joshin përherë publikun.

Në këtë panair tepër të veçantë morën pjesë shtëpi botuese dhe shkrimtarë të zhanreve të ndryshme letrare, ku mes tyre pjesë ishte edhe Albas. Botuesja Rita Petro ka ndarë për publikun mbresat nga ky panair  teksa ka specifikuar edhe prezantimet për rastin. 


“Një aktivitet i mrekullueshëm i librit shqip. U ndiem si në shtëpinë tonë mes shqiptarëve që jetojnë në Cyrih. U takuam me fëmijë që e flisnin aq mirë shqipen; me prindër të interesuar për librat shqip, për të pasuruar bibliotekat e fëmijëve të tyre; me mësues aq të përkushtuar për t'ua mësuar edhe vullnetarisht shqipen nxënësve të tyre. Ato na thanë se prej vitesh përdorin tekstet e gjuhës shqipe të Albasit , si: ‘Abetaren Mbarëkombëtare’, paketat e parashkollorit ‘Një hap drejt shkollës’, ‘9 miqtë e mi’, ‘Vesa dhe Lumi’, serinë e teksteve ‘Gjuha shqipe’,  ‘Legjenda dhe vende shqiptare’, serinë me personalitete të shquara shqiptare ‘Më quajnë...’ etj. Së bashku me Edlira Dedjen, mikeshën dhe bashkëpunëtoren time të ngushtë, prezantuam serinë e Bedri Dedjes, klasikut për fëmijë, aq të kërkuar e të pëlqyer për fëmijët e çdo kohe. U takova me miq, kolegë, personalitete të letrave, me të cilët gjithnjë është kohë e çmuar kur rri”, tha Rita Petro. 

Në fund të aktivitetit, nga Albas u prezantua dhe paketa e re "Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare" niveli I (bashkëpunim i Albasit me Dukagjinin), e cila do të përdoret që këtë vit shkollor nga të gjithë fëmijët në Diasporë.

Sakaq botuesja Petro u shpreh optimiste edhe për të ardhmen e këtij panairi të librit shqip. 


“Jam e bindur që Panairi i Librit Shqip në Uster të Zvicrës do të zhvillohet akoma më shumë në vitet e ardhshme. Kjo falë shoqatës "Bashkimi" dhe kryetarit të saj, Guximtar Alushi. Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur zotin Vaxhid Sejdiu, i cili të emocionon me idealizmin e tij prej fëmije dhe përkushtimin aq serioz në çeljen e aq shumë shkollave shqipe në Zvicër dhe aktivitetet e mrekullueshme që bën me fëmijët e komunitetit shqiptar atje”, është shprehur Rita Petro.


Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,024 Lexime
1 vit më parë