MENDIM

Pas leximit të "Gyshja në pemën e mollës", botim i ALBAS

Shtëpia botuese ALBAS në këtë prag panair të librit vjen me shumë botime të reja në tregun e letërsisë. “Gjyshja në pemën e mollës” është një prej botimeve më të fundit. Redaktorja e librit, Artemisa Bushi, sjell për të një recension.

 

“Gjyshja në pemën e mollës”, përkthyer nga Sofiana Filipi


Fëmijët e dinë se duhet të kenë nga dy gjyshe dhe dy gjyshër. Por, unë njoh fëmijë që nuk kanë.  Në mendjen e tyre ata fantazojnë gjithçka që do të donin të kishin bërë me ta. Të mirët gjyshër!

Kështu ndodh edhe me Andin, personazhin e librit “Gjyshja në pemën e mollës”.  

Andi është një djalë i vogël, që ndryshe nga shokët e klasës, nuk ka një gjyshe. Por një pasdite, ndërsa ajo po fantazon në shtëpizën mbi pemën e mollës në kopsht, shfaqet gjyshja e tij shumë e veçantë. Që nga ai çast, Andi fillon një seri aventurash gjithnjë e më interesante. Së bashku, ata nisen drejt aventurave gjithnjë e më emocionuese, argëtohen në parkun e lojërave, shkojnë në stepën mbresëlënëse e mandej lundrojnë në detin e stuhishëm drejt Indisë.

Por përveç aventurave të mahnitshme që ndodhin në imagjinatën e Andit, i shoqëruar gjithnjë nga gjyshja imagjinare, rrëfimi ndërthuret edhe me jetën përditshme të Andit (e të çdo fëmije): detyrat e shtëpisë, veprimet e vogla në shtëpi, qortimet e mamit dhe të babit. 

A duhet të jetojë një fëmijë vetëm me pushtetin e imagjinatës?! Imagjinata e bën atë më kreativ, i shpalos dëshira, që në përditshmëri prindërit s’do t’ia lejojnë e do ta qortojnë, por një gjyshe (edhe imagjinare) do t‘i shkelë syrin, në shenjë llastimi. Çdo fëmijë ka të drejtë të ëndërrojë! Le t’i lejojmë që ta bëjnë.  

Por Andi takon edhe një gjyshe të vërtetë,  fqinjën e tij. Ajo i gatuante ëmbëlsira, ndërsa Andi e ndihmonte, ashtu siç do të kishte bërë me gjyshen e tij. 

Tanimë, ai e ndien veten me fat, pasi njërës gjyshe mund t’i tregojë për gjyshen imagjinare. 

I gjithë ky rrëfim, vjen i përkthyer nga Sofiana Filipi. Është i shqipëruar mjaft këndshëm, duke ruajtur gjuhën e thjeshtë, sidomos me përshkrimet, që do t’i shkonin mjaft mirë për shtat një fëmije. Meritë e përkthimit është ruajtja e stilit të autores austriake, Mira Lobe, e cila ka shkruar disa libra për fëmijë dhe ka marrë çmime të ndryshme. 

Të merresh me përkthimin e librave, sidomos me materiale që i përkasin letërsisë për fëmijë, është si të hysh në parajsën shumëngjyrëshe të pastërtisë dhe dëlirësisë së tyre. Është si të bashkëbisedosh me ta, të ndalosh e të veprosh me ta, t’i dëgjosh dhe të pranosh përgjigjet e tyre, të qash e të qeshësh me ta, të trishtohesh dhe të gëzohesh me ta, të mësosh prej tyre. Pse?  Ata janë simboli i mirësisë, i dashurisë për njerëzit më të afërt të familjes, por jo vetëm për ta. Gojëmbël, çamarrokë, të padjallëzuar në pastërtinë e tyre. 

E dashur Sofiana, ia ke dalë më së miri. 

Urime dhe shumë suksese! 



Përgatiti: Artemisa Bushi (redaktorja e librit) 

2,006 Lexime
4 vjet më parë