IN MEMORIAM

Për dekanin e të gjithëve, dekanin e 1001 mundësive

Të prehet në paqe shpirti yt. Kujdesu atje lart për ne që të deshëm, për FGjH-në që aq shumë e deshe. Misioni dhe energjia jote nuk kanë mbaruar ende. Përherë mes nesh që të deshëm dhe që na plagose kaq fort zemrat, koleg, shok, mik, vlla Turi!

Ata që më njohin e dinë mirë që unë i dua njerëzit me shpirt, dhe e dinë fort mirë që dashuria ime shoqërohet me mirënjohje. Do të të jem mirënjohëse gjithë jetës që besove tek unë, që më hape dyert dhe më bëre pjesë të skuadrës sate, që i dhe shpresë FGjH-së, që riktheve autoritetin e pedagogut në vend, që solle frymën e bashkëpunimit, që i zgjate të gjithë kolegëve dorën dhe iu dhe mundësi për çdo gjë, që e shndërrove FGjH-në në një fakultet Evropian, që u mundove me shpirt të sheshoje gjakrat, të zbusje zemrat e ngurta, dhe t’i tregoje stafit të FGjH-së që fakulteti është i të gjithëve. 


Për këdo që shkeli në zyrën e dekanatit, nuk the kurrë “jo”, por luftove për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të gjithë. Të lodhem të gjithe ne, me pakënaqësitë tona. Nuk u ngopëm kurrë nga mirësia jote. Na ofrove të gjithëve mundësinë për bashkëpunim, por ne desheë më shumë, deshëm karrigen tënde. Ti dhe atë karrige e lirove për stafin e FGjH-së, i the bujrun kujtdo që luftoi jo për FGjH-në, po për interesat vetjake. Ja kështu e shkatërrove edhe më shumë armikun, edhe pse ti kurrë nuk shpalle armik askënd.

 

Luftove për të gjithë ne, për studentët që aq shumë i deshe dhe të duan, sepse ti FGjH-në e kishe familje, jo vend pune. Bëre veç mirë në këtë jetë të shkurtër tënden, por e prishe tani ne fund. Ky është i vetmi gabim i pafalshëm yti. Nuk luftove për veten. Ike kaq shpejt. 


Por ti nuk ke ikur dhe nuk do ikësh kurrë nga zemrat e atyre që të duan. Nuk mund të ikësh. FGjH-ja do të mbajë gjallë në historikun e saj, sikurse edhe ne kolegët nuk do të reshtim kurrë së foluri për ty. Nuk do te ketë një dekan te dytë në FGjH si ty. Absolutisht do ketë njerëz të pakënaqur dhe absolutisht ne që të duam do ta mbajmë gjallë kujtimin tënd. Sepse të deshëm për atë që ishe, çun tirone me zemër të madhe, që nuk e ndryshoi dot karrigia dhe posti Dekan, apo mundësitë e tjera që pate, sepse njerezit me shtyllë kurrizore mbeten njësoj, si kur i hipin karriges ashtu edhe kur nuk e kanë atë. Nuk ke ikur, jo. Je mes nesh. Je ikona FGjH-së, dekani më i mire i gjithë kohërave. Je dekani më energjik, më buzëqeshuri dhe shpirtmadhi. Je dekani i të gjithëve. Dekani i luleve dhe i festave. Dekani i 1001 mundësive. 


Të prehet në paqe shpirti yt. Qofsh i xhenetit dhe kujdesu atje lart për ne që të deshëm, për FGjH-në që aq shumë e deshe. Misioni dhe energjia jote nuk kanë mbaruar ende. Përherë mes nesh që të deshëm dhe që na plagose kaq fort zemrat, koleg, shok, mik, vlla Turi!

Prof. Dr. Artur Sula, Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të huaja dhe Flavia Kaba, pedagoge e gjuhës spanjolle

Shkruar nga Flavia Kaba, pedagoge e gjuhës spanjolle, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja


Përgatiti për publikim Parajsa Shtini

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,401 Lexime
3 vjet më parë