8 MARSI

“Për gratë e të ardhmes” nga Zhaklin Lekatari

Sa herë që shoh një vajzë të vogël, sa herë që mikeshat e mia lindin vajza të vogla, sa herë që shkoj në ditëlindjen e ndonjë vajze të vogël, mendoj që ato nuk e dinë çfarë do të thotë të jesh grua- e nëse do mundesha- do iu tregoja shumë gjëra mbi këtë aventurë magjike që i pret...

Ndonëse nuk kam fëmijë, ndonëse nuk dua të kem fëmijë  më ndodh shpesh të luaj me ta ose të fiksohem prej tyre. Ose në radhë në makinë ose në ndonjë dyqan apo supermarket. Sa herë që fëmijët më fiksojnë unë nxjerr gjuhën ose krijoj një kontakt me ta. Nuk është që nuk më pëlqejnë fëmijët, thjeshtë mendoj që janë një përgjegjësi shumë e madhe që nuk dua të marr përsipër. Prindërimi është më e vështira nga detyrat që sipas meje të le gjithmonë një hije dyshimi ndaj zgjedhjes së duhur. 


Kjo nuk do të thotë që nuk i dua apo nuk dua që ata të bëhen adultë të shëndetshëm. Sidomos në këto ditë marsi, e në këtë festë të gruas. Sa herë që shoh një vajzë të vogël, sa herë që mikeshat e mia lindin vajza të vogla, sa herë që shkoj në ditëlindjen e ndonjë vajze të vogël, mendoj që ato nuk e dinë çfarë do të thotë të jesh grua- e nëse do mundesha- do iu tregoja shumë gjëra mbi këtë aventurë magjike që i pret. Një jetë si mbajtëse të shëndetshme të vaginës. 


Do u thosha që ëndrrat duhet t’i zgjedhin vetë, për veten e tyre. Që nuk duhet të kenë frikë nëse janë ëndrra të gabuara, sepse ëndrrat e gabuara nuk ekzistojnë. E vetmja gjë më e gabuar sesa gabimi, është të mos provosh. 


Do u thosha që dashuria e parë nuk harrohet kurrë, prandaj bëjnë mirë të dashurohen me veten. Por jo një dashuri e shpejtë dhe e lehtë, e përbërë nga selfie dhe vanitet; por një dashuri e thellë, e vetëdijshme, humane dhe pozitive, një dashuri që të kupton, një dashuri që duhet ndërtuar çdo ditë, duke përmbushur detyrën e vështirë të pranimit të vetes.  


Do të doja t’u thosha vajzave që ajo që duan për veten është më e rëndësishme se ajo që duan të tjerët nga ato. Do të ndodhë që do ndryshojnë mendje, që nuk është e thjeshtë të kuptojnë atë që duan, që njëherë do iu duket sikur duan një gjë, por që pastaj do të dëshirojnë diçka tjetër; dhe që për të arritur në përfundim do të duhet të jetojnë, eksperimentojnë dhe zbulojnë. Me pak papërgjeshmëri në fillim, por me shumë kurajo në fund. 

Do u  thosha të dëgjojnë veten, por jo shumë sepse shpesh ne gratë themi shumë budallallëqe. 

Do u thosha të bënin kritikë, sepse është një akt dashurie. Por vetëm nëse kërkojnë përmirësim, jo për të lënduar, sepse për plagë e lëndime, do të mendojë bota. 

Do të doja t’iu thosha të kultivonin pasionet e tyre, edhe kur do të jenë të vetme në atë besim apo pasion.

Do të doja t’iu thosha të jetë kokëforta, por jo të palëkundshme. 

Do të doja t’i thosha që mos ekzagjerojnë me ëmbëlsira, që të bëjë sport që në fëmijëri, sepse kur këtë gjë e bën që në fëmijëri dallohet diferenca.

Do u thosha që të ruajnë bukurinë që kanë, mundësitë për ta parë të bukurën nesër. 

Do u thosha që mos humbin kurrë kapacitetin për të dëgjuar të tjerët dhe për të veshur rroba të ndryshme nga të tyret.  

Do u thosha të mësojnë të njohin trupin e tyre, të mos simulojnë një orgazëm dhe të jetojnë seksin si liri dhe argëtim - që nuk do të thotë degjenerim- por si shprehjeje e feminilitetit. Seksi ndonjëherë bëhet për dashuri, ndonjëherë për dëshirë, dhe nuk është asnjëherë i gabuar nëse bëhet me vetëdijesim dhe mbrojtje. 


Do u thosha të menaxhojnë atë nevojën tipike femërore për miratim nga palë të treta, sidomos burrave, duke gjetur miratimin te vetja. Nëpërmjet  punës, studimit, leximit, duke mësuar dhe duke zhvilluar aftësitë personale. 


Do u thosha të mos besojnë te gënjeshtrat “dhe jetuan përgjithmonë të lumtur” sepse ajo nuk ekziston. Nga ana tjetër ka të tjera të vërteta, të cilat janë më të mira, pikërisht se janë më të vërteta. Sepse nuk ekzistojnë burra që të shpëtojnë, dhe që duhet të mësojnë të shpëtojnë veten, duke e shpërndarë energjinë në drejtime të ndryshme. Ndonjëherë do ia dalin , ndërkohë herë të tjera do duket dhe do jetë më e vështirë. 


Do u thosha mos shkruajnë asnjëherë të parat mbas një takimi dhe të lejojnë që të joshen pak nga këta burra që nuk joshin më. 


Do u thosha të mos kenë më frikë nga ato që njerëzit thonë për to, dhe që të mos çajnë kokën kur njerëzit do u thonë që janë shumë  të shkurtra, të shëndosha, shumë të reja, shumë të lirshme, shumë egoiste, shumë budallaqe ose shumë oportuniste. Duhet të vazhdojnë rrugën e tyre pa u larguar nga objektivat që kanë. 


Do u thosha që mos varin lumturinë e tyre te një burrë koti. Të mësojnë shpejt të dallojnë atë që iu  bën mirë dhe atë që iu bën keq.  Do u thosha të më besojnë kur them që dashuria është ajo gjëja që të bën të ndihesh mirë,  që të bën më të mirë, që të përmirëson. Nuk është ajo gjëja që të dëmton, përkeqëson, zbraz, që të bën të humbësh ekuilibrin e të vritesh duke thyer femurin e shpirtit. Pastaj të duhet rehabilitim dhe nuk mbaron më kurrë. 


Do u  thosha të mos tremben nëse një herë në muaj do të qajnë pa ndonjë motiv, ose do të ulërasin kur dikush do iu vjedhë vendin e parkimit, ose do të shajnë për problemin që kanë në punë, sepse në fund nuk janë çështje jetike. Është vetëm PMS, simptomta premenstruale e ciklit. 


Do u thosha që herë pa herë të  bëjnë shopping, por që të mos harxhojnë gjithë paratë që kanë.  Të udhëtojnë, të shkojnë në kinema, të shkojnë në ekspozita dhe koncerte. 


Do u thosha që raporti me gra të tjera, nuk do të jetë i lehtë, por nuk do të jetë gjithmonë faji i saj ose i tyre. Sepse duhet përpara të mësojnë të vlerësojnë raportin midis llojit, si mundësi dhe jo kompeticion. Duhet të mos krahasohemi, të mos  rivalizojmë njëra-tjetrën, sepse forca dhe butësia jonë mund të krijojnë empati dhe ura komunikimi, duke na bërë të kuptojmë se sa rëndësi ka bashkëpunimi midis grave dhe vajzave. 


Do u thosha që ndonjëherë do ndiejnë një ankth të fortë që do të lindë në varësi të pritshmërive që kanë për veten. Ose që shoqëria ka për to. Që duhet të mësojnë të shkurtojnë, të thjeshtojnë. Të zhvishen nga presionet dhe të marrin frymë lirshëm. 


Do u thosha të besojnë  fort në vete, të kenë besim në fuqitë dhe aftësitë e tyre në mënyrë që atë besim ta kenë dhe të tjerët te ato. Sepse janë gra, dhe kur gratë duan diçka, e marrin. Sepse gratë janë të forta edhe kur janë të dobëta; sepse janë luftëtare edhe kur janë të lodhura; sepse të jesh grua  është një lëmsh dhe një sfidë e përditshme në gjetjen e ekuilibrit të duhur midis shijes dhe ushqimit. Një sfidë për të qenë e sigurt, për të qenë e vendosur, për të qenë e ëmbël, për të bërë tre mijë gjëra njëkohësisht, për të punuar, për të ndërtuar një jetë private, për të luftuar kundër gravitetit dhe kohës. Sfidë për t’u emancipuar pa u bërë dikush që nuk jemi. Për të pasur testikuj por dhe mitër. 


Do u thosha që gjeja më e rëndësishme është, që të jesh në gjendje për dashurinë. Pra të kesh brenda vetes aftësinë për të përmbajtur këtë ndiejnë të rëndë dhe komplekse, të bërë nga shumë hiperbola dhe ekspresione.  Do u thosha që dashuria është një gjë që tregohet, kundrejt partnerit, por dhe kundrejt familjes, miqve, femijëve të miqve, atyre që janë vulnerablë dhe të ndryshëm. 


Do u thosha të vazhdojnë të buzëqeshin edhe kur nuk do të kenë më dhëmbët e qumështit, dhe kur ngjarjet do ta induktojnë që të mos e bëjë më. 


Edhe nëse bie shi, edhe nëse ka diell. Edhe nëse jeta shkon siç duhet të shkojë. 


Nga Zhaklin Lekatari - Gazetare dhe aktiviste 


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,440 Lexime
3 vjet më parë