MESAZH

Për ty i nderuar prind që fajin tënd ma përcjell mua

Shkrimi i mëposhtëm vjen si rezultat i një pakënaqësie dhe revolte për gjithë ata prindër që nuk i kushtojnë kohën e duhur edukimit të fëmijëve të tyre, duke ia lënë çdo gjë në dorë mësuesit.

Për ty i nderuar prind që fajin tënd ma përcjell mua;

Mua MËSUESIT…

Mua që përpiqem duke mbushur dërrasa, duke nxjerrë frymën e duke u çjerrë që fëmija yt të kuptojë ato që unë them. 

Mua mësuesit që jam prindi i dytë i fëmijës tënd. 

Mua që kam 296 fëmijë, që më duhet të kujdesem që ata të mos lëndohen, që ata të mësojnë dijet bazë të jetës, që të mësojnë çdo gjë, që nga arti e deri tek matematika apo kimia. 

Po mor po, mua që ti lart e poshtë më karakterizon si të paaftë, si të padenjë e si të pazotin në punën time. 

E kujt? Mua! Mua që fëmijës tënd i bëj mësuesin, edukatorin, psikologun e në fund prindin që nuk e ka. 

Mua që di probleme të fëmijës tënd të cilat ti si prind as që e ke vrarë ndonjëherë mendjen ta pyesësh…

Mua që mbush dërrasa të tëra me gjuhë, matematikë, kimi apo ndonjë lëndë tjetër. 

Mua që edhe pse, edhe unë kam halle si ty, kam edhe unë fëmijë për të ushqyer, edhe mua më lëngon apo vdes nëna, edhe unë kam një kredi si ty, edhe unë dua një makinë më të mirë apo edhe ndoshta të shkoj me pushime. Edhe unë kam halle më beso, e megjithatë gjej forcën ti përballoj e të kujdesem edhe për fëmijën tënd, ta ndihmoj, t'i mësoj rrugën e bukur e të paanë të dijes, që nesër të ketë mundësinë të bëhet më i mirë më i fortë më i dobishëm për vendin. 


Po ty, kush ta mësoi ABC-në, kush ta mësoi tabelën e shumëzimit apo tabelën e Mendelejevit, kush të mësoi të flasësh në gjuhë të huaj? Ty që je një gjykatës kaq i mirë. Po sikur të flisje njëherë me vetën në pasqyrë, po sikur ta pyesje veten: Po unë ç’bëra për djalin tim? A mjafton një lodër e një kostum NIKE?


Pyetje të drejtë i bëre vetes, por pyete më tej. Kur ka qenë hera e fundit që ti ke biseduar me fëmijën tënd, hera e fundit që ti ke parë një film vizatimor me të, hera e fundit që ti e ke pyetur për ëndrrat e tij, hera e fundit që ti ke lozur me të? 


E pra kuptoje më në fund se njeriu merr vesh me fjalë, se koha kur dikush duhet të dhunohet ka mbaruar, se jetojmë në vitin 2020, ku njeriu ka të drejtë të dëgjojë dhe të dëgjohet, prandaj ulu, fol dhe dëgjoje fëmijën tënd.

E pra i dashur prind më vjen keq por ti nuk e njeh fëmijën tënd. Ti nuk ja njeh ëndrrat, dëshirat apo ambiciet. T’i garantosh të mirat materiale është detyrë, por t’i lexosh karakterin dhe ëndrrat është detyrim. 

E në fund mangësinë tënde prindërore ma përcjell mua, mësuesit, të njëjtit mësues që ka patur edhe prindin edhe fëmijën në bankat e shkollës. Por edhe ti i dashur koleg duhet gjithashtu ta kuptosh një fëmijë se ndoshta nuk mundi t’i bënte detyrat, se ndoshta hallet që ka i duken më të rëndësishme se shkollimi, sepse ndodh që momentalisht të peshojnë më shumë, prandaj mendohu dy herë përpara se ta vlerësosh negativisht apo ta ndëshkosh.


Nuk po fyej askënd, thjesht po ju lutem me shpirt dhe dhembshuri, na ndihmoni në punën tonë, dhe nqs nuk mund të na ndihmoni të paktën mos u kundërvini! Le të përpiqemi bashkë të gjithë të ndërtojmë një shoqëri solide, të zotën për t’i bërë ballë konkurrencës së shekullit të 21-të. Mbani mend, mësuesa, inxhinierë apo bujqë, se në fund të ditës të gjithë jemi njerëz të cilët luftojnë për ditë më të bukura dhe një të ardhme më të ndritur!!! Të gjithë bashkë MUNDEMI!



Ibrahim Husejni, mësues anglishteje, shkolla "Bido Sejko"

10,736 Lexime
5 ditë më parë