Përfshirja e prindërve në edukimin e fëmijëve
Angazhimi, puna dhe përkushtimi i prindërve në mënyra pozitive do të ndikojë për mirë në të ardhmen e fëmijëve, sigurisht edhe në ndjekjen e edukimit dhe të shkollimit.
Prindërit luajnë rolin primar në zhvillimin e fëmijëve në sjelljet, reagimet, qëndrimet e tyre në raport me vetën dhe të tjerët. Me zhvillim kuptojmë ndryshimet në karakteristikat fizike, njohëse, sociale, emocionale.
Në këto sfera të zhvillimeve luajnë rol të rëndësishëm:
• prindërit në raport me fëmijët,
• në qasjen me fëmijët,
• bashkëpunimin,
• kujdesin,
• interesimin,
• nxitjen e fëmijëve për të qenë aktiv,
• kreativitetin,
• komunikimin,
• tolerancën,
• bashkëbisedimin etj.
Sjellja dhe reagimi i prindërve ndikon në pjesën e zhvillimit emocional, social, moral, njohës të fëmijëve. Bashkëpunimi, mirëkuptimi, komunikimi me fëmijët kanë një efekt shumë të mirë për sjelljen e fëmijëve dhe si në të kundër që kritika, agresiviteti, reagimi emocional, komunikimi jo i përshtatshëm, kanë efekte negative për ta.
Si mjedis i parë social dhe edukativ është familja e cila paraqet segmentin e rëndësishëm në procesin e njohjes dhe zbulimit të botës së jashtme. Prindërit si edukator do të kenë mundësi të njihen me mënyrat e sjelljeve të fëmijëve. Prindërit duhet t’i bëjnë shpesh pyetje vetes: “Pse pikërisht fëmija sillet në këtë mënyrë?”, “Sa shpesh reagon”, “Në çfarë situate reagon”, “Cili është qëllimi i tij”, “Sa është i përshtatshëm në raport me të tjerët”, “Çfarë lloj metodash duhet të aplikojë, krahas përshtatjeve me ndryshimet psiko-fizike” etj.
Për të qenë të lumtur, fëmijët duhet të arrijnë një përshtatje të mirë personale sikurse edhe sociale. Në një kulturë ku jeta shoqërore po bëhet gjithnjë e më komplekse, personaliteti është i rëndësishëm. Është e rëndësishme sepse kjo varet shumë më tepër nga ajo që fëmijët mësojnë prej tyre.
Si karakteristika pozitive që mund të ndikojnë në të ardhmen e fëmijës janë:
• aftësia për të krijuar marrëdhëniet me njerëzit,
• aftësia për të mësuar,
• për t’u përshtatur,
• aftësia për t’u përqendruar,
• aftësia për të qenë krijues, i vendosur, tolerant, ambicioz.
Të gjitha këto do ta ndihmojnë fëmijën për një të ardhme me vlera.
Lidhur me zhvillimin e fëmijëve, sjelljeve të tyre dhe edukimit, rol të rëndësishëm kanë llojet e prindërimit. Tek prindërit agresiv mundësia për bashkëpunim me fëmijët është e vështirë, nga ana tjetër kjo do të ndikojë në nivelin e paktë të socializmit të fëmijëve. Në këtë mënyrë fëmija do të jetë më i ndjeshëm, reagues, i mbyllur në vetvete. Prindërit agresiv, siç thuhet nga (Bidulph, 2006) edukojnë ose fëmijë të trembur e frikacakë, ose fëmijë rebel e të pashtruar, ose të dyja bashkë. Madje ata në të ardhmen do të hasin vështirësi edhe në procesin mësimor. Por nëse fëmijët jetojnë në një midis të qetë dhe të rregullt, me kujdes prindëror, përveç përmbushjes së nevojave fiziologjike ata do të jenë të kënaqur edhe nga nevojat e tyre emocionale.
Angazhimi, puna dhe përkushtimi i prindërve në mënyra pozitive do të ndikojë për mirë në të ardhmen e fëmijëve, sigurisht edhe në ndjekjen e edukimit dhe të shkollimit.
Esmeralda Ismailaj Kajo
Mësuese e ciklit fillor, shkolla “Irfan Ngjeqari”, Berat
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Vlerësimi i mësuesve dhe formati që duhet të plotësoni
Shkolla, komuniteti dhe roli i tyre në procesin e socializmit – Dr.Ermira Ymeraj