Qendra e Trajnimeve Albas

Përfundon sezoni i trajnimeve, rifillojmë në shtator

Qendra e Trajnimeve Albas përfundon me sukses sezonin e parë të trajnimeve, i cili u shtri pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Trajnimet rifillojnë në muajin shtator.

Qendra e Trajnimeve Albas ka përfunduar me sukses sezonin e parë të trajnimeve për tre modulet e akreditura nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit: “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës”; “Mësimdhënia në kurrikulat e reja”; “Menaxhimi i klasës”.


Gjatë këtij sezoni, rreth 800 mësues ndoqën seancat e trajnimeve të zhvilluara nga Qendra e Trajnimeve Albas. Organizimi dhe komunikimi i afërt me mësuesit ishin pikat më të forta të këtij sezoni. Informacioni i detajuar që ju ofrua mësuesve, mikpritja dhe profesionalizmi bënë që Qendra e Trajnimeve Albas të krijonte një partneritet të qëndrueshëm, i cili do jetë edhe më i fortë sezonin e ardhshëm. 


Ekipi i trajnimeve ka udhëtuar në qytete të ndryshme të vendit duke i sjellë më afër trajnimet për mësuesit që nuk kanë mundësi të marrin pjesë në trajnimet që zhvillohen në Tiranë. 


Sezoni i trajnimeve çeli siparin në Tiranë e më pas u zhvendos në qendrat e qyteteve të mëdha ku u mblodhën të gjithë mësuesit për të ndjekur seancat e trajnimeve të programuara sipas një rendi dhe agjende të përcaktuar.


Modulet: “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës”; “Mësimdhënia në kurrikulat e reja” dhe “Menaxhimi i klasës” të kombinuara u zhvilluan në Elbasan, Durrës, Kukës, Shkodër, Berat, Vlorë, Fier dhe përfunduan në Tiranë ku interesi i mësuesve ishte më i lartë.

Elbasan, mësuesit përgatitje mbresëlënëse


Në Elbasan Qendra e Trajnimeve Albas zhvilloi trajnim për dy module: “Menaxhimi i klasës” dhe “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës”. Mësuesit e qytetit por edhe të fshatrave u regjistruan në trajnim duke zgjedhur modulin që ju intereson të ndiqnin. Përgjatë dy dhe tre seancave mësuesit u njohën me modulet tona dhe patën mundësi të diskutonin me trajnerët Denata Toçe dhe Natasha Poroçani situatat konkrete që ju ndodhin në klasë dhe që ata kanë vështirësi për t’i zgjidhur. Serioziteti dhe përkushtimi që treguan mësuesit duke ndjekur të gjitha seancat dhe përgatitja për testimin ishin mbresëlënëse për trajnerët por edhe për të gjithë stafin. 

Durrës, mësuesit kërkuan që trajnimi të vijonte


Pas përfundimit të ditës së parë të trajnimit në Durrës, mësuesit kërkuan që këto module të vazhdonin dhe stafi të rikthehej për të trajtuar çështje të tjera. Në numrin e telefonit të vënë në dispozicion për trajnimet pati shumë mësues që u interesuan dhe donin të merrnin pjesë në trajnim. Pas shpjegimit të procedurave, ata kuptuan se nuk mund të merrnin pjesë në trajnim e kësaj date por do të ishin të kujdesshëm dhe do të regjistroheshin për të marrë pjesë në datat e ardhshme të publikuara në faqen e IZHA. 

Kukës, pjesëmarrja tejkaloi pritshmëritë!


Në trajnimin e zhvilluar në Kukës për modulin “Mësimdhënia në Kurrikulat e reja” kërkesat e mësuesve për të marrë pjesë në trajnim bën që stafi të ndryshonte ambientin dhe të punonte me orare të ndryshme, teksa pjesëmarrësit u organizuan në grupe. Mësuesit e përkushtuar udhëtuan nga fshatrat e Hasit, Kukësit dhe Tropojës për të ndjekur trajnimin dyditor të organizuar nga Qendra e Trajnimeve Albas. Krahas modulit, trajnerja rezervoi kohë për t’ju përgjigjur të gjitha pyetjeve që kishin mësuesit, teksa koha e trajnimit përkonte me periudhën kur mësuesit dorëzojnë dosjen për kualifikim, mësuesit morën informacionin e nevojshëm për të arritur rezultatet që ata dëshironin.

Shkodër, trajnimi u shndërrua në diskutim


Përgatitja e mësuesve bëri që trajnimi të merrte formën e një diskutimi ku të gjithë mësuesit u aktivizuan, flisnin, argumentonin dhe pyesnin trajneren rreth situatave konkrete të cilat i hasnin gjatë punës së tyre. Mësuesit me shumë vite eksperiencë u paraqitën në trajnim duke treguar kështu se ata janë të gatshëm në çdo kohë të ndjekin trajnimet për të përcjellë te nxënësit informacionin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me metoda bashkëkohore. 

Berat, mësuesit vlerësuan modulet


Trajnimi në Berat u zhvillua për “Mësimdhënien në kurrikulat e reja”. Mësuesit e ndoqën me interes këtë trajnim dhe vendosën që të ndiqnin në Tiranë modulin “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës”. Të gjithë mësuesit që kanë ndjekur një trajnim nga Qendra e Trajnimeve Albas janë rikthyer për të ndjekur modulet e tjera. Ky është një vlerësim për punën dhe organizimin, kështu mësuesit e Beratit i presim për të ndjekur modulin “Menaxhimi i klasës”.

Vlorë, mësuesit e zgjodhën modulin që ndoqën


Trajnimi në Vlorë u zhvillua pas kërkesave të shumta të mësuesve të dërguara në të gjitha adresat tona zyrtare. Njoftimet e publikuara herë pas here për zhvillimin e trajnimeve në qytet e tjera tërhoqën vëmendjen e mësuesve në Vlorë. Pas vendosjes së datës së trajnimit, regjistrimit të mësuesve në adresën zyrtare https://trajnime.arsimi.gov.al/ dhe dërgimit të agjendës te të gjithë mësuesit, patëm një kërkesë specifike për trajtimin e disa pikave, ndër të cilat projekti kurrikular. Pas përfundimit të trajnimit, të të gjitha pikave të modulit, ishte koha për t’ju përgjigjur kërkesës së mësuesve. Për këtë trajnuesja kishte përgatitur materiale dhe shembuj konkret. Mësuesit falënderuan të gjithë stafin teksa kërkuan që Qendra e Tajnimeve Albas të rikthehet në Vlorë me modulet e tjera. 

Fier, mësuesit evidentuan nevojën për trajnime të vazhdueshme


Në Qendrën e Trajnime Albas kërkesat e mësuesve janë ato që përcaktojnë datat e lëvizjeve të trajnimeve, ne ju përgjigjemi gjithmonë kërkesave të tyre. Mësuesit kanë pyetur dhe treguar interesa për trajnimet në Portalin Shkollor ku janë publikuar njoftimet e datave të trajnimeve por edhe artikujt të vazhdueshëm lidhur me vijueshmërinë dhe pikat që trajtohen në secilin modul. Kështu në agjendë nuk mund të mungonte një trajnim në Fier. Mësuesit e pranishëm treguan se kanë nevojë për trajnime për të qenë gjithnjë e më të përgatitur në klasë dhe për të ditur gjithçka mbi kurrikulën, situatat e të nxënit, rolin e mësuesit etj.

Trajnimet paralelisht më rrethet janë zhvilluar edhe në Tiranë. Secila datë ka sjellë specifika dhe risi të cilat janë menaxhuar gjithmonë në dobi të mësuesve të pranishëm. U është kushtuar vëmendje të gjithë mësuesve si dhe kërkesave specifike të grupeve të caktuara, siç janë shkollat profesionale apo edukatoret e tre grupeve të kopshtit. Qendra e Trajnimeve Albas është vendi ku çdo mësues merr atë që kërkon për t’u zhvilluar profesionalisht. Nëpërmjet të gjithë degëve të Albas bëhet e mundur që mësuesit të jenë gjithmonë kryefjala e punës tonë. 


Mësimdhënia me kompetenca në shtator do të nisë zbatimin në të gjitha kopshtet si pjesë e reformës në arsim. Për të mbështetur edukatoret e tre grupeve të kopshtit Qendra e Trajnimeve Albas e organizoi një trajnim duke përfshirë gjithçka që ju nevojitet edukatarovë për të zhvilluar mësim sipas metodës së re. Gjatë trajnimit diskutuan teorikisht dhe më pas zhvilluan edhe praktikën. Dy data të njëpasnjëshme ju dedikuan edukatoreve. 


Qendra e Trajnimeve Albas do të vijojë misionin e saj në muajin shtator. Gjatë kësaj kohe, ne do të regjistrojmë të gjitha kërkesat tuaja, prandaj ju ftojmë të na kontaktoni në 0697070480 ose në adresën [email protected]. Ju gjithashtu mund të na shkruani në Portalin Shkollor në Facebook, ose në adresat: [email protected] ; [email protected] .


Ju urojmë pushime të mbara!


Albas, me ne më pranë dijes!


(Portali Shkollor)

2,266 Lexime
5 vjet më parë