INTERVISTË

Përkushtimi i mësueses nga Peja ndaj personave me sindromën Down është për t’u marrë shembull!

Erodita Tatlixhi u bë e njohur në Kosovë pas publikimit të një videoje ku ajo tregohej e dashur me personat me sindromën Down. E frymëzuar më herët nga një video e Portalit Shkollor, ajo sot na rrëfen diçka me tepër për rastin dhe për punën që bënë.

Erodita Tatlixhi është trajnere e kuzhinës prej afro 10 vitesh në Qendrën për Aftësime Profesionale në Pejë. Vitin e kaluar, gjegjësisht në muajin shtator ajo ka bashkëpunuar me një projekt nga “Down  Syndrome Kosova” ku i kanë sjellë një numër të caktuar personazh me aftësi të kufizuar për t’i aftësuar për tregun e punës. Ndërkohë, Portali Shkollor ka postuar disa muaj më parë një video, ku një mësuese spanjolle përshëndet dhe mirëpret nxënësit e saj në një  mënyrë tepër të veçantë. Me sa duket kjo video e ka frymëzuar atë deri në atë masë saqë e ka praktikuar edhe vetë me personat me sindromën Down, të qendrës për aftësim dhe punësim. Në video Erodita Tatlixhit shihet që pasqyron përkushtim dhe shumë dashuri. Për më tepër ju mund të lexoni intervistën që Portali Shkollor ka zhvilluar me të.



Erodita të kemi parë në disa video që flasin shumë për punën që t’i bën në Qendrën për Aftësime Profesionale në Pejë, si mësuese dhe trajnere e kuzhinës. Në to të karakterizon lirshmëria dhe dashuria që tregon ndaj personave me sindromën Down, teksa jeni në kursin ku përgatisni receta të ndryshme. Ne duam të ndalemi fillimisht te video që t’i je frymëzuar para pak kohësh, përsa i përket një mënyre të veçantë të përshëndeturi të “nxënësve”, le të themi. Mund të na rrëfesh pak nga ky moment? E mendove ta bëje këtë gjë menjëherë sapo pe videon e publikuar te Portali Shkollor?


Fillimisht kam hezituar sepse pata një dyshim të vogël se si do të ballafaqohem, si do të më presin...

Ishte fillimi i punës me këtë kurs të veçantë. Mirëpo mu deshën dy ditë për ti kuptuar saktësisht se më cilët persona po punoja, me çfarë personash kisha të bëja. Në fakt ata me inspiruan ta bëjë një aktivitet ku e kam parë në rrjetin tuaj social të Facebook, teksa shihet një mësuese spanjolle duke i përshëndetur fëmijët e vegjël në një mënyrë tepër të veçantë. Besoj u kujtohet të gjithëve sepse ishte shumë e parë. Këtë mënyrë që pash fillova ta praktikoj edhe unë me kandidatët e mi. Mendoj se  ishte koha e duhur dhe momenti i duhur. 



Si e pritën këtë përshëndetje tënden teksa qëndroje në derën e klasës?


Ata e mirëpriten shumë mirë dhe çdo ditë të trajnimit e praktikonim si shenjë përshëndetje kur hynin në klasë, por edhe kur dilnim prej saj.  Aq shumë ju hyri në qejf ky aktivitet sa që kushdo që vinte për të na vizituar, i thoshin edhe ju mund ta bëni këtë përshëndetje me mësuesen tonë. 



E përsërit shpesh këtë metodë përshëndetje tashmë, me kandidatë të tjerë?


Me kandidat tjerë nuk e praktikoj për arsye se kam dashur të jetë e veçantë vetëm për ata, por e përdor kur më vijnë për vizitë fëmijët e shkollave të ndryshme. E kanë parë videon dhe menjëherë kërkojnë ta praktikojnë . 



Ka pasur raste të tjera të tilla, pra frymëzuese, që ngjallin mirësi, të praktikuara nga ju?


Unë jam tip spontan dhe inspirohem shumë nga video të ndryshme dhe aty për aty siç është situata veproj, duke krijuar lojëra të ndryshme duke gatuar. Tashmë e dimë që kemi jetë dinamike, të frustruar etj., dhe për këtë mundohem që orët e trajnimit të jenë sa më argëtuese dhe relaksuese etj. 



Si është të jesh mësuese në Qendrën Për Aftësim dhe Punësim, në përkrahje të personave me Sindromën Down? 


Kam kaluar grupe të ndryshme të kandidatëve, kam pasur edhe persona më përpara me aftësi të kufizuara, por jo kaq shumë në numër si këtë grup prej shtatë kandidatësh, ku katër prej tyre ishin me sindromën Down dhe mund të them me sinqeritetin më të madh se kam kaluar një sfidë të ëmbël dhe kam marrë shumë dashuri të pa kusht, të pastër, të sinqertë. Një ndjenjë  motivimi për të punuar edhe më shumë jo vetëm për këtë kategori por me të gjithë. 



A udhëhiqesh nga parime personale si mësuese në këtë qendër? Nëse po, cilat janë ato?


Parimet personale i kam krijuar me vazhdimësinë e punës, duke pas qasje shumë me kandidat të ndryshëm. I përmbahem këtyre parimeve: durimit, disiplinës, fokusit dhe urtësisë.  



Ke një mesazh tëndin të cilin dëshiron ta ndash me kolegët e tu që punojnë në qendra të tilla dhe pse jo një mesazh për të gjithë lexuesit tanë?


Gjithmonë jam nisur prej një thënieje shumë të çmuar, e huaj, e huazuar – “Më thuaj dhe do ta harroj. Më trego dhe mbase e mbaj në mend. Më përfshij dhe e kuptoj”. Për secilën fjalë që ne flasim duhet të qëndrojmë dhe për secilin hap që bëjmë duhet të jetë shembull i mirë. Duaje profesionin që punon, sepse pasqyrë e punës tënde janë kandidatët ose nxënësit!

 


Në këtë video të mëposhtme tregohet mënyra e përshëndetjes që Erodita Tatlixhi ka praktikuar me kandidatët, siç i quan ajo, në qendrën profesionale ku ajo punon. 



Në videon tjetër (më poshtë), Erodita Tatlixhi shihet teksa i mëson personat me sindromën Down të gatuajnë në një lloj mënyrë që i bënë ata të ndihen të lirshëm dhe ta duan atë që bëjnë: këndojnë, kërcejnë dhe shkëmbejnë ndonjë batutë. Nga ana e mësueses nuk mungon as stimulimi i tyre por edhe përgëzimi për çka munden të realizojnë.





(Intervistoi N.Allkja Biçaku, PortaliShkollor) 

3,948 Lexime
4 vjet më parë