Kodimi

Përse fëmija juaj duhet të mësojë si të kodojë?

Kodimi është mënyra se si ne komunikojmë me kompjuterin dhe mjeti që ne përdorim për të krijuar programe të reja. Të mësuarit se si të kodosh mund të sjellë shumë avantazhe.

Si prind, ju mund ta keni pyetur veten se përse ka kaq shumë njerëz - përfshirë këtu edhe mësues - që i shtyjnë fëmijët të mësojnë si të kodojnë. Fundja, është e vështirë të imagjinohet se si mendje kaq të reja mund të përfshihen në aktivitete të tilla në dukje mjaft komplekse. Kjo mund të ketë qenë e vërtetë në të kaluarën; megjithatë, sot kjo gjë është e realizueshme, pasi mësimet e kodimit janë bërë më të thjeshta dhe më argëtuese falë kampeve verore të kodimit, programeve, faqeve të internetit, etj. 


E thënë thjesht, kodimi është mënyra se si ne komunikojmë me kompjuterin dhe mjeti që ne përdorim për të krijuar programe të reja. Të mësuarit se si të kodosh mund të sjellë shumë avantazhe, për arsyet e mëposhtme:


 Kërkesa për programues në tregun e punës është e lartë

Në një botë ku kërkesa për punë që lidhen me sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit sa vjen edhe rritet, njohuritë mbi gjuhët e programimit mund të sjellin mundësi punësimi mjaft të mira.


 Kodimi të jep një avantazh kompetitiv

Nëse zotëron një aftësi që shumë njerëz të tjerë nuk e kanë (në këtë rast, aftësinë për të programuar), atëherë bëhesh menjëherë i dëshirueshëm në sytë e punëdhënësve dhe eprorëve të tu.


 Njohuritë në programim mund t’i ndihmojnë fëmijët ta kuptojnë më mirë botën përreth tyre

Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e dinë si funksionojnë telefonat smartphone, kompjuterat dhe programet kompjuterike. Njohuritë në programim e ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme mënyrën se si ne ndërveprojmë me teknologjinë.


 Kodimi është një aktivitet që të fal kënaqësi dhe zhvillon krijueshmërinë

Edhe pse programimi kërkon përdorimin e logjikës, ai është gjithashtu një aktivitet argëtues dhe që nxit kreativitetin. Një person që di si të kodojë ka mundësi t’i krijojë vetë aplikacionet, video-lojërat dhe faqet e internetit që përdor çdo ditë. Kjo kërkon në radhe të parë që ata të përfytyrojnë atë që do bëjnë, duke shfrytëzuar imagjinatën dhe krijueshmërinë e tyre. Për më tepër, është një kënaqësi shumë  e veçantë të shohësh kodin tënd “të vijë në jetë”.


 Kodimi përmirëson bashkëpunimin dhe komunikimin

Fëmijët mund të mësojnë se si të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë me shokët e tyre, nëse ata i bashkon një interes i njëjtë rreth programimit. Ata mund t’i bëjnë njëri-tjetrit pyetje dhe të punojnë sëbashku për të zgjidhur probleme. Veç kësaj, gjatë programimit, fëmijët duhet të aftësohen se si të analizojnë ide të ndërlikuara dhe t’i interpretojnë ato në mënyrë të tillë që kompjuteri të mund t’i kuptojë. Ky është një proces po aq i rëndësishëm gjatë komunikimit të ideve me njerëz të tjerë, gjithashtu. 

(Rovena Hoxha, Portali Shkollor)

4,348 Lexime
5 vjet më parë