INTERVISTË

"Pragu i braktisjes", një hapësirë surreale e ndërtuar me mjete të realizmit, nga Andreas Dushi

Andreas Dushi, shkrimtari i ri Shkodran, në një intervistë për Portalin Shkollor, përshkruan në mënyrë poetike qasjen e tij ndaj letërsisë, e veçanërisht për librin më të fundit "Pragu i braktisjes", një botim i shtëpisë botuese "Albas".

Andreas Dushi lindi ne Shkodër më 10 shtator 1999. Prej disa kohësh është I pranishëm në median e shkruar me artikuj letrarë dhe kulturorë. Ka botuar tre libra: vëllimin poetik "Krishti vesh me t'kuqe", novelën "Kur vdekja të na bashkojë", romanin "Marrja  egjakut", si dhe dhjetëra tregime e poezi në revista, gazeta dhe antologji të ndryshme. Për krijimtarinë e tij janë shprehur shkrimtarë dhe studiues të ndryshëm. Aktuaisht, vijon studimet për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi".  


Noe Dajani (personazhi kryesor në libër) është personifikimi i njeriut që lë nënvetëdijen ta drejtojë në udhë që duhen kaluar me vetëdije. Kam përshtypjen se jo vetëm unë, por çdo lexues mund të krijojë paralele mes vetes dhe tij, pasi ai është ndërtuar me një ndërthurje elementësh, prej të cilëve të paktën njërin e ka çdokush… 


Krishti thotë se për të hyrë në Parajsë, do duhet të kalojmë nëpër një portë të ngushtë. Nëpër një të tillë portë ka kaluar edhe Andreasi për të hyrë në libër, duke lënë jashtë shumëçka, veç ndryshe nga porta e Parajsës ku jashtë lihen "të këqijat", për në libër, Andreasi ka lënë jashtë "të mirat".


- Nga ka lindur dëshira për t'u marrë me letërsi?

Letërsia lidhet me një moment të paqartë të jetës sime, të cilin kur përpiqem ta kujtoj, e shoh të tymtë dhe shumë të ngjashëm me një kohë të pajetuar. Kam përshtypjen se dëshira, a më mirë të them nevoja për të qartësuar një të tillë moment solli krijimtarinë time të hershme, prozë poetike e pabotuar pasi ka ngjashmëri me faqe “patetike” ditari gjimnazisti.

Mendoj se edhe më pas, botimet e tjera kanë zënë fillë apo marrë shkas nga të tillë çaste, kur në qiell të çelët ka vetëtuar dhe unë, ja kam dalë ta fotografoj atë vetëtimë e pastaj, me dritën e saj të luaj ndër faqe libri mbuluar me hije vetmie. 


- Ne dimë që ju studioni në Universitetin Luigj Gurakuqi, dega Gjuhë-Letërsi. Ka qenë kjo një shtysë për t'u marrë me letërsi artistike?

Jo! Në të vërtetë, dëshira për t’u marrë me letërsi artistike më ka shtyrë të ndjek studimet për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Shkodrës. Po të kishte ndodhur e kundërta, kam përshtypjen se nuk do ja kisha dalë të merresha me letërsi, pasi sistemi mbi të cilin Universiteti, të paktën i Shkodrës është krijuar, synon të kornizojë në mendimet e mësimdhënësit edhe aftësitë e studentit. Prandaj, mendoj se jam me fat që dëshira për të shkruar letërsi është pararendëse e dëshirës për ta studiuar atë. 


- Botimin tuaj më të fundit "Pragu i braktisjes", që vjen nga shtëpia botuese "Albas", si do ta kategorizonit? Cilit stil i përket?

Kategorizimet e letërsisë besoj se i takojnë Lexuesit e veçanërisht, kritikës, jo shkrimtarit, aq më tepër, autorit të librit për të cilin diskutojmë. Prandaj, kësaj pyetjeje nuk mund t'i kthej një përgjigje, ama mund të them se vërtetë shpresoj që Lexuesi (jo domosdoshmërisht kritiku) ta bëjë, dhe kam besim se Ai e bën shumë më mirë nga sa unë do të mundesha ndonjëherë.


- Kush është për ju Dajani, a vendosni paralele mes vetes dhe tij?

Për mua, Noe Dajani është personifikimi i njeriut që lë nënvetëdijen ta drejtojë në udhë që duhen kaluar me vetëdije. Kam përshtypjen se jo vetëm unë, por çdo lexues mund të krijojë paralele mes vetes dhe tij, pasi ai është ndërtuar me një ndërthurje elementësh, prej të cilëve të paktën njërin e ka çdokush.

Gjithsesi, nuk dua t'i bishtnoj pyetjes. Patjetër, brenda Noesë ka edhe Andreas, madje ka pjesë në libër ku bëhet mëse e qartë. Një lexues i kujdesshëm, padyshim që mund të njohë shumë nga Andreasi duke studiuar personazhin e Noe Dajanit.


- Sa gjendet vetë Andreas Dushi te “Pragu i braktisjes”? 

Ndryshe nga "Marrja e gjakut" (Onufri, 2018) apo novela "Kur vdekja të na bashkojë", "Pragu i braktisjes" është një tekst që i përket në të njëjtën përqindje krijuesit dhe Lexuesit. Ndaj, duke mos dashur që të jap përgjigje shteruese për këtë pyetje, po përdor një metaforë biblike. Krishti thotë se për të hyrë në Parajsë, do duhet të kalojmë nëpër një portë të ngushtë. Nëpër një të tillë portë ka kaluar edhe Andreasi për të hyrë në libër, duke lënë jashtë shumëçka, veç ndryshe nga porta e Parajsës ku jashtë lihen "të këqijat", për në libër, Andreasi ka lënë jashtë "të mirat".


- Ju keni sjellë një version tjetër të dashurisë, le të themi! Pse dashuria për ju shkatërron dhe nuk ndërton?

Fillimisht, duhet të sqaroj çfarë është Dashuria për mua. Ajo nuk është ndjenjë; nuk mund të jetë! Sipas meje, Dashuria është gjendje, motor i cili vë në punë jetën dhe shtysa kryesore, arsyeja primare e motivi thelbësor mbi të cilin ndërtohet jeta. Ndaj, varet nga jeta se si do ta orinetojë "punën" e këtij motori. 

Përgjithësisht, Dashuria krijon, ndërton dhe bashkon (raporti im me "Pragu i Braktisjes" është shembulli i duhur) dhe ne ndalemi gjatë në këtë shteg të Dashurisë. Por ka raste kur Ajo orientohet në një tjetër shteg, fundi i të cilit është shkatërrimi, vuajtja dhe e keqja, veçanërisht atëherë kur Ajo udhëton gjysmake, pra vetëm, pa plotësuesen e Saj. Ky është rasti i këtij libri. 


- A ndërtoni ju përmes situatash, ngjarjesh, personazhesh, hapësira surreale?

Ka dy lloje surrealizmash: Surrealizmi i ndjerë, shumë prezent në poezi si dhe surrealizmi i jetuar, kaq absurd sa nuk mund të besohet. Por ja që situata të stisura, por të mundshme të cilat jetohen nga personazhe që duken shumë të vërtetë, mbrujnë ngjajre interesante dhe të paimagjinueshme që vendosen në hapësirat e pamata të surrealitetit, por ngjajnë si reale. Të tilla janë edhe hapësirat në "Pragu i braktisjes": Surreale të ndërtuara me elementë të realizmit.


- Keni plan për ndonjë libër tjetër, pas katër të botuarve deri më tani?

Ndjej se e kam të vështirë të rri larg të shkruarit, por nuk dua ta teproj. Kam përshtypjen se në moshën time, edhe tre janë shumë dhe kjo më ka bërë ta mendoj disa herë botimin e "Pragu i braktisjes". E kam pak të vështirë t'ju jap një përgjigje dhe t'i qëndroj asaj besnik, prandaj edhe po e lë të hapur, ama sigurisht, jo tash shpejt. 

Dua të shijoj shoqërinë mes "Pragu i braktisjes", "Marrja e gjakut", "Kur vdekja të na bashkojë" dhe "Krishti vèsh me t'kuqe", pa u shtuar edhe një tjetër në mes raftit të bibliotekës ku këto qëndrojnë. Edhe kaq sa janë, kanë xhelozi njëri për tjetrin.


- Çfarë këshille i jepni lexuesit tuaj? 

Të lexojë çka ndjen se duhet të lexojë, jo atë që të tjerët i diktojnë si "letërsi e mirë" dhe i ofrojnë si "letërsi e shitur". Mendoj se këto dy terma kur përdoren si ofrues, i përkasin tregtisë dhe letërsia, ndonëse rrezikon frikshëm, nuk duhet të kthehet në mall. Prandaj kini besim në aftësitë tuaja vlerësuese dhe ndiqni vocem tuam e jo vox popoli që ndryshon aq sa nuk krijon dot qëndrueshmëri dhe besueshmëri.



(Intervistoi Parajsa Shtini; Portali Shkollor)

3,368 Lexime
4 vjet më parë