MIRËQENIE

Psikologjia pozitive në shkolla

"Shkollat pozitive përkufizohen si shkollat në të cilat nxënësit përjetojnë nivele të larta të mirëqenies subjektive në formën e emocioneve pozitive si dhe qëndrimeve pozitive kundrejt shkollës" - artikull i përgatitur nga psikologja Dr. Senada Duli.

Shkolla është një ndër kontekstet më të përshtatshme për edukimin e të rinjve, socializimin dhe cilësinë e jetës. Në fushën e psikologjisë pozitive në edukim, paradigma e shkollës pozitive po përkrahet gjithnjë e më shumë


Shkollat pozitive përkufizohen si ato shkolla në të cilat nxënësit përjetojnë nivele të larta të mirëqenies subjektive në formën e emocioneve pozitive si dhe qëndrimeve pozitive kundrejt shkollës. Në shumë studime koncepti i shkollimit pozitiv përdoret për të theksuar rëndësinë që ka një komunitet i tërë në procesin mësimor. 


Shkolla pozitive vizualisht përfaqësohet si një ndërtesë shkolle me disa komponentë të ndërtuar në mënyrë hierarkike njëri mbi tjetrin. Baza përbehet nga kujdesi, besimi dhe respekti ndaj diversitetit që përbëjnë vlera të rëndësishme për të ndërtuar një mjedis pozitiv shkollor. Në shkollat pozitive mësuesit garantojnë role mbështetëse, ndërtojnë marrëdhënie besimi dhe përkujdesje, pranojnë dhe respektojnë ndryshimet ndërmjet tyre.


Kati i parë (niveli i parë) i shkollës pozitive përmban planifikimin dhe motivimin e nxënësve.


Ndërsa kati i dytë (niveli i dytë) përbëhet nga synimet në të nxënë. Planifikimi, motivimi dhe vendosja e synimeve janë komponentë të ndërlidhur të domosdoshëm për aktivitetin e mësimnxënies. 


Kati i tretë (niveli i tretë) përfaqësohet nga shpresa, si një formë e veçantë qëndrimi të cilën nxënësit e përjetojnë në mënyrë të vazhdueshme gjatë procesit mësimor. Në këtë mënyrë, psikologjia pozitive nxit shpresën për të gjithë ata nxënës të cilët e konsiderojnë të nxënit si një proces zhvillimi gjatë gjithë jetës. 


Çatia konsiston në kontributet e vetë nxënësve të cilët pasi kanë përfunduar shkollën i japin shoqërisë atë çfarë kanë mësuar. 


Shkollat pozitive janë mjedise udhëzuese në të cilat nxënësit përjetojnë emocione pozitive. Baker et al (2003), propozuan një perspektivë teorike ekologjike të zhvillimit ku ndër të tjera theksuan, se shkollat funksionojnë si mjedise psikologjikisht të shëndetshme për zhvillimin e fëmijëve. Fëmijët në mënyrë aktive kontribuojnë brenda shkollave, duke zhvilluar të kuptuarin për veten, të tjerët dhe shkollën. Shkollat të cilat ofrojnë mundësi për nxënësit e tyre për të plotësuar nevojat dhe kapacitetet e tyre zhvillimore, konsiderohen si mjedise pozitive si dhe me një ndikim pozitiv në angazhimin e fëmijëve dhe pjesëmarrjen e tyre në shkollë. 

Shkollat pozitive karakterizohen nga një klimë pozitive e pasqyruar nga ndërveprimi i të gjithë faktorëve edukativë (psikosocialë, organizativë, akademikë dhe kulturorë) të cilët garantojnë një mjedis përkujdesës dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit. 


Kërkimet e fundit kanë identifikuar karakteristikat e mjediseve shkollore pozitive duke u fokusuar në ndryshimet ndërmjet aftësive, interesave dhe nevojave të nxënësve. Këta të fundit, kanë më shumë gjasa të kenë arritje në aktivitetet shkollore nëse ndjehen të pranuar, të vlerësuar dhe të respektuar. 


Shkollat pozitive lehtësojnë dhe promovojnë marrëdhëniet pozitive mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve. 


Atributet kryesore te mjediseve shkollore pozitive përfaqësohen nga marrëdhënia pozitive ndërmjet kënaqësisë dhe rezultateve mësimore, marrëdhënieve mbështetëse me prindërit, mësuesit dhe bashkëmoshatarët si dhe tipe të ndryshme të metodave dhe teknikave të individualizuara. 


Si përfundim, shkolla promovon mirëqenien emocionale dhe sociale jo vetëm për nxënësit por për të gjithë ata që mësojnë dhe punojnë brenda shkolle. Drejtimi i psikologjisë pozitive në shkolla i adresohet më së shumti të rriturve të cilët janë përgjegjës për edukimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Mësuesit, edukatorët dhe prindërit e kanë të nevojshme të njihen me konceptet e psikologjisë pozitive në mënyrë që tu ofrojnë nxënësve modelet pozitive të sjelljes. 

Ndërhyrjet dhe programet e bazuara në shkolla (përfshirë kurrikulat), janë të detyrueshme në shumë institucione shkollore bashkëkohore për të siguruar një shëndet mendor pozitiv, aftësi të mira sociale dhe emocionale, aspekte të forta të karakterit, mirëqenie të përgjithshme dhe arritje të mira në të nxënë. 



Referenca

Bentea Corina, C. (2018). Positive psychology in school- a brief overview. Ideas Forum International Academic and Scientific Association.




(Nga Dr. Senada DULI, Psikologe shkollore/organizacionale; Portali Shkollor) 

3,585 Lexime
4 vjet më parë