SAKRIFICA

Puna e detyrueshme: Mes dhimbjes dhe ditarit

Kjo është historia e mësuesit nga Kosova, Emin Pajaziti. Gjendja e tij shëndetësore po ndikon shumë në përformancën e tij si mësimdhënës. Thotë se për shkak të kushteve të rënda sociale detyrohet ta mbajë punën në këtë gjendje.

Pamundësia e pensionimit të parakohshëm në Kosovë po detyron mbi 200 arsimtarë me sëmundje të rënda të vazhdojnë procesin mësimor, duke krijuar pasoja të dyfishta si për mësuesit por edhe për procesin mësimor. 


Mësimdhënësi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Emin Pajaziti sipas planprogramit për klasën e VII-të filloi ta shpjegonte njësinë mësimore “zgjedhimi i foljeve”. Po sa filloi ta shpjegojë  këtë temë, i paraqitet pengesa e parë. Ai për shkak të sëmundjes nuk mund të ngrihet në këmbë për ta shkruar titullin e mësimit në tabelë dhe ta shpjegojë me ndonjë shembull. 


Për këtë arsye, njëri nga nxënësit e klasës u ngrit dhe e shkroi në vend të tij. Për arsimtarin Emin i cili jep mësim në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri” në fshatin Çubrel të Skenderajt, kjo është bërë e zakonshme për çdo ditë të punës. Ai vuan nga një sëmundje e sistemit nervor e cila ia ka paralizuar këmbën e majtë. Pajaziti që tashmë i ka mbushur të 60’tat thotë se punon si arsimtar që 27 vite. Por vitet e fundit thotë se janë bërë një makth për të. 


Ai në vitin 2014 kishte filluar të ketë pengesa në të ecur, ndërsa në fillim të vitit 2016 këmba i ishte paralizuar krejtësisht. Edhe pse i mbante patericat e mbështetura në tavolinën e tij, ai nuk mund të lëvizë vetë, i duhet një shoqërues për çdo lëvizje.

Pajaziti thotë se gjendja e tij shëndetësore po ndikon shumë në përformancën e tij si mësimdhënës. Thotë se për shkak të kushteve të rënda sociale detyrohet ta mbajë punën në këtë gjendje. 

Me legjislacion aktual, ai ose duhet të vazhdojë punën ose duhet ta ndërpresë dhe ta përfitojë një pension invaliditeti prej 90 euro në muaj, me kushtin që Komisioni Mjekësor i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale vlerëson se tek ai është shfaqur paaftësia e plotë 100 për qind për punë. 


Në Kosovë nuk ka infrastrukturë ligjore që e rregullon pensionimin e parakohshëm për mësimdhënësit për shkak të sëmundjeve të rënda. Situata e tyre vështirësohet edhe më shumë për shkak se nuk zbatohet Ligji për Sigurimet Shëndetësore. Në gjendje pothuajse të ngjashme si Pajaziti , që me shumë vështirësi po e kryejnë punën, janë edhe 216 mësimdhënës të nivelit parauniversitar në gjithë Kosovën. Ky numër është në mesin e mbi 23 mijë mësimdhënësve,  sa llogariten të jenë bazuar në raportin mbi statistikat e arsimit në Kosovë të publikuar nga MAShT për vitin 2018/2019. 


Nga Besnik Boletini


(Portali Shkollor) 

2,141 Lexime
4 vjet më parë