REFLEKSIONE

Refleksionet e mia mbi mësuesin e mësimdhënien

Megjithëse janë të shumta arsyet që një njeri të kërkojë të bëhet mësues, jo kushdo mund të bëhet i tillë dhe aq më tepër mësues i mirë. Një mësues i mirë duhet të ketë formim kulturor e gjuhësor, sepse ai është hallka kryesore...

Megjithëse janë të shumta arsyet që një njeri të kërkojë të bëhet mësues, jo kushdo mund të bëhet i tillë dhe aq më tepër mësues i mirë. Një mësues i mirë duhet të ketë formim kulturor e gjuhësor shumë të gjerë, sepse ai është hallka kryesore e veprimtarisë në shkollë. Ky formim ndikon në personalitetin e tij dhe të nxënësve që edukon. Nga personaliteti i mësuesit varen shumë marrëdhëniet dhe klima në klasë e në shkollë, qëndrimi i nxënësve ndaj mësimit, si dhe aspektet sasiore e cilësore të procesit të mësimdhënies dhe të të nxënit.


Mënyra e sjelljes së mësuesit që shprehet me fjalë dhe veprime, duhet të shfaqë atë që ai pret nga nxënësi, të mos tolerojë rrëmujën, turbullirat, kohën e kaluar kot në klasë e në shkollë, si dhe sjellje të tjera të papërshtatshme e të pamorashme. 


Një nga problemet kryesore, për një mësues fillestar është se e sheh disiplinën si një nga faktorët më shqetësues, megjithëse si rregull aty ku vendoset një motivim i mirë dhe një organizim i kujdesshëm i drejtimit të klasës, nuk lindin shqetësime disiplinore.


Një mësues i mirë duhet t’u mësojë nxënësve që ata të marrin përgjegjësinë për të mësuarit dhe të arrijnë t’i realizojnë objektivat që i vënë vetes.


Një mësues i mirë duhet të dijë të flasë në klasë, duhet të përdorë një fjalor të pasur dhe të dijë të komunikojë lirshëm me nxënësit, sepse ai është një shembull për ta. Ai duhet të dijë ta drejtojë klasën, pra të arrijë të kufizojë problemet e sjelljes dhe thyerjet disiplinore. Ai duhet të jetë një vëzhgues i ndjeshëm i sjelljes së nxënësve, sepse emocionet e tyre ndikojnë në mënyrën e të mësuarit dhe të të nxënit. Pra, mësuesi duhet të jetë një model para nxënësit…


Pavarësisht nga tipi të cilit i përkasin, mësuesit duhet të zotërojnë këto cilësi: inteligjencë të caktuar, njohje të profesionit, kryerje të punës me ndërgjegje e dashuri për nxënësin, durim, qëndrim të drejtë dhe sinqeritet.


Te personaliteti i mësuesit përfshihen bindjet, niveli shkencor e kulturor, figura morale, psikologjike e pedagogjike, aftësia didaktike, fakti nëse ai e do nxënësin dhe shkollën, si dhe nëse ai punon shumë për mbarëvajtjen e tyre.


Mësuesi duhet të jetë në gjendje të shfaqë një qëndrim sa emocional dhe tolerant para shakave të ndryshme të nxënësve, duhet ta kuptojë mirë dhe ta ndjejë botën e tyre emocionale, pra duhet të dijë të përballet denjësisht me ta.


Qëndrimi autoritar i mësuesit ndikon negativisht në sjelljen e nxënësve, ndikon për keq në procesin e të nxënit dhe pengon iniciativën e tyre, duke shkaktuar te secili paqëndrueshmëri psikike dhe pasiguri. Tek e fundit puna e mësuesit është që të vlerësojë pozitivisht të gjitha përpjekjet që bën nxënësi për të mësuar më mirë…


Disa mësues mendojnë se nxënësi duhet të provojë edhe dështimin në shkollë, me qëllim që të jetë i parapërgatitur me dështimet në të ardhmen, në udhën e gjatë e të vështirë të jetës. Mirëpo sipas mendimit tim, ky është koncept i gabuar, sepse nëse një nxënës vlerësohet negativisht nga mësuesi një herë ose dy herë, nuk do të ketë më dëshirë të lexojë, nuk do të shfaqë më interes për atë lëndë dhe për atë mësues. Ai do të mendojë se mësuesi ka diçka personale me të dhe do të ketë frikë prej tij. Pa dashur do të hyjë në atë kategori nxënësish që nuk shkojnë mirë me mësime dhe do të dëmtohet prej frikës se mos gabon herë pas herë, duke u shndërruar kështu në një person të mbyllur në vetvete, i tërhequr nga veprimtaritë shkollore dhe pa asnjë nismë.


Pra, mësuesi duhet të dijë të japë mësim, jo ta bëjë mësimdhënien gogol. Ora e mësimit duhet të karakterizohet nga një organizim i plotë me një veprimtari të përbashkët e të dyanshme mësues-nxënës.

Nxënësi duhet të respektojë personalitetin e mësuesit dhe mësuesi të respektojë personalitetin e nxënësit. Një marrëdhënie e mirë e të dyja palëve bën që ora e mësimit të organizohet me rregullat e duhura. 


Ja çfarë shkruan Pestaloci: ”Një mësim në shkollë, i cili përfshin të tërë shpirtin, të cilin edukimi i njeriut duhet ta përfshijë, nuk ndërtohet plotësisht në rrethanat e jetës shtëpiake… Çdo ndihmë, çdo përkrahje, çdo mësim që ata morën, u vinte drejtpërdrejt nga unë. Dora ime ishte në dorën e tyre, syri im shihte syrin e tyre... Ata ishin tek unë e unë tek ata”... 


Një mësues që shpjegon me nervozizëm nuk mund tëkrijojë marrëdhënie të mira me nxënësit. Ai duhet të ketë një të folur të përpunuar, një zë normal dhe jo shumë të lartë, me çirrje etj., për të mos i bezdisur nxënësit dhe për të krijuar harmoni në klasë.


Çiltërsia e mësuesit në komunikimin me nxënësit, fytyra e tij miqësore, shpjegimi i qartë dhe me qetësi, bën që ata ta ndjekin me shumë dëshirë mësimin… Mësuesi duhet të jetë shok, prind zëvendësues, mbështetës i egos së nxënësve etj., por pak mësues e bëjnë diçka të tillë... Mësuesi i mirë kujdeset që nxënësit të përvetësojnë jo vetëm dukuri e shkathtesi, por dhe predispozicione e vlera. Ai përpiqet ta bëjë nxënësin një njeri më kompetent, më të sjellshëm e më të mirë.


Nxënësit e shkollës fillore i marrin me seriozitet të madh çështjet mësimore, por me kalimin e viteve u bie përkushtimi. Dhe fajtor për këtë është mësuesi. Nëse një mësues gjatë katër viteve të shkollës fillore ka pasur një komunikim të ngrohtë dhe i është përkushtuar totalisht nxënësit, atëherë ky individ edhe në shkollën 9-vjeçare do të ketë sërish atë vullnet për të mësuar, sepse para tij shfaqet ende imazhi ideal i mësuesit të parë.


Mund të përmend mësuesen time të fillores, Valbona Kamberi, një mësuese tipike shembullore, me atë fytyrën paqësore që na jepte ngrohtësi sa herë e shikonim, ishte ndër më të mirat e shkollës. Të gjithë nxënësit që dolën nga “dora” e saj, patën gjithmonë vullnetin e mirë për të mësuar sistematikisht. Dhe sot i shikon të studiojnë nëpër vende të ndryshme të botës dhe në degët më të mira. Një ndër ata persona jam dhe unë...


Nxënësit duhet të ndihen të sigurt në klasën që mësojnë dhe me mësuesin që kanë, në rast të kundërt ata nuk do të tregohen vigjilentë. Dihet se në moshë të vogël, nxënësit janë më tepër kureshtarë dhe e kanë më të madhe dëshirën për të mësuar.


Meqë kam mbaruar shkollën pedagogjike, më ka rënë rasti të dëgjoj mësim dhe të jap praktika mësimore në shumë klasa të shkollës fillore. Dikur do të jepja mësim në një nga shkollat e rrethit, në klasën e dytë. Kisha dëgjuar se ishte një nga klasat më të mira përsa i përkiste disiplinës, pra ishte klasa që mbante më shumë qetësi. Më bëri përshtypje ky fakt, sepse duke marrë parasysh moshën e nxënësve, është normale që të krijohet sadopak rrëmujë.


U futa në klasë. Ishte ora e matematikës. Nxënësit nuk ishin rregulluar ende nëpër banka, sepse sapo kishte mbaruar pushimi i gjatë... Mësuesja filloi të kërkonte qetësi, megjithëse nxënësit nuk po bënin asgjë të tepëruar. Ajo u drejtua nga dollapi ku mbaheshin mjetet mësimore dhe pasi nxori një thupër të gjatë, pa asnjë arsye, gjuajti disa nga nxënësit që i cilësonte si më të ”rebeluarit”… Ky veprim më bindi se kjo klasë, që mbahej si më e ”disiplinuara”, disiplinohej prej mësueses së saj në një mënyrë çnjerëzore…


Disiplina më e mirë për mendimin tim, është vetëdisiplina. Nëqoftëse mësuesi do të mund t’u mësonte nxënësve që të marrin përgjegjësinë e tyre për të mësuarit dhe për mbajtjen e qetësisë, atëherë ky mësues e ka arritur një nga synimet e tij. Një mësues duhet t’u mësojë nxënësve se çfarë është sjellja e pranueshme dhe ajo e papranueshme, t’i ndihmojë ata të përmirësojnë standartet e sjelljes së tyre për të qenë sa më të disiplinuar. Për mendimin tim, nëse një nxënës është i padisiplinuar, thyen rregullat dhe ndaj tij merren masa, atëherë jo vetëm i ndëshkuri, por e gjithë klasa do të humbasë respektin për mësuesin… 


Për të pasur një marrëdhënie sa më të mirë me klasën e vet, një mësues shembullor duhet që në ditën e parë të shkollës t’u bëjë të qarta nxënësve të gjitha rregullat që duhen zbatuar gjatë vitit, këtu përjashtohen nxënësit e klasës së parë. Qëllimi i një mësuesi është që të formojë nxënës që nuk krijojnë probleme disipline dhe kur arrihet kjo, atëherë mund të themi se mësuesi ka në dorë kontrollin e klasës.


Mendoj se mënyra më e mirë për të qortuar nxënësin kur bën gabime, është ajo që mësuesi duhet të bëjë para klasës, pra shembulli i tij dhe në veçanti duke shpjeguar pse nuk duhet ta përsërisë atë gabim. Nëse një nxënës qortohet para gjithë shokëve, do të rëndohet emocionalisht dhe në klasë do të krijohet një skenë e pakëndshme, sepse ai mund të fillojë të qajë, prandaj mendoj se sjellja e duhur është e folura me të në mënyrë private dhe shoqërore.


Disa mësues kanë parimin se vlerësimi negativ i shtyn nxënësit që të mësojnë më tepër. Vlerësimi ka fuqi individuale. Kjo do të thotë se vlerësimet që merr nxënësi mund ta nxisin atë të mësojë, por dhe mund ta frenojnë, t’ia zbehin dëshirën për të mësuar. Dihet që nxënësit e klasave të ulta të shkollës fillore mësojnë më tepër që të plotësojnë dëshirën e mësuesit, si të thuash është më shumë autoriteti i tij sesa lënda që i tërheq ata. Pra, këta mësues janë të predispozuar që t’u vënë nxënësve nota sa më të ulëta e t’u tregojnë më shumë gabimet se sa arritjet, për t’u kultivuar vetëvleresimet realiste që do të thotë se qëllimet duhet të jenë të arritshme, pra as të paaritshme e as të arritshme lehtësisht. Kjo sipas tyre, se për mendimin tim nxënësi duhet nxitur edhe duke e inkurajuar herë pas here për vlerat dhe cilësitë e tij në të mësuar dhe në të sjellur…


Që procesi mësimor të ketë sukses dhe marrëdhëniet mësues-nxënës e anasjelltas të jenë sa më të mira, mësuesi duhet të zotërojë këto tipare:

1. T’i vlerësojë paanësisht nxënësit,

2. të jetë i drejtë,

3. të jetë njerëzor,

4. të jetë kompetent.

Ky është pak a shumë portreti i një mësuesi që meriton respektin e nxënësve të tij…



(Ana Burnazi; Portali Shkollor)

4,737 Lexime
4 vjet më parë