"Rëndësia e ripërkthimit të klasikëve" - Aktiviteti i Albas për 25-vjetorin me përkthyes dhe studiues

Në Panairin e 28-të të Librit, Albas shënoi 25-vjetorin duke vënë në fokus rëndësinë e ripërkthimit të klasikëve. Diskutimet nga përkthyes, studiues dhe botues treguan se ripërkthimi ruan origjinalitetin, pasuron gjuhën shqipe dhe e afron letërsinë klasike te brezat e sotëm.

Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 



Në sallën ovale të Panairit të 28-të të Librit në Tiranë, shtëpia botuese Albas shënoi 25-vjetorin e saj me një aktivitet të posaçëm ku përkthyes, studiues dhe dashamirës të letërsisë vunë në qendër një nga temat më të rëndësishme për cilësinë e kulturës sonë letrare: ripërkthimin dhe ribotimin e veprave klasike. Në atmosferën e gjallë të panairit, diskutimi mori formën e një reflektimi të thellë mbi mënyrën se si klasikët duhet t’u flasin brezave të sotëm, me një gjuhë të përmirësuar, të saktë dhe sa më pranë origjinalit.


Botuesja Rita Petro kujtoi se Albas e ka nisur rrugëtimin me klasikët për fëmijë, duke i dhënë vend të veçantë përkthimit cilësor. “Kolanat tona kanë krijuar një pasuri të madhe me veprat e klasikëve botërorë, madje do të thoja që kemi edhe klasikë shqiptarë si Petro Marko dhe Bedri Dedja,” u shpreh ajo. 

Petro rikujtoi se përkthimi i “Përrallave të Andersenit” nga Klodian Brici i solli përkthyesit çmimin ndërkombëtar “Hans Christian Andersen”, një arritje që i dha forcë bindjes se letërsia e përkthyer në shqip mund të jetë konkurruese edhe jashtë vendit. Po ashtu, botuesja njoftoi se këtë vit Albas ka sjellë për herë të parë në shqip “Një mijë e një net”, një projekt i cili do të pasohet me tri vëllime të tjera. 


“Këtë vit kemi sjellë ‘Një mijë e një net’, të përkthyera për herë të parë, dhe së shpejti do të plotësohen me tre vëllime të tjera.”, tha botuesja Rita Petro. Petro solli edhe sfidën e Bodlerit, autorit me të cilin Albas nisi kolonën e klasikëve për të rritur.




Në këtë linjë, përkthyesi Primo Shllaku ndau përvojën e tij shumëvjeçare me poezinë e Bodlerit. Shllaku foli për imazherinë e veçantë të poetit, ndërsa sipas tij, gegnishtja i ka dhënë mundësinë të ndërtojë vargje të shkurtra e të ngjeshura.


“Kam 50 vjet aritmetikë që e mbaj Bodlerin në dorë. Ai nuk përshkruan natyrën, ai përshkruan peizazhet shpirtërore në raport me natyrën. Aty gjen korrespondencat e famshme që lidhin metafizikën me imazhin. Kam arritur të jap edhe sintetizmin e tij, prandaj gegnishtja më ka ndihmuar të ndërtoj vargje të shkurtra, pa buhavitje teksti.”



Përkthyesi Granit Zela solli vështrimin historik mbi mbi procesin e ripërkthimit, duke nënvizuar se përkthyesi shqiptar ka qenë i kufizuar nga rrethana të ndryshme para viteve ’90. 

“Përkthyesi nuk ka qenë i lirë, shumë tekste kanë qenë të censuruara dhe edhe kur nuk censuroheshin, ekzistonte autocensura”, u shpreh ai, duke shtuar se çdo epokë ka përkthyesit e vet dhe lexuesin e vet të formësuar nga koha. Ai kujtoi se edhe në vende të tjera, kryeveprat janë ripërkthyer disa herë, sidomos për shkak të elementeve të ndjeshme.

“Është gjë e mirë që po riperkthehen veprat klasike, përfshirë ‘1001 Net’. Këto kryevepra në botë janë përkthyer disa herë. Madje elemente si seksualiteti janë censuruar sistematikisht në versionet e vjetra.”, tha Zela. 


Në vijim të diskutimit, Rita Petro solli shembullin e përkthimit të Bajram Karabollit për “Don Kishotin”, duke theksuar se Albas ka marrë mendime nga studentë dhe nxënës pas botimit, një tregues se lexuesi i sotëm kërkon një gjuhë më të afërt dhe më të pastër.

Më tej, përkthyesi Ilir Baçi,foli për aspektin filozofik dhe praktik të ripërkthimit. “Ripërkthimi është i domosdoshëm kur teksti i mëparshëm është ende në qarkullim,” tha ai, duke sjellë po shembullin e “Don Kishotit”, i cili në shqip kishte kaluar më shumë se një shekull pa u përditësuar.


Debatin e pasuroi ndërhyrja në këtë pikë e përkthyesit, Ukë Buçpapaj, i cili kundërshtoi idenë e vjetërsimit të gjuhës, duke thënë se “shqipja e Nolit është më e arrirë dhe më e pastër”, një gjuhë që sipas tij nuk ka humbur freskinë. Për Buçpapajn, disa përkthime nuk duhen prekur, sepse janë vetë monumente të gjuhës shqipe.

Por Baçi riktheu vëmendjen te ndryshimi ideologjik dhe te fakti që çdo përkthim, në momentin e parë, modifikohet për t’iu afruar lexuesit të kohës. “Përkthyesi shpesh e zbut gjuhën dhe e përshtat me realitetin e vendit”, tha ai, por theksoi rëndësinë e qëndrimit sa më pranë origjinalit. Ndërkohë që meraku i tij ishte kordinimi mes shtëpive botuese që mos të përkthejnë të njëjtin libër dhe titull. 


Përkthyesja Flavia Kaba, pedagoge e gjuhës spanjolle, theksoi se ripërkthimi duhet të shtrihet në mënyrë më të gjerë dhe jo vetëm mbi vepra që marrin bujë si “Don Kishoti”. Ajo e quajti të domosdoshme rikthimin sistematik te letërsia klasike për ta përditësuar atë në sinkron me gjuhën e sotme. 

“Letërsia klasike duhet të ripërkthehet. Ripërkthimi i Don Kishotit pati bujë të madhe, por shumë vepra të tjera nuk kanë marrë vëmendjen që meritojnë.”



Ndërkohë, përkthyesi Sokol Çunga solli një analizë mbi kalkimet, duke kujtuar se edhe Noli e Naimi kanë përdorur struktura që sot janë pjesë e gjuhës standarde. Ai beson se ripërkthimi jo vetëm ruan lakonizmin e tekstit klasik, por edhe pasurohet falë mjeteve të reja, sidomos fjalorëve modernë dhe atyre digjitalë. 

“Noli dhe Naimi kanë përdorur kalkime që sot janë pjesë e gjuhës. Ripërkthimi e ruan lakonizmin e tekstit klasik dhe e pasuron gjuhën. Fjalorët sot janë më të plotë; instrumentet e punës na lejojnë të kapim nuanca që më parë humbnin.”


Në fund, përkthyesja Anxhela Çikopano i dha rëndësi ritmit dhe masës së gjuhës në një tekst.

 “Brezi i ri kërkon fjalë të reja, por është detyrë e përkthyesit të ruajë masën. ,” u shpreh ajo, duke shtuar se “futja e fjalëve të vjetra mund të jetë e dobishme vetëm nëse nuk e rëndon tekstin”. Çikopano theksoi se gjysmën e punës së përkthyesit e zë kërkimi. 



Diskutimi i zhvilluar në sallën Ovale tregoi se ripërkthimi nuk është një procedurë teknike, por një proces kulturor që i hap rrugë një leximi të pastër, të pakontrolluar dhe të përditësuar të letërsisë botërore. Në një kohë kur gjuha ndryshon shpejt dhe mjete të reja i vijnë në ndihmë përkthyesit, rikthimi tek klasikët bëhet detyrim për të mos e lënë lexuesin shqiptar peng të versioneve të kaluara. Ripërkthimi, siç u pa nga ky diskutim, është mënyra më e shëndetshme për të ruajtur dialogun e përhershëm mes letërsisë universale dhe gjuhës sonë.




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

425 Lexime
1 ditë më parë